E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unionit i Gjyqtarëve: Ligji i dosjeve është i vonuar

 

TIRANE – “Ligji i Lustracionit është i vonuar”. Artur Kalaja, kreu i Unionit të Gjyqtarëve pohoi dje se shoqata e togave të zeza, të cilën ai e drejtonte, përshëndeste vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit. Sipas tij, kjo ishte zgjidhja më e mirë që mund të bëhej në këtë rast, ndërsa duke komentuar ligjin, ai pohoi se tashmë ka kaluar koha për një ligj të tillë dhe sipas tij duhet të zbatohej shumë kohë më parë. “Gjykata Kushtetuese e pezulloi me të drejtë. Vende të tjera e kanë realizuar nëpërmjet një kompromisi politik. Për mua është vonë të kalojmë këtë ligj, ndoshta tani duhet një formë tjetër për ta realizuar”, tha Kalaja. Më tej, kryetari i shoqatës së togave të zeza pohoi se: “Unioni i Gjyqtarëve ka preferuar të mos bëjë komente për ligjin e Lustracionit, pasi i ka konceptuar si komente, të cilat do të kishin një natyrë politike dhe Unioni nuk do të përfshihet në këtë. Përsa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Unioni i Gjyqtarëve, më lejoni, nga diskutimet që kam pasur, e vlerëson si vendim të drejtë. Për ne, Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim të drejtë duke e pezulluar zbatimin e ligjit”, pohoi Kalaja në një prononcim për mediat gjatë takimit të djeshëm. Vetëm pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese vendosi ta pezullonte këtë ligj të shumëpërfolur, të paktën për efektet që mund të japë në sistemin gjyqësor, pasi prek një numër të konsiderueshëm anëtarësh të këtij sistemi. Pezullimi i këtij ligji, u vendos pasi një grup deputetësh, Komitetit Shqiptar i Helsinkit dhe Shoqata e Prokurorëve kërkuan shpalljen e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe pezullimin e zbatimit të këtij ligji deri në shpalljen e vendimit përfundimtar të Kushtetueses. Më datë 16 shkurt, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese morën në shqyrtim kërkesën e paraqitur për pezullim të ligjit, duke pohuar se shkaqet e parashtruara nga kërkuesit, lidhur me kërkesën për pezullim, i vlerëson si shkaqe të përligjura për të argumentuar parandalimin e pasojave që mund t’i vijnë funksionimit normal të shtetit të së drejtës si dhe të drejtave dhe lirive themelore të individëve.                            fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›