E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci s‘është përgjegjësi e Shtabit të Përgjithshëm"

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petrit Karabina, mendon se ish-ministri i Mbrojtjes dhe ushtarakë të lartë në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura janë përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit 2008 në fshatin Gërdec të Vorës. Nga Bulqiza, ku ndodhej për një vizitë pune, zëvendësministri Karabina ka dhënë dje një intervistë për gazetën "Shqip". Edhe pse anashkalon me mjaft diplomaci një përgjigje direkte për akuzat e ish-ministrit Fatmir Mediu, të dorëhequr tashmë, që ngarkon me përgjegjësi Shtabin e Përgjithshëm për këtë ngjarje të rëndë, ai në përgjigjen e tij lë të kuptohet se përgjegjësia kryesore për katastrofën e Gërdecit bie mbi vetë ish-ministrin Fatmir Mediu. Por, kurrsesi, thotë zëvendësministri Karabina, unë nuk mund të pranoj që fajin e ka Shtabi i Përgjithshëm, në tërësinë e tij, pa përjashtuar segmente të veçanta të tij, që janë treguar të pavëmendshëm për tragjedinë e Gërdecit, duke lënë të nënkuptohet, se faji kryesor bie mbi Mediun.

Si do t‘u përgjigjeshit akuzave të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili në fjalën e tij gjatë ditës së premte, para Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë, fajin për tragjedinë e Gërdecit ia hedh Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë?

Jo, kurrsesi nuk jam dakord të thuhet se fajtor për tragjedinë e Gërdecit është Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, por jam dakord që brenda tij ka pasur ushtarakë të pavëmendshëm në lidhje me ndjekjen e procedurave të sigurimit teknik gjatë demontimit të municioneve në këtë bazë.

Pra, ju mendoni se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është fajtori kryesor, që duhet të mbajë përgjegjësi për këtë ngjarje?

Kësaj pyetje nuk dëshiroj t‘i përgjigjem, pasi do të jetë Prokuroria ajo që do të zbardhë të vërtetën, duke nxjerrë edhe fajtorët e vërtetë të saj. Tani është momenti që Gërdeci të rindërtohet, gjë që po bëhet, si dhe të dalë përgjegjësia e të ndëshkohen fajtorët, gjë që po e bën prokuroria.

Ish-ministri Mediu e ka cilësuar kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të tij si tendencioze, ju ç‘mendim keni?

Jua thashë edhe më parë. Nuk dëshiroj që të përgjigjem për këtë pyetje, pasi përgjigjen e saj ka të drejtë dhe do ta japë vetëm Prokuroria e Përgjithshme.

T‘i rikthehemi edhe njëherë prononcimit të zotit Mediu para Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve. Sipas tij, demontimi i municioneve është proces ushtarak dhe jo civil, çka hedh kështu poshtë akuzën e Prokurorisë, se Forcat e Armatosura nuk janë shmangur nga vendimmarrja për çfarë ndodhte në Gërdec?

Kësaj pyetje iu përgjigja njëherë, kur thashë se do të jetë Prokuroria ajo që do të zbardhë të vërtetën dhe do ndëshkojë fajtorët për këtë tragjedi. Por, e theksoj edhe një herë, se persona të caktuar në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura janë treguar të pavëmendshëm për Gërdecin, gjë për të cilën mbajnë edhe përgjegjësi. Tregues i kësaj përgjegjësie është edhe masa administrative e marrë për largimin e dy gjeneralëve nga strukturat e këtij Shtabi.

Problemi

Zv/ministri pranon problemin dhe premton zgjidhje të shpejtë

Borxhi ndaj paqeruajtësve,

neglizhencë e ministrisë

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petrit Karabina, ka folur dje edhe në lidhje me paratë që shteti u ka mbetur borxh një grupi paqeruajtësish. Në lidhje me pretendimet që kanë ngritur 108 paqeruajtës të repartit "Isa Boletini" në Berat, të cilët kanë shërbyer në Afganistan, nga gushti 2007 deri në shkurt të këtij viti, zv/ministri pranoi se ata kanë ende nga 1000 dollarë për të marrë dhe se kjo çështje do të zgjidhet shpejt. "Vonesa në pagesën e tyre ka ardhur për arsye të neglizhencës administrative nga strukturat financiare të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndaj, me këtë rast garantoj të gjithë këta paqeruajtës, që kanë shërbyer në Afganistan, duke rrezikuar jetën e tyre, se do të paguhen së shpejti deri në qindarkën e fundit, pasi procedura e kësaj pagese ka përfunduar tashmë", tha numri zv/ministri, Petrit Karabina.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›