E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis braktisja e detyruar e kavaleshencës në Durrës

Nis braktisja e detyruar e kavaleshencës në Durrës; drejtoria mbyll dyert dhe telefonat për median. Ora 08.00 e ditës së sotme regjistron fundin zyrtar të familjeve të prekura nga shpërthimi i Gërdecit dhe të strehuara në ambientet e shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës. Afrimi i periudhës së pushimeve për zyrtarët e dikasterit dhe uniformat vartëse në rrethe ka ndëshkuar familjarët që nuk e kanë një strehë ku të fusin kokën. Gjatë gjithë ditës së djeshme, një altoparlant ka oshtirë në kokat e të strehuarve, duke i sinjalizuar se e shtuna është dita e fundit e qëndrimit të tyre në ato ambiente, pasi ora 08.00 e mëngjesit të 1 qershorit do t‘i gjejë pa asnjë lloj shërbimi të ofruar për ta. As bukë, as ujë, as tualete dhe as fjetje. Po në rast rezistence të banorëve, çfarë do të ndodhë? Kjo është pyetja që vetë familjarët kanë nisur të shtrojnë mes tyre gjatë të gjithë ditës së djeshme, kur e kanë ndjerë më pranë se kurrë arrogancën e strukturave të qeverisë së tyre, që u premtoi zgjidhje të shpejtë të situatës, rindërtim të shtëpive dhe zhdëmtim, pak çaste pasi u bëri gjëmën me lumin e predhave që vërshuan nga qielli mbi fshatrat ku jetojnë. Disa familje janë larguar që ditën e djeshme, duke u ndjerë të pafuqishëm për të reaguar përballë këtij qëndrimi të qeverisë që i ka frikësuar akoma më shumë. Ata që vendosën të largoheshin janë të paktë, por kanë bindjen se të gjithë do të dalin prej aty, pasi "ata (qeveritarët) kanë edhe gurin, edhe arrën". Dyert e shtëpisë së pushimit në sektorin Plepa të Plazhit të Durrësit ditën e djeshme, për herë të parë që nga strehimi i familjeve të dëmtuara nga shpërthimi i 15 marsit të këtij viti, kanë qenë të mbyllura për gazetarët dhe kameramanët. I vetmi kontakt me të strehuarit në to ka qenë përtej derës së hekurt të pakalueshme, kur familjarë dilnin për nevojat e tyre, apo dhe për të lënë përfundimisht godinën, ku u akomoduan familjarisht gjatë dy muajve të fundit. Tashmë, janë nisur kuturu drejt tokës që u ngjall frikë për jetën, ku i presin shtëpitë e dëmtuara dhe jeta në udhëkryq. Shumica thonë se do të qëndrojnë në Durrës, pasi nuk kanë ku të shkojnë dhe do t‘i lënë godinat hoteliere të kavaleshencës vetëm kur të ndihen të sigurt. Dita e sotme premton zhvillime interesante, ndërkohë që lëvizja qytetare "Mjaft", e cila pak ditë më parë protestoi bashkë me familjarët kundër vendimit të qeverisë për nxjerrjen e tyre nga vendi ku strehohen, ka bërë të ditur, ndonëse jo zyrtarisht, se do të jetë përkrah tyre dhe në këtë ditë të vështirë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›