E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthen Ina Rama: Na lini të hetojmë

Kryeprokurorja Ina Rama ka reaguar dje pas deklaratave të Kryetares së Parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli, të bërë në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve. "Unë do t‘ju vë në dispozicion 8 volume me shkresa dhe dokumentacione, pjesa më e madhe e të cilave nuk ka ardhur nga prokuroria. Nuk i ka sjellë Prokuroria e Përgjithshme për t‘i vënë në dispozicion të Parlamentit, pra i janë i fshehur Parlamentit", u shpreh Topalli gjatë mbledhjes së Këshillit të Imuniteteve. "Qëndrimi i organit të akuzës në lidhje me këtë deklarim është se Kuvendit të Shqipërisë nuk i janë fshehur dokumente dhe as nuk do t‘i fshihen në të ardhmen" bëri me dije Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, me anën e një komunikate për shtyp, në lidhje me kërkesën e organit të akuzës për heqjen e imunitetit të deputetit për Fatmir Mediun, lidhur me përgjegjësinë e tij për çështjen e Gërdecit, në kohën kur drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes. "Nga hetimi i çështjes së ‘Gërdecit‘, Prokuroria e Përgjithshme ka arritur të administrojë një sere dokumentesh që janë pjesë e fashikullit të hetimit. Në përgjigje të kërkesës së paraqitur nga komisioni i mandateve dhe nenit 118 paragrafi 1 i Rregullores së Kuvendit, organi akuzës i ka paraqitur komisionit të mandateve të gjitha aktet mbi të cilat është argumentuar kërkesa për heqjen e imunitetit të Z.Mediu, dhe që u konsideruan prej nesh si të mjaftueshme për t‘i dhënë mundësinë Kuvendit të Shqipërisë që të arrinte në një konkluzion, në lidhje me kërkesën tonë", thuhet në njoftimin e Ina Ramës. Organi i akuzës, sipas njoftimit të dërguar dje, është i bindur për "implikimin" e deputetit Famir Mediu në çështjen e Gërdecit, megjithëse ish-ministri i Mbrojtjes deklaroi në Këshillin e Imunitetit dhe Mandateve se nuk ndihet përgjegjës për katastrofën e Gërdecit, lidhur me praktikat që ka ndjekur, pasi nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore. "Organi i akuzës është i gatshëm të vlerësojë me seriozitet çdo kërkesë të Kuvendit për akte të veçanta që do të gjykohej prej tij se do t‘i shërbenin për të arritur në një vendimmarrje sa më të drejtë të tij në lidhje me kërkesën për heqjen e imunitetit", thuhet në njoftimin e Ina Ramës. Sipas saj, në të gjithë veprimtarinë e tij, organi i akuzës është drejtuar nga qëllimi i vetëm kushtetues dhe ligjor, për të siguruar një procedim të barabartë, të drejtë dhe të rregullt ligjor për të gjithë personat për të cilët ka të dhëna se kanë kryer një vepër penale. "Në përmbushje të këtij parimi është kërkuar prej Kuvendit që organi i akuzës të autorizohet prej tij, për t‘i hapur rrugë procedimit edhe në drejtim të hetimit të deputetit, zotit Fatmir Mediu", përfundon deklarata e kryeprokurores Ina Rama.

Ina Rama

Qëndrimi i organit të akuzës në lidhje me këtë deklarim është se Kuvendit të Shqipërisë nuk i janë fshehur dokumente dhe as nuk do t‘i fshihen në të ardhmen. Janë dërguar aktet mbi të cilat është argumentuar kërkesa për heqjen e imunitetit të Z.Mediu, dhe që u konsideruan prej nesh si të mjaftueshme për t‘i dhënë mundësinë Kuvendit të Shqipërisë që të arrinte në një konkluzion.

Topalli

"Unë do t‘ju vë në dispozicion 8 volume me shkresa dhe dokumentacione, pjesa më e madhe e të cilave nuk ka ardhur nga prokuroria. Nuk i ka sjellë Prokuroria e Përgjithshme për t‘i vënë në dispozicion të Parlamentit, pra i janë i fshehur Parlamentit", deklaroi kryeparlamentarja në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve

Mediu

"Forcat e Armatosura jo vetëm kanë dijeni për autoritetet më të larta ushtarake për të cilat kanë vizituar dhe vlerësuar demontimin në Gërdec, por ministri nuk ka marrë asnjë njoftim me shkrim apo me gojë nga Shtabi i Përgjithshëm, komanda e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Policia Ushtarake apo struktura të tjera, për sa i takon demontimit në Gërdec



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›