Gërdeci, shkarkohen dy gjeneralë dhe drejtorin e SHIU-t
Tiranë – Ngjarja e Gërdecit u kushtoi dy gjeneralëve dhe drejtorit të Shërbimit Informativ ushtarak. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje shkarkimin nga detyra dhe nxjerrjen në lirim të gjeneral major Shpëtim Spahiut, deri tani me detyrë komandant i Forcës së Bashkuar dhe të gjeneral brigade Zija Bahjes, deri tani me detyrë komandant i Komandës Mbështetëse. Ky dekret u nënshkrua nga Presidenti i Republikës në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, të nenit 7, pika 8, të Ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe të nenit 18, të Ligjit nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të ministrit të Mbrojtjes. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha firmosi të premten shkarkimin e drejtorit të Shërbimit Informativ të Ushtrisë (SHIU), nënkolonel Hysni Gjergji. Zyra e shtypit pranë Kryeministrit bëri të ditur se, nënkolonel Gjergji u shkarkua nga detyra me propozim po të ministrit të Mbrojtjes, z. Gazmend Oketa.
Topi kalon në Prokurorinë e Përgjithshme hetuesit e Gërdecit
Tiranë - Presidenti emëron dy prokurorët e dosjes “Gërdeci” në Prokurorinë e Përgjithshme. Me anë të dekretit, kreu i shtetit Bamir Topi ka pranuar propozimin e kryeprokurores për lëvizjen në detyrë të prokurorëve Arben Dollapi dhe Sokol Stojani. Ndërsa ka vulosur shkarkim nga detyra të prokurorit të Kavajës, Musa Mulkurit. Shkarkimi i djeshëm e ka çuan në dy numrin e prokurorëve të larguar nga puna që nga dita që në krye të institucionit të Akuzës u vendos Ina Rama. Burime pranë Presidencës pohuan dje se shkak për lëvizjen e prokurorëve është bërë dosja mbi tragjedinë e Gërdecit. Stojani dhe Dollapi deri pak ditë më parë ishin pjesë prej vitesh e Prokurorisë së Tiranës. Që të dy prokurorët u caktuan në grupin e parë hetimor që pati marrë hetimin e çështjes pak ditë pas tragjedisë, ku pati të vdekur dhe të plagosur. Më tej, për arsye hetimore, dosja shkoi në Prokurorinë e Përgjithshme dhe hetimet iu besuan një grupi tjetër hetuesish, ku do të jenë pjesë dhe prokurorët Stojani dhe Dollapi. Ndërsa vendimi i presidentit Topi për shkarkimin nga detyra të prokurorit nga Kavaja vijnë pas denoncimit të një emisioni televiziv, ku akuzonte përfaqësuesin e Akuzës për ryshfet. Dy ditë më parë, presidenti Topi firmosi dhe shkarkimin nga detyra të një prokurori tjetër, që deri dje punonte në institucionin e Akuzës së Krujës.
10 Maj 2008