Ministria sekuestron pronat, Jasim Kadi padit në gjyq për sekuestron
Tiranë - Ndërsa Ministria e Financave i ka vënë dje sekuestron pasurisë së Jasim Kadisë, ky i fundit i është drejtuar gjykatës për bllokimin e sekuestros. Burime nga Gjykata e Tiranës pohuan dje se Jasim Kadi ka bërë padi për të rrëzuar vendimin e ministrit Bode për sekuestro të pasurive të tij. Milioneri saudit, që u bë i njohur në Shqipëri që në vitin 2001, e cilëson të padrejtë vendimin e Bodes dhe mohon të ketë lidhje me terrorizmin. Për këtë prej disa ditësh ai i është drejtuar Gjyqësorit shqiptar nëpërmjet avokates së tij. Vetëm pak muaj më parë Bode urdhëroi që pasuria e milionerit saudit Jasim Kadi, që pretendohet se është siguruar me financime të organizatave terroriste dhe që u investua në dy kullat binjake në qendër të Tiranës, tashmë do të kalojnë si pasuri e shtetit shqiptar. Pas sekuestrimit të kësaj pasurie, 10 muaj më parë, me një urdhër të posaçëm nga ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ministri aktual Ridvan Bode ka urdhëruar marrjen në dorëzim të këtyre ambienteve. U urdhërua sekuestrimi i 22 apartamenteve te kullat binjake, pasi dyshohej se ato ishin blerë me financime të organizatës terroriste “Al Kaeda”, pjesë e së cilës mendohet të jetë edhe milioneri saudit, Jasim Kadi. Gjithçka nisi në vitin 2001, kur milioneri u akuzua për lidhjet e tij me Al Kaedan. Në vitin 2001 shteti është marrë me të dhe pronat e tij, kur Prokuroria sekuestroi investimet e tij në dy kullat e mëdha 15-katëshe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Prej pak vitesh Shqipëria mundi të kishte një bazë ligjore për të nisur bllokimin dhe konfiskimin përfundimtar të pasurive të një prej njerëzve të kërkuar në të gjithë botën, me akuzën për financim të terrorizmit.
Të dhëna për ambientet e sekuestruara:
* 22 apartamente të sekuestruara
* Sipërfaqja e përgjithshme, 2030 metra katrorë
* Apartamentet kanë qenë në pronësi të sauditit Jasim Kadi
* Financimi dyshohet të jetë bërë nga organizata Al Kaeda
10 Maj 2008