Nis sekuestrimi i pronave te Aldo Bares ne Karavasta
Edhe pse në seancën e fundit gjyqësore kreu i bandës së Lushnjës, Aldo Bare, kërcënoi se nuk ka lindur ai burrë që të marrë pronat e tij, shteti ka nisur sekuestrimin e tyre. Ashtu siç ishte paralajmëruar, pronat në lagunën e Karavastasë janë të parat që po sekuestrohen. Aksioni nisi dje në mesditë. Burime të gazetës “Shqip” nga Lushnja bëjnë të ditur se mesditën e së hënës një ekip i Ministrisë së Financave ka zbritur në Lushnjë. Në përbërje të ekipit të sekuestros kanë qenë edhe specialistë të zyrës së Përmbarimit në Lushnjë, si dhe ekspertë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të Prokurorisë së Rrethit.
Pas një konsulte pakminutëshe në një nga zyrat e prokurorisë, grupi i sekuestros i është drejtuar Lagunës së Karavastasë, një prej perlave të natyrës shqiptare, e cila u privatizua në vitet ’90 dhe hapi konflikte të shumta mes pretendentëve si pronarë të saj.
Mësohet se pas mbërritjes në lagunë, ekipi i sekuestros ka kryer bllokimin e pronës së parë. Bëhet fjalë për një magazinë me një sipërfaqe të madhe, e cila është vetëm një ndër shumë prona që ka Aldo Bare në këtë zonë.
Magazinës, e cila nuk ka qenë në funksion që nga fshehja e Bares në shumë vende europiane pas kërkimit policor, i është hequr dryni që kishte dhe i është vendosur një dry tjetër. Po ashtu objektit në fjalë i është vënë edhe tabela treguese se është sekuestruar nga shteti.
Sekuestrimi i pronave të Bares do të vijojë në ditët e ardhshme. Mësohet se pas magazinës, e cila rezulton si ndërtesa më e madhe në lagunë, shteti do të bllokojë edhe pjesën e rezervatit dhe një pjesë të pyllit në pronësi të Bares.
Burimet e prokurorisë thonë se një pjesë e vogël e rezervatit dhe e frigoriferit të Bares sot administrohet nga një durrsak, të cilit ia ka dhënë shteti, ashtu siç do të bëhet edhe me magazinën e sekuestruar mesditën e së hënës apo dhe me të tjera objekte që kanë qenë në pronësi të njërit prej krerëve të bandave më famëkeqe në vend.