E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci” si problem elektorale



Nga Nebil Çika

Një vit pas incidentit tragjik të Gërdecit, qeveria shqiptare ka mundur ta qartësojë qëndrimin dhe përgjegjësinë e saj me gjithë përpjekjet e opozitës për t’u kapur mbas fatkeqësisë njerëzore si i mbyturi mbas flokëve të vet. Duket qartë se opozita, në mungesë të alternativës politike, do të kapet mbas incidenteve të tilla që gjithsesi krijojnë mundësi për manipulimin e opinionit publik dhe elektoratit. Në këtë situatë mazhoranca ose, më saktë, PD-ja dhe lidershipi i saj, nuk duhet të bien në grackën e opozitës, gjë që nënkupton përfshirjen në debatin për Gërdecin dhe përgjegjësit juridik të tij.

Tani që çështja ka mbërritur në gjykatë, duhet të jetë drejtësia ajo që do të përcaktojë përgjegjësit dhe përgjegjësitë si dhe masat ligjore ndaj tyre. Pa dashur të paragjykojmë, në krye të listës së të akuzuarve të prokurorisë qëndron emri i ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kreu i një partie aleate me PD-në pavarësisht informalitetit të dukshëm të fuqisë politike e elektorale të saj. Largimi nga qeveria i z. Mediu ishte pa dyshim një distancim i prerë i Kryeministrit dhe partisë së tij nga përgjegjësia politike mbi Gërdecin. Ky veprim është distancim i mjaftueshëm politikisht nga ngjarja dhe përgjegjësit e mundshëm të saj, por me afrimin e zgjedhjeve PD-ja duhet të mendojë edhe për distancimin elektoral shumë të rëndësishëm për sigurimin e mandatit të dytë qeverisës.

Afrimi i zgjedhjeve detyron ngritjen e strukturave elektorale me të cilat mazhoranca do t’u drejtohet zgjedhësve dhe gjasat për këtë janë të një koalicioni të ngjashëm me atë të 2005-s, ku republikanët pritet të jenë aleatë kryesorë të PD-së. Mendoj se do të ishte politikisht e papërshtatshme dhe elektoralisht e dëmshme që z. Berisha të kërkojë ribesimin e elektoratit duke pasur serish në krah z. Mediu. Jam i detyruar të marr të mirëqena pretendimet për pafajësi të ish-ministrit të Mbrojtjes, mirëpo ajo që e vërteton ligjërisht njëherazi edhe politikisht dhe elektoralisht këtë është gjykata me vendimin e pritshëm të saj. Janë të gjitha gjasat që procesi gjyqësor i Gërdecit të mos përfundojë para zgjedhjeve, gjë që do të thotë se z. Mediu do të kandidojë (nëse do ta marrë guximin ta bëjë një gjë të tillë) i pandehur si kryepërgjegjës për vrasjen e 26 personave dhe shkatërrimin e qindra pasurive, një cilësim juridik me kosto të madhe elektorale jo vetëm për z. Mediu e partinë e tij, por edhe për koalicionin e djathtë nëse ai do të jetë pjesë elektorale dhe publike e tij. Me pak fjalë, në këto kushte, bashkëpunimi elektoral me z. Mediu do të ishte me pasoja elektorale për PD-në dhe krejt të djathtën shqiptare. Mendoj se ky alarm elektoral do të jetë në projektet politike të z. Berisha i cili i ka të gjitha mundësitë t’u ofrojë republikanëve një marrëveshje sipas parimit “mishi të piqet e helli mos të digjet”. Duke llogaritur faktin se edhe vetë Partia Republikane dëmtohet nëse futet në zgjedhje me pozitën aktuale juridike të kryetarit të saj, mund të bjerë dakord me një marrëveshje ku roli politik e elektoral i kryetarit të jetë i ngrirë apo i reduktuar derisa drejtësia të zbardhë rolin e tij në tragjedinë e Gërdecit. Janë të gjitha mundësitë që PR-ja të futet në zgjedhje me një lidership tjetër, qoftë edhe të përkohshëm. Lideri historik i saj, Sabri Godo, apo edhe e bija e tij, ministria aktuale e Shëndetësisë, Anila Godo, do të ishin alternativa politike e elektorale shumë të efektshme për PR-në dhe partnerë apo aleatë shumë dinjitozë edhe për Berishën. Një aleancë PD-PR, pa ikonën e diskretituar politike të Fatmir Mediut, është sa e mundshme, aq edhe e domosdoshme. Mendoj se elektorati shqiptar e ka mirëkuptuar fisnikërinë e Kryeministrit për të mos rënduar pozitën e aleatit të tij pa folur një herë drejtësia, një qëndrim i admirueshëm moral. Mirëpo ky standard i Kryeministrit është i vlefshëm edhe shumë i rëndësishëm në raport me elektoratin. Berisha e ka pothuaj të pamundur t’u kërkojë votuesve të votojnë një aleancë apo koalicion me “të pandehurin Mediu” si partner publik, politik e elektoral. Nëse kjo do të ndodhë, kostoja e saj do të ishte një peshë sa e rëndë, aq dhe e padrejtë në shpinën e PD-së dhe krejt të djathtës shqiptare. Në pamundësinë e arritjes se një marrëveshjeje si ajo që thamë më lart, lidershipi i PD-së duhet të marrë në konsideratë mundësinë e prishjes së aleancës me PR-në. Që të jemi të ndershëm, duhet të pranojmë se “suksesi” elektoral i PR-së në 2005-n ishte një eksportim drejt saj i votave të PD-së, eksport ky i detyruar nga fenomeni “Dushku”, një nder i madh që Berisha ia bëri posaçërisht Mediut dhe PR-së. Në këtë këndvështrim, nuk është se Berisha i ka të domosdoshëm Mediun dhe PR-në, por gjithsesi, për të ruajtur imazhin e koalicionit, mund të ofrojë një marrëveshje që minimalisht të mos rëndojë në rezultatin elektoral të tij. Së fundi, dua të theksoj se distancomi nga “i pandehuri Mediu” do t’i hiqte opozitës çdo mundësi për të manipuluar me përgjithësimin e përgjegjësisë për Gërdecin. Nëse Edi Rama nuk ka asnjë mundësi të shkëputet apo të distancohet nga i pandehuri i tij për Gërdecin, Mihail Delijorgji, Berisha mund dhe duhet të distancohet edhe elektoralisht nga Mediu. Praktika e reagimit të Kryeministrit ndaj ish-ministrit Pango mund të ishte një qasje e mirë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›