Shokut ambasador!
Alban GURI
Shoku Ambasador, nuk na e mbushe mendjen! Megjithëse je i biri i një "luftëtari të madh", që na paska bërë "heroizmin e madh", që paska hapur derën e kampit të grumbullimit në Dakau, ti nuk ke asgjë prej strategu. As prej luftëtari. Po e vazhdoj diskutimin tim në lidhje me ty, pasi e ndjej veten të fyer teksa dëgjoj në televizion histori për kalamaj të vegjël apo për çuna lagjesh, ku protagonist je ti, apo ndonjë shok i yti në USA. Ti mor çun nuk je si ai shoku im, të cilin e kapi policia ushtarake para viteve 90-të, diku në tunelet e Krrabës. Po ta tregoj dhe historinë e tij, që ta kuptosh sa poshtë po luan me marketingun tënd dhe të Shteteve të Bashkuara. Ky miku im dhe i shumë të tjerëve, tani këngëtar i shkëlqyer rock, na shkoi ushtar. Ose më mirë të themi e morën me zor, pasi ai nuk kishte dëshirë të shkonte. I pëlqente Tirana dhe jeta që bënte në kryeqytet asaj kohe. Por pavarësisht nga dëshirat e tij, e morën. Ky tipi, ishte pak i hedhur, ose snob po ta quajmë me zhargonin e ditës. Në atë periudhë, ishte krizë e madhe mishi në Tiranë, në mbarë Shqipërinë e si rrjedhojë edhe në ushtri. Burrat kishin nevoje të hanin, që të rrinin në këmbë. Kishin nevojë për proteina që të ishin burra. Po kështu edhe ushtarët e shkretë kishin nevojë për proteina e ushqim. Por nuk kishte. Nexhmija dhe byroja politike i shisnin bagëtitë në Greqi për të mbledhur valutë, që të mbanin në këmbë sistemin e kastës së tyre, që ti mor shoku ambasador po e përkëdhel ende sot, në 2009- ën. Pra, ky tipi, sot por edhe dje artist amator, na u betua keq se nuk shtyhej më kështu. E teksa kryente shërbimin ushtarak në Qafë Krrabë, na sheh dritën e shpëtimit të tij. Në atë kohë, dimrit, çobanët e Lumës, zbrisnin me leje të shtetit, në fushat e Tiranës për të kullotur bagëtitë. Dhe ja, delet na i sheh ushtari artist, antikonformist. Me mjeshtëri të madhe, na kap dashin që printe kopenë dhe na i fut një të therur e rrjepur dhe fillon ta pjekë në hell. Sigurisht, kjo procedurë donte disa orë për t'u përgatitur. Gjatë këtyre orëve, për fatin e tij të zi, partia vigjilente, ishte ngritur në këmbë për të gjetur dashin që kish humbur, mu përpara turinjve të ushtrisë dhe gjithë sistemit të sigurisë. Ngrihet në këmbë i madh e i vogël, të gjitha strukturat speciale të sigurisë dhe rrethojnë zonën për të zbuluar armikun që kishte guxuar të sulmonte shtetin tek pjesa më e vyer që atë kohë konvertohej me valutë të huaj, tek bagëtitë. Në të gdhirë, ushtarët vigjilentë të partisë, panë se po dilte tym nga njëri prej tuneleve të Krrabës. U afruan dhe ç'të shihnin! Ushtari me uniformë, artisti i padjallëzuar, kishte futur dashin në hell, po e piqte dhe po e hante dalëngadalë i kënaqur shumë. Pa qenë nevoja për dëshminë time, po të them se e rrahën sa e bënë të vdekur aty për aty. Me pas e shoqëruan në qelitë e burgut të sigurisë së lartë, sot komisariati nr.3., rruga "Mine Peza". Aty brenda kishte lloj-lloj rrugaçi e si pasojë kodi i rrugaçëve ishte: "Mos trego!", në shenjë burrërie por edhe sfide ndaj regjimit. Ndërkohë, mbrapa krahëve, ishin të gjithë informatorë të organeve hetimore. Kështu dhe me ushtarin artist. Sapo hyri, i thanë shokët e burgut: "Çfarë ke bërë?". Ky u sqaroi situatën, por ata ia priten: "Mos trego! Kështu e kanë burrat këtu!". Dhe ushtari artist e mbajti llaf në vesh këshillën e "burrave" të burgut. Të nesërmen e thirri menjëherë hetuesi, sipas procedurës, pasi çështja e tij nuk kish nevojë për stërhollime apo hetime të mëtejshme. Ishte kapur në flagrancë dhe s'kishte pikë paqartësie në rrjedhën e ngjarjeve apo të procedurës penale. Ushtari i ri artist hyn në zyrën e hetuesit. Hetuesi e fton të ulet dhe menjëherë i thotë: "Ju jeni filani?". "Po"- i përgjigjet ushtari. "A keni gjë për të shtuar në lidhje me ngjarjen?". Ushtari artist, pak snob por edhe naiv e i pamësuar me këto situata, kujtohet për porosinë e shokëve të qelisë që e kishin porositur të mos tregojë për asnjë arsye dhe të mbajë qëndrim prej burri. E në këtë pështjellim mendor dhe shpirtëror, përgjigjet: "Po, kam!". "Urdhëro!" - i thotë hetuesi. "S'isha un plako!". Dhe ne që e mbajmë mend këtë episod, qeshim ende sot me fenomenin e tipit të pamësuar në mafjozllëqe, që reagon në çdo iniciativë të tij me mënyra groteske. Kjo shprehje m'u kujtua dje shoku ambasador, kur dëgjova të gjitha kanalet televizive që flisnin për ty, si personi që duhej shpëtuar patjetër nga një barrë e madhe siç ishte akuza për bashkëpunim apo dijeni mbi aferat tmerrësisht korruptive dhe antinjerëzore të çështjes Berisha-Mediu-Diveroli. Shoku yt në Departamentin e Drejtësisë paska dalë e paska thënë, se ti nuk di gjë. Edhe Berisha kështu na mallëngjeu të gjithëve, duke thënë se s'dinte gjë. Se ia kishin bërë mbrapa krahëve. Por në fakt nuk ishte e vërtetë. Të gjithë e morëm vesh se i gjithë kabineti qeveritar ishte shumë mirë i informuar mbi këtë çështje idiote dhe qesharake, që kishte për synim vetëm paratë dhe korrupsionin. Dua t'u kujtoj se edhe ju dini çdo gjë mbi këtë vend. Edhe guvernatori USA, që rri gjithnjë në krah të Berishës di çdo gjë, sidomos me gjëra që kanë lidhje me sigurinë dhe armatimet. Ju plasi patatja në dorë të gjithëve mor shoku ambasador. Ishte ndëshkim për marionetat tuaja, që ju mbështesni me pushtet dhe me para. Por ishte ndëshkim edhe për ju, enturazhin amerikan në Shqipëri, për mentalitetin tuaj "pragmatist", që ka gjithnjë lidhje vetëm me paratë dhe bën çdo gomarllëk në emër të tyre. Më vjen për të qeshur dhe për të qarë në të njëjtën kohë shoku ambasador, ore njeriu me "merita të mëdha", për nga ngjyra e lëkurës besoj, mbështetur nga Kondi Rais si "superstrateg për Ballkanin"...por edhe pse je djali i "luftëtarit të paepur" që pati meritën e madhe se hapi derën e kampit. Të gjitha i kuptoj shoku ambasador. Kuptoj gjeopolitikën, supremacinë amerikane në botë, bizneset edhe me armatimet ushtarake. Kuptoj edhe hegjemoninë që ambasadorët amerikanë duan të vendosin në vendet ku janë akredituar. Por ajo që nuk e prisja fare, ishte të dëgjoja edhe njëherë pas gati 24-25 vjetësh, shprehjen dhe situatën idiote: "S'isha un plako!"
Kështu më tingëlloi shfajësimi juaj me deklaratën për media.
p.s.
Nuk tha njeri që ishit ju, por jam i bindur, unë dhe shumë të tjerë se ju e dinit shumë mirë se ç'po kurdisnin marionetat tuaja në Tiranë e në Gërdec, vetëm se nuk e prisnit t'ju plaste patatja në dorë. Po flas me hidhërimin që ndjej për ata që humbën jetën, për ata që humbën të dashurit, për ata që humbën bizneset apo bukën e përditshme. Po flas edhe si njeri që nuk i pranon lehtë kalamanllëqet dhe talljet publike për çështje kaq serioze. Nuk ishe ti ai që do ta nxirrte Shqipërinë nga balta siç tha Kondi Rais. Ishte gënjeshtër. Mësuesja të paska mbajtur gjithmonë me hatër mor plak! Kjo situatë me kritika ndaj jush nuk është aspak personale. As edhe antiamerikane. Është vetëm pak ... por pak... do thoja çështje dinjiteti njerëzor, politik dhe shoqëror. Mos na shisni sapunin për djathë edhe ju që vini me super rekomandime nga përtej oqeanit, se boll kemi defiçentët tanë. Është mbushur kupa shoku ambasador për këto lloj politikash meskine dhe mashtruese këtu, ku lulëzon korrupsioni dhe injoranca e figurave politike që ju zgjidhni për të qeverisur vendet në tranzicion.
Me fal për sinqeritetin.