E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besimet popullore dhe bashkëjetesa e tyre me ditët tona



Nga Alma Dema

Njeriu, si qenie komplekse dhe në bashkëveprim të pandërprerë me të gjithë ato qenie të tjera me të cilët përpjeston mjedisin, e ka ngritur mbretërinë e tij, që në kohët primordiale, mbretëri e cila ka funksionuar si e tillë, duke u mbështetur fort në disa kode e ligje që ata i kanë quajtur thjesht dhe kuptueshëm: besime popullore. Ndryshe, ky togflalësh, do të përkufizohet si sasia e veprimeve, riteve e madje edhe zakoneve që ndiqen nga një grup i caktuar popullsie apo një komb i tërë.
Pra, popullsia e të gjithë botës, e ndarë sipas kontinenteve dhe relievit, ku i është dashur të jetojë, gjallojë e trashëgojë, ka udhëtuar deri në ditët tona, duke “u kavardisur me vajin e vet” e sigurisht duke u bërë pjesë e duke bërë pjesë të vetes me të njëjtin intensitet si ushqimin dhe veshjen, mitin. Këtë lloj bashkëudhëtimi dhe shkëmbimi të ndërmjetëm, më shumë sesa nevojë e ka ndier si domosdoshmëri, sepse pa mitin, çdo kulturë e humbet karakterin e saj të gjallë krijues, humbet forcën e vet të natyrshme sepse horizonti i artit hapet vetëm përmes mitit: është ai që e bën të jetë një, të jetë unik”
Kështu, nëse do të linim paksa mënjanë modernizmin e skajshëm e të pashmangshëm të shekullit XXI, do të futeshim në një diskutim të hapur, ku termin “të pashmangshëm”, do ta justifikonim me faktin se e sotmja krahas të këqijave (besimet popullore e bashkë me të miti, nuk janë më pjesë e jetës së përditshme), ka edhe të mirat e saj, sigurisht, kur vë në punë logjikën e ftohtë.
Besimet popullore, që çdo komb i mbart në ndërgjegjen kombëtare, si simbole të tij, variojnë nga njëra periudhë në tjetrën e nga njëra krahinë në tjetrën. Jam e detyruar të shprehem me emërtesën toponimi krahinë, sepse ato (besimet popullore), ndër shekuj kanë qenë - edhe mund të jenë - karakteristikë vetëm e fshatrave. Kësaj pike, do t’i rikthehemi sërish më vonë. Por, nga ana tjetër qëndron edhe teza tashmë e provuar nga shumë studiues të fushës, se këto besime kanë migruar e janë bërë pjesë e pandarë edhe e kulturave dhe qytetërimeve te ndryshme, janë apo kanë asimiluar këto të fundit, sepse sado me fanatizëm t’i konservosh, nuk është e lehtë të shartosh një mit të huaj me tëndin, pa dëmtuar bimën amë, ndodh që druri të jetë aq i fortë dhe i shëndetshëm, saqë s’kalon shumë dhe e largon të huajën nga vetja, por si rregull, ajo vetë fishket e thahet, vdes.
Kështu, shumë mite apo besime popullore, që në kohën e Ilirisë, ekzistonin si cilësi e veprimtari të Ilirëve, shumë shekuj më vonë, janë prekuar si pjesë e një popullsie apo qytetërimi tjetër.
Le t’i referohemi Ditës së Verës, paganizmit të saj dhe besimeve popullore që qarkullojnë rreth saj dhe personazheve plotësues.
Kur kremtohet Dita e Verës, në vendin ku kjo është traditë, rikthehen zogjtë shtegtarë nga vendet e ftohta, e bashkë me këto zogj rikthehen edhe dallëndyshet, lejlejët dhe qyqet. Për dy kategoritë e para, ndërtimi i foleve nga ana tyre, pritet me gëzim nga banorët e shtëpive, ku ata ngrenë strehën, sepse mendohet se prania e tyre parandalon fatkeqësitë dhe rreziqet, duke sjellë gëzim dhe mbarësi jo vetëm në banesa të veçanta, por edhe në të gjithë fshatin a thua se dallëndyshet e lejlekët nuk vijnë nëpër qytete?
Zogu i cili pritej më shumë padurim – më mirë të them të dëgjohej, sepse është shumë e vështirë të shihet – është qyqja, sepse zëri i saj lajmëronte largimin përfundimtar të dimrit dhe ardhjen e pranverës, kështu që fshatarët, mund të mbillnin tokat e tyre e të bënin punët që i takojnë stinës së pranverës. Zëri i saj, më shumë sesa lajmëtar i “mundjes” së dimrit nga ana e pranverës dëften kohëzgjatjen e kësaj të fundit dhe takimin me stinën e verës, sepse besohet se ajo nis të këndojë më 22 mars (ardhja e pranverës sipas bektashinjve – Nevruz ose Nevlud) dhe pushon së kënduari, pra, këndon për herë të fundit, më 24 qershor (ardhja e verës sipas fesë ortodokse – lindja e Gjon Pagëzorit).
Por jo vetëm kaq, ky zog kaq mistrec dhe aspak e lindur me instiktin e mëmësisë , ka një detyrë shumë të rëndësishme, të ruajë kufijtë mes dy stinëve e sidoqoftë, kjo detyrë, pranohet me bestytni nga njerëzit. Kështu vajzat, dikur, sapo dëgjonin zërin e qyqes, bënin një nyje të vogël në cepin e shamisë që e kishin në kokë ose të lidhur në brez dhe e ruanin këtë nyje tre ditë. Pastaj e zgjidhnin dhe shikonin se mos kishte brenda polen lulesh ose bënin verore rreth dorës së majtë, dorë ku ndodhet edhe gishti i unazës, për të pritur fatin e mirë, fat që dëshirohej e aderohej të vinte ashtu si vinte pranvera, sepse pranvera pranohej si stina që ndizte shpresat e dashurisë. Kështu festa e Ditës së Verës, dikur, në disa krahina pritej me këngë të posaçme rituale që në kontekstin e tyre flisnin për dashurinë, këngë të cilat i këndonin vajzat në moshë të dashurisë apo në moshë për t’u martuar e për të krijuar familje. E gjatë këtyre festimeve mendohej se merrnin pjesë edhe vajzat mitike, por që s’kishin moshë e që ishin shtojzovallet (Shtojua o Zot vallet!). Në këtë pikë, interferon miti në hapësirën e artit edhe pse pagan.
Ashtu si ktheheshin zogjtë nga shtegtimi dhe me kthimin e tyre zgjonin tokën dhe banorët e tyre, ashtu edhe zanat apo shtojzovallet ktheheshin nga aty ku kishin kaluar dimrin dhe zgjonin burimet, pyjet, lëndinat, grykat e maleve, majat e pemëve duke bërë kështu që gjithçka të zukasë, tashmë, rreth këtyre figurave që sipas besimeve popullore, drejtonin dhe udhëhiqnin jetën e tokësorëve.
Besimet popullore janë të shumta dhe të shumëllojshme. Ata prekin dhe përfshijnë çdo pjesë të jetës sado e vogël apo e parëndësishme të jetë. Ata rregullojnë e sistemojnë çdo veprimtari jetësore, që nga lindja e deri në vdekje, që nga vdekja e deri në pasvdekje. Vendosin në mënyrë korrekte dhe shumë strikte raportet dhe kufijtë mes botës së gjallë dhe të vdekur, mes asaj që shihet, kuptohet, argumentohet e madje edhe asaj që nuk shihet, merret si e mirëqenë, nuk guxohet të diskutohet e kush provon të tentojë ta shohë, bashkohet me atë botë.
E gjithë kjo filozofi e cila qëndron në taban të kulturës së çdo populli, e që rregullonte, qartësisht, jetën shekuj e shekuj më parë, është tërhequr, edhe përdhunshëm, deri në ditët tona, por duke qenë se kjo lloj veprimtarie merrte frymë në zonat fshatareske e kryesisht malore (nuk është thënë e nuk është dëgjuar ndonjëherë se zanat gurësuan një palë qytetarë e madje në ato forma primordiale të njerëzimit nuk mund të thuhet as se ekzistonin qytetet) në ditët tona këto vendbanime e skena gjigande të shfaqeve të tilla, me keqardhje ose nuk ekzistojnë më ose janë zvogëluar në minimum.
Duke dashur ta prek pak më poshtë më konkretisht këtë pikë, do të doja të ndaloja një moment te Migjeni, i cili në gojën e malësorit vë mallkimin-shprehje: “Mos e shkel he të shitoftë Zana!”, mallkim i cili mund të kishte atë impakt me të cilin e prezanton Migjeni, vetëm në ato anë e vetëm në ato vite. Nuk më ka rastisur ta lexoj diku tjetër më vonë apo më herët një mallkim të tillë me personazh të përveçëm (si në rastin konkret Zana) edhe pse malësori i Malësisë së Dukagjinit ka hyrë e ka dalë në shumë shkrime të shkrimtarëve të tjerë e ndoshta edhe në situata më ekzistenciale sesa aty!
Le të mbetemi tek rrjedha e diskutimit tonë, pra tek ekzistenca dhe bashkëekzistenca e besimeve popullore dhe mitit në ditët tona.
Thuhet e besohet se çdo shtëpi ka gjarprin e saj, që e mbron nga të këqijat e përditshme apo edhe nga mallkimet e fatkeqësitë që mund t’i vinin shtëpisë dhe familjes nga çdolloj mënyre, besim i cili ka lëvizur nga njëra krahinë në tjetrën e ka marrë vulën e vendit, d.m.th është quajtur e etiketuar sipas vendit ku besohet.
A mund të thuhet se kjo është e vërtetë edhe për shtëpinë time e cila përbëhet nga dy kate e ku jetojnë dy familje? Vërtet edhe këtu ndodhet gjarpri mbrojtës, po pse vetëm një, a nuk thashë se jetojnë dy familje? E nëse është kështu si bashkëjetojnë këto dy qenie të çuditshme, që nuk di përse quhet të mirë? Po familja e shoqes time, e cila banon në kat të katërt të një apartamenti 5-katësh a ka një gjarpër-mbrojtës dhe ku qëndron ai?
Përpara se pyetjet e mia të quhen fëminore, do të doja të diskutoja një tjetër besim popullor që ka lidhje edhe me ëndrrat (thamë që besimet popullore rregullonin çdolloj mekanizmi të jetës): Kur ëndërrohet ujë, duhet me patjetër që të nesërmen sapo të zgjohemi, duhet bërë një banjo e vakët gati e ftohtë, duke shtuar pak kripë në ujë. Ky veprim, do të parandalojë fatkeqësinë që parashikohet në ëndërr. Në rregull deri në këtë moment, por ku do ta hedhim kripën?
Nuk po vazhdoj më tej me pyetjet dhe komentet, sepse është shumë e qartë se kjo bestytni, besim popullor apo mit, çfarëdo qoftë nuk mund të ekzistojë më në ditët e sotme e aq më pak të bashkëjetojë.
Të mbash lugën në dorën e majtë, sjell ters, - besohej njëherë e një kohë e pyetja e vetme që më vjen natyrshëm në këtë rast është: A nuk kishte mëngjarash atëherë?
Shumë e shumë rite, zakone mënyra të të jetuari e mentalitete, që fortuna e modernizmit, shpejtësia me të cilën rrjedh jeta, gërshetimet e mentaliteteve dhe kulturave, sëmundjet e pashërueshme, shpikjet e shekullit, e mbi të gjitha shpërndarja e popullsisë e braktisja e fshatit, më shumë sesa zhvillim ekonomik, kanë vështirësuar bashkëjetesën, kanë çorientuar simbolet kombëtare , kanë vënë në diskutim ndoshta edhe vetë ekzistencën e kombeve.

4 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›