Rrufeja dëmton rrjetin kompjuterik, bllokohet puna në Kapshticë
KAPASHTICË - Dëmtimi i rrjetit kompjuterik nga rrufeja dje çoi në pezullimin e lëvizjeve në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pika kufitare e Kapshticës është përballur me probleme të papritura. Rreth orës 18:30 të së hënës rrufeja dëmtoi një nga antenat e sinjalit kompjuterik. Kjo bëri që të krijohen radhë të gjata në pikën kufitare. Menjëherë pala shqiptare kërkoi takim me palën greke. Sipas komandantit të pikës kufitare të Kapshticës, Dritan Shema, defekti teknik ka ndodhur pas një shtrëngate shiu në pikën greke të kalimit. Sipas tij, puna është ndërprerë pasi nuk ka sinjal kompjuterik si për hyrjet, ashtu dhe për daljet nga shteti fqinj. Mësohet se situata ka qenë më problematike në anën greke, ku radha arriti deri në 1 kilometër. Gjithashtu, edhe disa autobusë të linjave të përditshme me Greqinë kanë mbetur bashkë me udhëtarët e tyre në kufi deri në rikthimin e punës të kompjuterëve grekë.
Po dje rrufeja i mori jetën një gruaje 35-vjeçare nga Berati. Floresha Qorri (nënë e dy fëmijëve) ishte duke punuar në arë, kur vdiq si pasojë e goditjes nga rrufeja.
(d.b/BalkanWeb)