E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, trashëgimtarët: Duam 20 milionë lekë për çdo viktimë

Familjarët e viktimave i kërkojnë dëmshpërblim Ministrisë së Mbrojtjes

Trashëgimtarët ligjorë të viktimave të Gërdecit i kërkojnë Ministrisë së Mbrojtjes dëmshpërblim për dëmet që u shkaktoi tragjedia e 15 marsit 2008 nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve. Kreu i Shoqatës së Gërdecit, Feruzan Durda, bëri me dije se kërkesa iu dorëzua Ministrisë së Mbrojtjes me shpresën se ky dikaster do t’i zhdëmtojë me 20 milionë lekë për çdo viktimë. “Do të kërkojmë nga 20 milionë lekë të reja për çdo viktimë. Kërkesa jonë është e bazuar në ligj dhe presim një përgjigje brenda 30 ditësh”, tha Durda. Nëse kërkesa nuk merret parasysh, atëherë Shoqata e Viktimave të Gërdecit do t’i drejtohet me të njëjtën kërkesë gjykatës.

Objekti i kërkesës është: Shpallja si të paligjshme e akteve të ish-ministrit Mediu, si dhe dëmshpërblimin në një vlerë sa më dinjitoze të dëmeve të shkaktuara nga këto akte të paligjshme. “Kjo e drejtë që na buron nga Kushtetuta, dhe për saktësi nga neni 44 i saj, nuk është përmbushur ende nga organet shtetërore përgjegjëse”, deklaruan dje drejtues të Shoqatës së Viktimave të Gërdecit. Sipas tyre, ministri aktual i Mbrojtjes ka në tavolinën e tij kërkesën, ku madje i bëhet edhe thirrje që ta marrë seriozisht atë në emër të së drejtës dhe shtetit ligjor.

Kërkesa u dorëzua nga kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit, Feruzan Durda, i cili deklaroi edhe një herë se të dëmtuarit janë të vendosur për të mos reshtur përpjekjet, duke u dhënë mesazhin politikanëve aktualë, por edhe atyre që do të vijnë më vonë, se familjarët e viktimave nuk do të rreshtin së kërkuari drejtësi deri në fund, deri sa të zbardhet e vërteta dhe zhdëmtimi të bëhet deri në qindarkën e fundit. “Historia e gjyqeve të zhvilluar deri tani nuk ka treguar se ligji mund të jetë sovran në këtë vend. Refuzimi i kërkesave të familjarëve, të cilët janë viktimat e vërteta të këtij shpërthimi, ka treguar se shteti nuk ka interes ta çojë drejt zgjidhjes këtë ngjarje kaq të dhimbshme. Sidoqoftë ne kemi treguar se kjo indiferencë nuk do të na ndalë në rrugën tonë dhe do ezaurojmë çdo mjet të mundshëm ligjor. Ne do të tentojmë që nga fatkeqësia jonë të ndërtohen institucionet. Institucionet do të vendosen para presionit të vazhdueshëm deri sa të realizojnë detyrën e tyre, detyrë për të cilën edhe paguhen”, vijoi Durda.

Nga ana tjetër, avokati Dorian Matlija deklaroi se kjo kërkesë administrative është një hap përpara dërgesës së saj në gjykatë, një hap ky i detyruar nga ligji. Kërkuesit përfaqësojnë pjesën dërrmuese të viktimave, duke pritur që në këtë nismë të bashkohen edhe të tjerët. Në vijim, nëse Ministria e Mbrojtjes nuk do e konsiderojë të mbështetur kërkesën e tyre, gjykatat shqiptare e më pas ajo e Strasburgut do të investohen për të siguruar drejtësinë e mohuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›