Gërdeci, ushtarakët: Transporti i municioneve rrënoi buxhetin e Ushtrisë
Laureta Rryçi
Prokuroria ka nisur të sjellë në procesin gjyqësor të Gërdecit dëshmitarët e saj për të provuar shkeljet me karakter ekonomik që janë kryer nga Ministria e Mbrojtjes. Dëshmitarët e radhës, ushtarakë të rangut të lartë dhe të mesëm, deklaruan se të gjitha shpenzimet e transportimit të predhave të kalibrave të ndryshëm drejt punishtes së Gërdecit janë mbuluar nga fondet e Ushtrisë shqiptare. Në deklarimet e tyre ushtarakët thanë se, në bazë të urdhrave të dhënë nga Ministria, shpenzimet edhe të karburantit, apo edhe të fuqisë punëtore të ngarkim-shkarkimit duhet të mbulohej nga kompania shtetërore “MEICO”, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar. Por, ashtu siç doli nga dëshmitë, në asnjë rast nuk ishte bërë asnjë mbulim i shpenzimit për ndonjë prej këtyre zërave. Firma “MEICO”, më pas, këto shpenzime, që vetëm për karburantin arrinin në 750 milionë lekë, duhet t’ua faturonte kontraktorëve me të cilët po kryente edhe biznesin në fjalë. Ushtarakët që dëshmuan në procesin e radhës deklaruan se deri në momentin që ndodhi shpërthimi, ushtria nuk mori asnjë pagese për shpenzimet e kryera, edhe pse çdo transport kryhej me automjetet dhe karburantin e saj.
Shpenzimet
I gjithë transporti i municioneve për llogari të MEICO-s, që demontoheshin nga Albademil është përballuar nga ushtria me një urdhër të posaçëm nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Detajet e veprimtarisë së fabrikës së demontimit, para se të shpërthente më 15 mars 2008, u dhanë dje para trupit gjykues nga ish-zëvendëskomandanti i Komandës Mbështetëse pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Albert Bora. I pyetur nga anëtarë të trupit gjykues, dëshmitari Albert Bora deklaroi se fatura e transportit e të gjitha municioneve kapte një shifër tepër të lartë si kosto për t’u përballuar nga ushtria. Nga dëshmitë u mësua se shërbimi ndaj MEICO-s dhe Albademil-it kryhej në një kohë kur rezervat në karburant të ushtrisë ishin në përfundim. Procesi gjyqësor në ngarkim të 29 të pandehurve vazhdon me pyetjen e dëshmitarëve në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës.
Në tragjedinë e 15 marsit 2008 humbën jetën 26 persona, 300 u plagosën dhe mijëra banesa e subjekte private u dëmtuan.
Dëshmia
Dëshmitari i radhës bëri me dije se transporti i municioneve bëhej nga depot e armatimeve në drejtim të fabrikës së Gërdecit për t’u demontuar me mjete të forcave ushtarake. “Urdhri 2044 i ministrit të Mbrojtjes për kalimin e municioneve MEICO-s ka dalë më 7 dhjetor të vitit 2007. Në bazë të tij, ne duhet të bënim një marrëveshje me MEICO-n për transportin e municioneve. Fatura e shpenzimeve shkonte në 75 milionë lekë. Për këtë i dërguam një shkresë Shtabit të Përgjithshëm dhe ministrit të Mbrojtjes. Nga ana e shefit të Shtabit të Përgjithshëm na erdhi një fonogram që MEICO duhet ta merrte përsipër vetë transportin me privat. Ndërkohë që nga ana e ministrit të Mbrojtjes nuk na u kthye përgjigje. Marrëveshja nuk u arrit dhe ne vazhduam të kryenim transportin, megjithëse kishim vështirësi nafte”, - dëshmoi dje ushtaraku Bora. Ky i fundit vijoi duke thënë se “ne nuk kemi pasur detyrë tjetër, vetëm transportin dhe sigurinë me Policinë Ushtarake. Transporti për në Poliçan dhe në Gramsh nuk është kërkuar pasi MEICO ishte strukturë brenda Forcave të Bashkuara. Në bazë të rikonstruktimit të Ushtrisë ne bënim përqendrimin e municioneve dhe për këtë ka pasur transport të përditshëm. Ne do të linim në depo municionet e vjetra dhe do të demontoheshin të gjitha municionet nga viti 1945 e më vonë”. Bora shpjegoi më pas se demontime të municioneve janë kryer edhe në Sinanaj të Tepelenës, demontime që nuk mund të bëheshin në fabrikën e Gërdecit. Në fund të dëshmisë së tij dëshmitari bëri me dije se me ndërtimin e fabrikës së Gërdecit ishte marrë Bardhyl Çeliku. Mësohet se përveç MEICO-s, në varësi të zyrës së tyre ishte një tjetër kompani që kishte në dispozicion fadromën, e cila merrej me hapjen e gropave për hedhjen e mbeturinave. Sipas dëshmitarit, ditën e ngjarjes fadroma është shkatërruar plotësisht, ndërsa fadromisti ka vdekur.
Box
Dëshmitari Janaq Prifti: “Eprorët i paralajmërova për shpenzimet”
Dëshmitari i dytë që ka dhënë shpjegime në lidhje me problemet që ishin hasur me furnizimin e karburantit ishte Janaq Prifti, i cili kishte pasur detyrën e ish-shefit të furnizimit në Komandën Mbështetëse. Përpara gjykatës ai bëri me dije se në korrik të 2007-s kishte vënë në dijeni komandantin e Forcës Mbështetëse, Zija Baja, se për shkak të shtimit të shpenzimeve, sasia e karburantit në bazë ishte e pakët. Dëshmitari bëri me dije se me Urdhrin Nr. 550 të ministrit të Mbrojtjes nuk ishte njohur, ndërkohë që atij i ishte vënë në dispozicion një akt-marrëveshje nga ndërmarrja “MEICO” për transportin e municioneve. Sipas tij, bëhej fjalë për municionet që ktheheshin mbrapsht kur kishin probleme, ku vetë Prifti kishte sugjeruar një specialist që të bënte vlerësimin e tyre në momentin që niseshin municionet në mënyrë të tillë që rruga të mos bëhej dy herë.
Përplasjet pas tragjedisë
Ndërsa Prokuroria hetonte mbi tragjedinë e Gërdecit, mes Shtabit të Përgjithshëm dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu ishte e lehtë të kuptohej marrëdhënia e ftohtë. Në dukje konflikti filloi atëherë kur ish-ministri Mediu deklaroi publikisht se ushtria nuk e kishte paralajmëruar për rrezikun dhe problematikën e Gërdecit. Një qëndrim i tillë publik i ish-ministrit është bërë kur Mediu ishte ende në detyrë dhe në zyrën e tij u mor në pyetje nga prokurorët Petrit Bici dhe Genci Qano. Shtabi i Përgjithshëm u kundërpërgjigj publikisht duke akuzuar se Ministria e Mbrojtjes i kishte dhënë atributet ndërmarrjes “MEICO” për gjithçka që ndodhte në Gërdec. Detyra e ushtrisë përfundonte me transportimin dhe dorëzimin e municioneve. Në këtë linjë dhanë deklarime në Prokurorinë e Tiranës e më pas në Prokurorinë e Përgjithshme të gjithë gjeneralët e thirrur nga grupi i hetimit. Ata janë shprehur se kishin zbatuar urdhrin e ministrit të Mbrojtjes, i cili pronësinë dhe administrimin e ndërmarrjes së çmontimit në Gërdec ia kishte deleguar ndërmarrjes “MEICO” bashkë me mbikëqyrjen e procesit të çmontimit. Në këtë kohë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, u pyet fillimisht në zyrën e tij dhe më pas u thirr dy herë në Prokurorinë e Tiranës. Dëshmitë e tij para prokurorëve të kryeqytetit ishin diametralisht të kundërta me qëndrimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, i cili, sipas burimeve nga dikasteri përkatës, po kalonte një marrëdhënie e komunikim “të ftohtë” me shefin e Shtabit të Përgjithshëm kohë para tragjedisë së Gërdecit.
20 Prill 2010