Klientët e bankave në dilemë për kredinë: “në euro apo në lekë?”
Ervin KOÇI
Vlera e kredive për shtëpi është bërë më e shtrenjtë gjatë këtij viti. Si të mos mjaftonte kjo, bankat private në vend kanë shtuar ndjeshëm kriteret për të përfituar një kredi të tillë, në një kohë që qytetarët vazhdojnë të kenë fare pak informacion për interesat, komisionet, apo procedurat e tjera. Çdokush që drejtohet të marrë një kredi për të blerë shtëpi është vënë para dilemës, ta marrë atë në lek apo në euro. Dy vitet e fundit bankat tregtare kanë një rekomandim të fortë sipas të cilit kredia duhet marrë në atë monedhë që klienti ka të ardhurat mujore. Nga ana tjetër sektori i ndërtimit operon me monedhën europiane. Kështu që dilema mbetet, ndonëse bankat preferojnë më shumë të kreditojnë në lekë, nisur edhe nga rekomandimet e shpeshta të Bankës së Shqipërisë për stimulimin e kreditimit në monedhën vendase. Atëherë si të veprojë klienti? Duke parë tregun mund të marrim një zgjidhje. Por në serinë e krahasimeve që kemi bërë me bankat tregtare, vërejmë se të marrësh kredi në lekë, është shumë më shtrenjtë se të marrësh të njëjtën sasi parash në euro.
Përllogaritja
Konkretisht nëse merr 100 mijë euro në bankën “Intesa San Paolo” kësti i kredisë është 868 euro. Nëse vlerën ekuivalente me një kurs 138 lekë për euro e merr në lekë pra 138 milion lekë të vjetra kredi atëherë kësti është 1.575 000 lekë të vjetra, ose e konvertuar me të njëjtin kurs 1136 euro. Diferenca 268 euro është ajo që klienti e humb çdo muaj nëse kredinë e merr në lekë. Në “Tirana Bank” kësti i kredisë në euro rezulton 900 euro në muaj ndërsa vlera ekuivalente në lekë është 1.623 800 lekë të vjetra, ose e konvertuar është 1171 euro. Diferenca këtu është 271 euro. Me të njëjtat përllogaritje rezulton se në “Raiffasen Bank” dhe në “BKT” diferencat mes kësteve janë përkatësisht 224 euro dhe 138 euro. E theksojmë se diferencat janë humbje për klientin, thjeshtë për faktin nëse kredinë e merr në euro apo lek. Nisur nga kjo, rekomandimi i fortë që kredia të merret në lek me gjuhën e tregut, bie poshtë. Shkaqet se përse kredia në lek është më e shtrenjtë janë shumë. Por ajo që bankat nuk ua thonë klientëve të tyre është se çfarë ndryshimesh kanë kreditë në monedha të ndryshme. Madje ato vetëm në këtë rast kanë qenë strikte në zbatimin e rekomandimit të bankës qendrore. Arsyeja është e thjeshtë, fitojnë më shumë nëse kreditojnë në lek.
A duhet marrë kredi tani?
Ndryshimet në tregjet financiare kanë shkaktuar pasiguri të madhe. Po ashtu, edhe zhvillimet në ekonomitë e brendshme kushtëzojnë marrjen e huas. Në vendin tonë gjërat duken më optimiste sipas statistikave të brendshme apo ato të institucioneve financiare ndërkombëtare. FMN-ja, BERZH-i dhe BB kanë rishikuar edhe një herë ritmet e rritjes ekonomike vjetore për Shqipërinë, duke e çuar në masën 3 për qind. Duke parë ndryshimet e vazhdueshme të kursit të lekut me euron, dhe paqëndrueshmërinë e vendeve të punës, çdo kush heziton për të marrë një kredi. Po ashtu, një dilemë e madhe është nëse kredia duhet të merret në euro apo në lekë. Në një perspektivë afatgjatë, kur pritet që brenda 5 apo dhjetë vjetësh Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, një kredi në euro për çdo klient do të ishte e favorshme. Por kush duron deri atëherë? Gjërat janë më të sigurta në një perspektivë afatshkurtër ose afatmesme nëse merr një kredi në lekë. Përtej këtyre dilemave ka edhe sugjerime për klientët nga këshilluesit e mirë të bankave. Tani për tani ekspertët këshillojnë që të mbajnë fort të ardhurat që kanë siguruar; po ashtu, të mos bëjnë këmbime nga njëra valutë në tjetrën. E njëjta praktikë sugjerohet edhe në rast se do të marrësh një kredi. Ndonëse Banka Qendrore e uli normën e interesit për herë të dytë brenda një periudhe 1-vjeçare, kjo nuk po reflektohet me ulje të normave të interesit në lekë. Kjo po ndodh për shkak të pasigurive që kanë edhe vetë bankat. Prandaj, disa ekspertë sugjerojnë që të pritet një kohë më e mirë. Kjo nuk i pengon të guximshmit dhe të suksesshmit në biznes apo punë që të marrin kredi edhe në këto momente.
TABELA//////////////////////////////////////////////
Kredia 100 000 euro (ekuivalent 138 milionë lekë vj)
Afati i kthimit 20 vjet
Kursi 1 euro = 1.380 lekë (vj)
Banka Kësti kredi E Kësti kredi L Difererenca
INTESA SP 968 1136 268
Tirana BANK 900 1171 271
Raiffasen 850 1074 224
BKT 847 985 138
BOX//////////////////////////////////
Remitancat, emigrantet ngushtojnë xhepat
Kursimet e emigrantëve shqiptarë janë 5.2 herë më të larta se paratë që ata dërgojnë në Shqipëri. Studimet tregojnë se shqiptarët kursejnë të paktën 2 herë më tepër se emigrantët moldavë dhe boshnjakë që punojnë në perëndim dhe këto para nëse do të thitheshin nga qeveria shqiptare do të kishim rritje të remitancave në vend. “Kriza mund të zgjasë edhe një ose e shumta dy vjet dhe atëherë duhet të shohim çfarë duhet të bëjmë me këto remitanca. Duke u bazuar në një hipotezë, që emigracioni shqiptar është rreth 1.2 milionë, në vendet kryesore pritëse, dhe duke marrë një numër prej rreth 404 mijë familjesh ne emigrim, rezulton që këto kursime gjatë vitit 2008 kanë qenë rreth 3.5 miliardë euro, pra është një shumë jashtëzakonisht e lartë. Kjo shifër është thuajse 5 herë më shumë se sa janë dërgesat e remitancave në vendlindje. Sikur nëpërmjet sistemit bankar, ose nëpërmjet një bashkëpunimi të sektorit publik dhe privat, një pjesë do të investoheshin apo do të futeshin në vendlindje, atëherë do të kishim një ndryshim cilësor rreth përbërjes së remitancave”,- u shpreh Ilir Gedeshi, drejtor i Qendrës së Studimeve Ekonomikë Sociale. Rritja e dërgesave monetare nga emigrantët është shumë e rëndësishme për një vend si Shqipëria, ku remitancat zënë 9- 22 për qind të GDP-së. Studimet në vite kanë treguar se një familje e varfër nga një jo e varfër dallon nga fakti nëse merr ose jo remitanca. Ulja e tyre pas vitit 2007 ku në Shqipëri janë futur 1/3 miliardë dollarë ka ndikuar në rritjen e varfërisë. Por kriza ekonomike ka bërë që12 për qind e emigrantëve shprehen se mund të kthehen në Shqipëri. Ata kërkojnë ose të hapin një biznes ose të gjejnë një vend pune.
Skemat e mikrokredive, më fitimprurëse se sa kreditë e bankave
Skemat e mikrokredisë e kanë përballuar me shumë sukses krizën financiare madje ato, ndryshe nga bankat kanë rezultuar me fitim. Pavarësisht krizës ekonomike që shoqëroi vitin 2009, institucionet e mikrofinancës kanë vijuar t’i japin mbështetje me kredi sektorit të fermerëve. Duke qenë se bankat e kanë tkurrur konsiderueshëm masën e kredisë për bujqësinë, për fermerin zgjidhja e vetme janë institucionet e mikrofinancës, që marrin mbështetje nga organizmat ndërkombëtare. Zana Konini, kryetare e bordit të Unionit Kursim-Kredi thotë se kjo është e lidhur me mënyrën se si punojnë këto skema. "Ne do të vazhdojmë të zgjerojmë shtrirjen gjeografike të unionit në fshatrat dhe zonat e reja. Këtë vit në do të kalojmë 1 mije, numrin e fshatrave ku operojmë, nga tre mijë që janë në gjithë Shqipërinë. Do të forcojmë disiplinën financiare, do të rrisim aktivitetin e kredisë",- tha Konini. Në vitin 2009, Unioni që është lider në financimin e fermerit shqiptar e shtriu aktivitetin ne 200 fshatra tjera nga rrethet Pogradec dhe Malësi të Madhe. Kjo ka bërë që në skemë të përfshihen 28 mijë anëtare prej të cilëve 18 mijë janë klientë aktivë. Këtë vit priten zgjerime të tjera. Unioni kryen aktivitet në 16 rrethe të vendit. Ai ka një portofol kredie prej 3.9 miliardë lekë dhe depozita në vlerën e mbi 1.1 miliardë lekëve.
Kasat fiskale, ligji për pajisjen ndryshon sërish
Në një kohë kur administrata tatimore ka nisur një fushatë të ashpër gjobash ndaj bizneseve që nuk pajisen me kasa fiskale, qeveria ka ndryshuar sërish vendimin për këto aparatura duke shtuar paqartësinë tek tatimpaguesit. Ata që e kanë vendosur këtë pajisje u duhet ta ndryshojnë përsëri atë. Përfaqësues të administratës tatimore thonë se në këtë proces biznesi që është pajisur një herë me kasë nuk ka detyrim të paguajë sërish.
Renald Rista, Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit në Drejtorinë e Tatimeve, thotë se, “biznesi ka detyrim që një herë në 6 muaj të kontrollojë kasën për elementet teknik. Gjatë këtij kontrolli rutinë kompania e autorizuar për kasat duhet të ndryshojë aparaturën, gjë që nuk shoqërohet me kosto shtesë për biznesin”. Aktualisht janë rreth 11 mijë biznese në të gjithë vendin që i kanë vënë kasat dhe tashmë duhet t’i zëvendësojnë ato. Por ndryshimi i përsëritur për kasat argumentohet si nevojë për të forcuar më tej elementet e sigurisë, në mbajtjen e të dhënave. Rista sqaron më të tej se, kasat aktuale të instaluara linin vend për abuzime me të dhënat, ndaj doli si domosdoshmëri ndryshimi i vendimit të qeverisë. Muaji qershor i këtij viti është afati i fundit që biznesi i vogël të pajiset me kasa fiskale. Përfundimi i këtij procesi do të evidentonte saktë xhiron reale të biznesit, e për rrjedhojë do të shmangte abuzivizmin e tatimeve në nxjerrjen e detyrimeve.
20 Prill 2010