E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ekonomisë, miraton kredinë 50 milionë euro për rrugët



Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka miratuar marrëveshjen e kredisë me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit të rrugëve në vendin tonë. Bëhet fjalë për një hua me vlerë 50 milionë euro, e cila do të merret me interesa tregu për një periudhë 15-vjeçare, ku 3 vitet e para janë pa pagesë principali. Projekti për rrugët rurale arrin në total vlerën e 300-400 milionë dollarëve. Ai bashkëfinancohet nga BERZH, Banka Europiane e Investimeve, qeveria shqiptare dhe disa donatorë të tjerë. Projekti parashikon ndërtimin e 1000-1500 kilometrave rrugë rurale në Shqipëri, çka do të përmirësojë cilësinë e jetesës së banorëve të këtyre zonave.

Memorandum mes Dhomës së Tregtisë dhe Akademisë së Shkencave

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë nënshkruan një memorandum dypalësh bashkëpunimi. Marrëveshja ka si qëllim vendosjen e raporteve të bashkëpunimit mes dy institucioneve në drejtim të shkëmbimit të informacionit, organizimit të aktiviteteve të përbashkëta promovuese dhe shkencore. Një tjetër pikë për të cilën palët kanë rënë dakord ka qenë edhe ajo e realizimit të studimeve shkencore që do të jenë në interes të biznesit shqiptar në kuadër të zhvillimeve aktuale të ekonomisë shqiptare.

SHBA, gjobë rekord për “mbretin” e makinave japoneze

Gjiganti japonez i prodhimit të makinave ka pranuar që të paguaj një gjobë prej 16.4 milionë dollarësh Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kjo për shkak se kompania iu përgjigj me vonesë klientëve në lidhje me problemet që i dolën automjeteve të saj. Kjo është gjoba që kompania Tojota do të paguajë, pasi u shpall fajtore për fshehjen për katër muaj të defekteve në frenat e disa mjeteve të saj. Lajmin e ka bërë të ditur një funksionar i Ministrisë Amerikane të Transportit. Ky është sanksioni më i lartë i vendosur ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara ndaj një kompanie automjetesh.

20 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›