METE: Shkarkimet në Drin të kontrolluara, nuk ka rrezik përmbytjesh
Ervin KOÇI
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka përsëritur dje sërish deklaratën se, situata e prurjeve të ujit në HEC-et e vendit për shkak të sasisë së madhe të reshjeve të shiut që kanë rënë gjatë ditëve të fundit, është nën kontroll. Në një konferencë për shtyp, Zëvendësministri i Ekonomisë, Leonard Beqiraj, tha dje se, grupet e ekspertëve vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe se deri tani nuk paraqiten rreziqe për përmbytje. "Shkarkimet e ujit do të vazhdojnë nga kaskada e Drinit sipas kritereve që përcakton rregullorja teknike duke garantuar sigurinë e këtij procesi”,- deklaroj Beqiraj. Sipas tij, me 750 metër kub ujë shkarkime, nuk ka rrezik përmbytjesh të zonës së Nën-Shkodrës.
Zëvendësministri Beqiraj tha se, kushtet hidrike po favorizojnë prodhimin intensiv të energjisë elektrike me rreth 30 milionë kë/h në ditë dhe në eksport, 17 milionë kë/h në ditë dhe theksoi se ky regjim do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vazhdim.
Situata
Ministria e Ekonomisë, ka thënë se po ndjek me vëmendje situatën hidrike në kaskadën e lumit Drin, ku prurjet janë rritur ditët e fundit për shkak të reshjeve të shiut. Ky dikaster siguron banorët e zonave se nuk ka rrezik përmbytjesh të reja në zonën e Shkodrës dhe Nën-Shkodrës. Për këtë situatë u mblodh dje edhe Komisioni i Posaçëm në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me kërkesën e Sekretariatit Teknik të shkarkimit të kuotave pranë Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Mbledhja e Komisionit të Posaçëm u drejtua nga zëvendësministri i Ekonomisë, Leonard Beqiri, i cili informoi opinionin publik mbi të dhënat në Hidrocentralin e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. “Duke iu referuar situatës, të cilën Sekretariati dhe Komisioni po e mbajnë nën vëzhgim dhe po e monitorojnë që nga data 15 prill, kur prurjet kanë arritur në nivelin 1400 m3/sek dhe ne filluam shkarkimet, dua të them që kjo situatë është jo për t’u cilësuar alarmante, por për t’u mbajtur nën vëzhgim dhe monitorim të vazhdueshëm. Grupi i posaçëm që është mbledhur ka për qëllim monitorimin dhe menaxhimin e kësaj situate”,- u shpreh zëvendësministri i Ekonomisë.
HEC-et
Për sa i përket gjendjes në kaskadën e lumit Drin, METE informoi se, deri në orën 11:00 të paradites së të hënës 19 prill 2010, kuotat në liqenin e Fierzës ishin 296.46 m, prurjet 900 m3/sek dhe po punohej me kapacitet të plotë 460 MW/h. Në Koman kuotat ishin në nivelin e 174.22 metrave, prurjet 380 m3/sek dhe po punohej me kapacitet të plotë 600 MW/h. Ndërsa në Vaun e Dejës kuotat ishin në nivelin e 75.08 metrave, prurjet 100 m3/sek dhe po punohej me kapacitet të plotë prej 250 MW/h. Që prej mesditës së djeshme, në Vaun e Dejës po shkarkohen 750 m3/sek nga portat, në Koman po shkarkohen 600 m3/sek dhe në Fierzë 650 m3/sek. “Shkarkimet do të vazhdojnë derisa niveli në Hidrocentralin e Fierzës të shkojë deri në 295 m, niveli i lejuar dhe i parashikuar në Rregulloren e shkarkimit të vitit 1988. Situata është e tillë që duhet mbajtur në vëzhgim në çdo moment dhe kjo po bëhet nga Grupi i Posaçëm dhe Sekretariati Teknik. Në këto tre ditë në vazhdim parashikohen reshje të shumta. Shkarkimet do të vazhdojnë. Nuk jemi në kushte alarmante që të themi se do të ketë rrezik përmbytjeje. Çdo gjë do ta kemi në vëzhgim të plotë”,- tha Beqiri.
BOX/////////////////////////////////////////
KESH-i, po monitorojmë situatën
Reshjet e shirave kanë rritur ndjeshëm nivelin në liqenin e Fierzës duke kaluar kuotën maksimale, 296 metër. Duke iu referuar specialistëve nga hidrocentrali, mësohet se, niveli i ujit gjatë paradites së djeshme (e hënë 19 prill), është 46 cm mbi kuotën maksimale çka ka detyruar të jepet urdhër për hapjen e portave. Nga Fierza u mësua se reshjet e shirave të vazhdueshme të këtyre ditëve kanë shtuar prurjet në 1200 metër kub për sekondë, çka kanë rritur dhe nivelin e ujit. Vetëm brenda 24 orëve të fundit niveli i ujit është rritur me 20 cm. Ndërsa shkarkimet janë në nivelin e 700 metër kub për sekondë dhe bëhen me 4 turbina. Reshjet e shumta të shiut kanë rritur nivelin e lumenjve në Valbonë dhe në lumenjtë e tjerë që kanë derdhje në liqenin e Komanit dhe në Vaun e Dejës, çka rrit shumë frikën e përmbytjeve në zonën e Nën-Shkodrës. Drejtori i KESH-it informoi se po shkarkohet afërsisht 680 metër kub për sekondë nga Fierza dhe nga Komani dhe Vau i Dejës shkarkimet janë 700 metër kub. Stojku informoi se deri tani nuk ka përmbytje por “po monitorohet situata për mundësinë e shkarkimeve pa shkaktuar përmbytje”. Sipas tij, që më 15 prill është lajmëruar pushteti lokal në zonën ku mund të shkaktohen përmbytjet si dhe emergjenca civile
20 Prill 2010