E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëzimi, transaksionet për të cilat noterët do të kërkojnë më tepër të dhëna



Laureta Rryçi

Udhëzimi më i fundit që mban firmat e ministrit të Drejtësisë Bujar Nishani dhe atij të Energjetikës Dritan Prifti ka ndryshuar tërësish procedurat që duhet të ndjekin noterët në momentin që përpilojnë kontratat. Udhëzimi është miratuar vetëm pak ditë më parë dhe është botuar në Fletoren Zyrtare. Pritet që brenda dy javësh t’u shpërndahet noterëve në të gjithë vendin, në mënyrë që të nisë zbatimi i procedurës së re. Dy ministrat i urdhërojnë noterët dhe drejtuesit e zyrave hipotekore që të bashkëpunojnë më shumë me njëri-tjetrin në mënyrë që transfaksionet që do të bëhen tani e tutje të jenë më të monitoruara.
Bashkëpunimi
Udhëzimi i dy ministrive ngarkon me përgjegjësi noterët dhe drejtuesit e hipotekave që të kërkojnë më shumë informacion sesa kërkohej deri tani, para se të firmosen kontratat, pavarësish shërbimit që do të kërkojë qytetari. Specialistët që kanë hartuar udhëzimin kanë parë të drejtë që tani e tutje noterët të kërkojnë informacion të shkruar mbi të dhënat e regjistrit të barrëve siguruese. Vetëm pasi të merren këto të dhëna dhe noterët të sigurohen se bëhet fjalë për transaksione të ligjshme, atëherë mund të vazhdohet me përpilimin e kontratave.
Transaksionet
Udhëzimi ka përfshirë pothuajse të gjitha shërbimet që kërkojnë vulën e noterit për t’u njohur si të ligjshme. Noterët do të kërkojnë të dhëna për kontratat me sipërmarrje, sidomos kontratat e sipërmarrjes së apartamenteve apo shtëpive deri në momentin e regjistrimit të tyre në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Për kontratat që përmbajnë transferimin e titullit të pronësisë, për depozitat bankare, së bashku me interesat. Gjithashtu edhe për transaksione të tjera të çdo forme apo emërtimi, që krijojnë barrë siguruese mbi sende të luajtshme ose pasuri të paprekshme apo mbi të drejtat e pronarit me anë të transferimit të titullit të pronësisë, posedimit me anë pengu apo me çdo mënyrë tjetër.

UDHËZIM
Nr.2007/1, datë 2.3.2010
Për rastet kur noterët kërkojnë informacion të shkruar mbi të dhënat e regjistrit të barrëve sigurues dhe procedurat që ndiqen
në këto raste

Në mbështetje të nenit 102, pika 4 të Kushtetutës, të paragrafit 2 të nenit 7 të Ligjit Nr.8678, datë 14.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, të ndryshuar, të
paragrafit 3 të nenit 28/1 dhe 26/ë të Ligjit Nr.8537, datë 18.10.1999 “Për barrët siguruese”, të ndryshuar dhe të Ligjit Nr.7829, datë 1.6.1994 “Për noterinë”, të ndryshuar, ministri i Drejtësisë dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
UDHËZOJNË:
1. Noterët kërkojnë informacion të shkruar mbi të dhënat e “Regjistrit të barrëve sigurues” përpara kryerjes së transaksioneve të parashikuara në aneksin nr.1, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi.
2. Procedurat që ndiqen për paraqitjen e kërkesës për informacion nga noterët dhe kthimin e përgjigjes nga kryeregjistruesi i barrëve sigurues janë ato të parashikuara në rregulloren për barrët siguruese, miratuar me Urdhrin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Nr.493, datë 6.7.2006 “Për miratimin e rregullores së barrëve siguruese”.
3. Noterët kërkojnë informacion nga të dhënat e regjistrit nëpërmjet plotësimit të formularit, njoftimi D-kërkesa për informacion, në përputhje me nenin 3 të rregullores për barrët siguruese, i cili nënshkruhet nga vetë noteri ose një person i autorizuar prej tij.
4. Kryeregjistruesi i barrëve siguruese, brenda 2 ditëve nga marrja e kërkesës, lëshon certifikatën, e cila përmban të dhënat aktive të ruajtura në regjistër, të parashikuara në rregulloren
për barrët siguruese dhe të nevojshme për transaksionin.
5. Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen noterët, strukturat përgjegjëse për aktivitetin e noterisë në Ministrinë e Drejtësisë, si dhe strukturat përgjegjëse për administrimin e regjistrit të barrëve siguruese në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
MINISTRI I DREJTËSISË MINISTRI I EKONOMISË, TREGTISË
Bujar Nishani Dritan Prifti

ANEKSI NR.1
LISTA E TRANSAKSIONEVE PËR TË CILAT NOTERËT KANË DETYRIMIN TË KËRKOJNË INFORMACION NË REGJISTRIN E BARRËVE SIGURUESE.
1. Transaksione me objekt mallra me numër serie
Në këtë kategori përfshihen mallrat sipas përkufizimit të tyre në Ligjin Nr.8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar (“a”, “b”, “c”, “d”, “f”, “h”, “i”) dhe rregulloren për barrët siguruese (“dh”, “e”, “g”), si më poshtë:
a) automjete;
b) ciklomotorë;
c) makina bujqësore;
d) makina teknologjike;
dh) mjete fluturimi;
e) mjete lundrimi;
f) motomjete;
g) motorë mjet fluturimi;
h) rimorkio;
i) trolejbusë.
2. Kontrata me objekt rikonstruksion dhe sistemim;
3. Transaksione me objekt pajisje shtëpie (në të tashmen dhe të ardhmen).
4. Transaksione me objekt pajisje biznesi (në të tashmen dhe të ardhmen).
5. Transaksione me objekt mallra konsumi.
6. Transaksione me objekt gjendjen e mallit.
7. Transaksione me objekt mjete të ndryshme shërbimi.
8. Transaksione me objekt aksionet e një kompanie.
9. Kontratë qiraje me afat mbi një vit.
(në kuptim të nenit 2 të Ligjit Nr.8537, datë 18.10.1999 “Për barrët siguruese”, të ndryshuar).
10. Kontratë komisioni të mallrave.
(në kuptim të nenit 2 të Ligjit Nr.8537, datë 18.10.1999 “Për barrët siguruese”, të ndryshuar).
11. Kontratë shitje apo cedimi të llogarive.
(në kuptim të nenit 2 të Ligjit Nr.8537, datë 18.10.1999 “Për barrët siguruese”, të ndryshuar).
12. Kontratë e shitjes me rezervë të mallrave.
(në kuptim të nenit 2 të Ligjit Nr.8537, datë 18.10.1999 “Për barrët siguruese”, të ndryshuar).
13. Kontratë posedimi.
14. Kontratë furnizimi.
15. Kontratë shërbimi.
16. Kontratë sipërmarrje, sidomos kontratat e sipërmarrjes së apartamenteve apo shtëpive
deri në momentin e regjistrimit të tyre në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
17. Kontrata që përmbajnë transferimin e titullit të pronësisë.
18. Depozitë bankare, së bashku me interesat
19. Transaksione të tjera të çdo forme apo emërtimi, që krijojnë barrë siguruese mbi sende të luajtshme ose pasuri të paprekshme apo mbi të drejtat e pronarit me anë të transferimit të titullit të pronësisë, posedimit me anë pengu apo me çdo mënyrë tjetër.

20 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›