Kongresi, organizimi i Partisë Socialiste mbështetet në Statutin e ri
Tashmë organizimi i punës së Partisë Socialiste do të mbështetet mbi Statutin e ri, i cili u miratua të dielën e kaluar në kongres. Paketa e ndryshimeve në Statut, e hartuar nga grupi i punës prej një pune 7-mujore, ka pësuar në kongres një sërë ndryshimesh rrënjësore, të cilat kanë ardhur si propozime nga delegatët e PS-së. Kongresi miratoi projektrezolutën, e cila është mbështetur në krizën politike dhe ekonomike të vendit. Gjatë punimeve të këtij kongresi u vendos që protestat e opozitës të përshkallëzohen, ku më 30 prill do të jetë protesta më e madhe. Gjithashtu, në kongres, delegatët u njohën edhe me projekt-programin politik të PS-së, për të cilin u kërkua që të mos miratohej, por vetëm të hapej rruga për një diskutim të gjerë të tij në të gjitha strukturat e bazës. Programi trajton për herë të parë me vëmendje edhe çështjen e ish-të përndjekurve politikë dhe të ish-pronarëve.
Ndryshimet
Kongresi i së dielës miratoi ndryshimet e reja në Statutin e PS-së. Ishte sekretari Organizativ, Blendi Klosi, ai që bëri të njohura ndryshimet e bëra në të, por përfshiu në paketën e re edhe propozimet e delegatëve të kongresit. Statuti i ri redukton aplikimin e parimit "një anëtar, një votë", duke e lënë atë atribut vetëm për zgjedhjen e kryetarit të PS-së, delegatëve të kongresit dhe kryetarëve të OS. Statuti rikthen kryetarin socialist të rrethit dhe asamblenë socialiste të rrethit, duke kufizuar rolin dhe kompetencat e strukturës socialiste të qarkut. Në këtë mënyrë bie funksioni i sekretarit rajonal të qarkut, duke fuqizuar rolin e rrethit. Drafti i statutit të ri synon forcimin e disiplinës së brendshme në PS, ku përcaktohet për herë të parë se vendimi i shumicës duhet të zbatohet edhe nga pakica, pasi është votuar. "Disiplina në parti bazohet në konvergjencën e mendimeve për alternativat e zhvillimit. Pas votimit të vendimit, zbatohet vullneti i shumicës", - thuhet në nenin 1 të parimeve themelore të Statutit të PS-së. Në Statutin e ri nuk kanë ndryshuar masat disiplinore ndaj shkeljes së vendimeve të forumeve të PS-së. Në Statutin e ri, që në fillim përcaktohet se "PS është parti e majtë demokratike", ndërsa në Statutin aktual ajo përcaktohet si parti moderne e qendrës së majtë. Për herë të parë, PS-ja përcaktohet si parti elektorale dhe funksionale, duke përcaktuar në Statut parimin se nga parti funksionale, PS-ja shndërrohet edhe në parti elektorale, ku organizimi i saj intensiv do të jetë më shumë gjatë fushatave elektorale.
Rezoluta
Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, prezantoi projektrezolutën për krizën politike dhe ekonomike që po përjeton vendi. Hysi theksoi se kongresi vendosi të kontribuojë në respektim të ligjit dhe të Kushtetutës, në përputhje me standardet europiane në zgjidhjen e krizës politike në vend dhe forcimin e demokracisë. Duke prezantuar projektrezolutën, Hysi gjithashtu tha se kongresi vendosi të vazhdojë të kontribuojë në vazhdimin e procesit të integrimit europian, duke e vendosur këtë në qendër të bashkëpunimit politik, të kontribuojë për heqjen e regjimit të vizave, duke ofruar ekspertizën e opozitës në procesin e liberalizimit, për përmbushjen e standardeve të kërkuara dhe duke u bërë thirrje institucioneve të PE-së dhe qeverive të vendeve anëtarë të BE-së, ku qeverisin partitë simotra. Përsa u përket zgjedhjeve të 28 qershorit, kongresi vendosi të kërkojë transparencën e tyre, si e drejtë kushtetuese. Në sferën ekonomike, kongresi i socialistëve kërkoi me forcë transparencën e shifrave të ekonomisë dhe dhënien fund të mashtrimit publik me shifra të deformuara politikisht, të kontribuojë në stabilitetin makroekonomik, duke kërkuar konsolidimin e mekanizmave mbrojtës dhe të këmbëngulë për përmirësimin e klimës së biznesit dhe mbrojtjen e investitorëve vendës e të huaj. Në projektrezolutë theksohet lufta për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe pavarësisë të institucioneve kushtetuese dhe sistemit gjyqësor. Gjithashtu, kërkohet zbardhja e menjëhershme e vrasjes së deputetit socialist, Fatmir Xhindi. “Fund presioneve antiligjore dhe joetike ndaj medias, rishikimi i kuadrit ligjor për televizionet publike dhe private. Të vazhdojmë përpjekjet për kthimin e besimit te KKRT-ja dhe TVSH-ja dhe ndalimin e reklamave qeveritare jashtë periudhës zgjedhore”, - citon Hysi në projektrezolutë.
Ndryshimet
1. Statuti i ri redukton aplikimin e parimit "një anëtar, një votë", duke e lënë atë atribut vetëm për zgjedhjen e kryetarit të PS-së, delegatëve të kongresit dhe kryetarëve të PS-së.
2. Statuti rikthen kryetarin socialist të rrethit dhe Asamblenë Socialiste të rrethit, duke kufizuar rolin dhe kompetencat e strukturës socialiste të qarkut.
3. Drafti i Statutit të ri synon forcimin e disiplinës së brendshme në PS, ku përcaktohet për herë të parë se vendimi i shumicës duhet të zbatohet edhe nga pakica, pasi është votuar.
4. Në Statutin e ri nuk kanë ndryshuar masat disiplinore ndaj shkeljes së vendimeve të forumeve të PS-së.
5. Në Statutin e ri përcaktohet se "Partia Socialiste është parti e majtë demokratike", ndërsa në Statutin aktual ajo përcaktohet si parti moderne e qendrës së majtë.
6. Për herë të parë PS-ja përcaktohet si parti elektorale dhe funksionale, duke përcaktuar në Statut parimin se nga parti funksionale, PS-ja shndërrohet edhe në parti elektorale, ku organizimi i saj intensiv do të jetë më shumë gjatë fushatave elektorale.
Rezoluta, kongresi:
• Vendosi të kërkojë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, si e drejtë kushtetuese.
• Vendosi të kontribuojë në respektim të ligjit dhe Kushtetutës, në përputhje me standardet europiane në zgjidhjen e krizës politike në vend dhe forcimin e demokracisë.
• Vendosi të vazhdojë të kontribuojë në vazhdimin e procesit të integrimit europian, duke e vendosur këtë në qendër të bashkëpunimit politik.
• Vendosi të kontribuojë për heqjen e regjimit të vizave, duke ofruar ekspertizën e opozitës në procesin e liberalizimit, për përmbushjen e standardeve të kërkuara dhe duke u bërë thirrje institucioneve të PE-së dhe qeverive të vendeve anëtarë të BE-së, ku qeverisin partitë simotra.
• Kërkon me forcë transparencën e shifrave të ekonomisë dhe dhënien fund të mashtrimit publik me shifra të deformuara politikisht.
• Vendosi të kontribuojë në stabilitetin makroekonomik, duke kërkuar konsolidimin e mekanizmave mbrojtës dhe të këmbëngulë për përmirësimin e klimës së biznesit dhe mbrojtjen e investitorëve vendës e të huaj.
• Vendosi të luftojë për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe pavarësisë të institucioneve kushtetuese dhe sistemit gjyqësor.
• Kërkon zbardhjen e menjëhershme e vrasjes së deputetit socialist, Fatmir Xhindi.
• Kërkon fundin e presioneve antiligjore dhe joetike ndaj medias, rishikimi i kuadrit ligjor për televizionet publike dhe private.
• Kërkon të vazhdojnë përpjekjet për kthimin e besimit te KKRT dhe TVSH dhe ndalimin e reklamave qeveritare jashtë periudhës zgjedhore.
20 Prill 2010