Shpejtësia i merr jetën të riut
• ELBASAN - Shpejtësia i merr jetën 25-vjeçarit nga Librazhdi. Mëngjesin e djeshëm, aksi nacional Elbasan-Librazhd është përgjakur nga aksidenti i rëndë, nga ku mbetën të lënduar dhe dy moshatarët e viktimës. Burime të policisë pohuan se ngjarja u shënua në orën 05:30, në afërsi të fshatit Labinot, pasi makina doli nga rruga. Tre të rinjtë po udhëtonin në drejtim të Librazhdit me mjetin "Nissan" fuoristradë, me targë VL 5032 B, që drejtohej nga Fjordi Dobra. Për shkak të shpejtësisë, lagështirës së krijuar në rrugë nga shirat e ditëve të fundit si dhe konsumi i alkoolit, sipas ekspertëve të policisë, drejtuesi ka humbur kontrollin e mjetit. Disa salto në ajër dhe përplasja e fortë në anë të rrugës nacionale kanë qenë vdekjeprurëse për jetën e 25-vjeçarit. Dy shokët e tij, Artan Allushi dhe Besmir Murrashi të plagosur rëndë janë transportuar me shpejtësi drejt spitalit të Elbasanit. a.k