Krim i organizuar, apo organizim i një krimi?
• Dritan YLLISot, një javë pas shpërthimit të kobshëm në Gërdec, gropa e vdekjes vazhdon të nxjerrë viktima, shtëpitë ngjajnë trishtueshëm si gërmadha postlufte, uji është ndotur dhe bari nuk ka mbirë, edhe pse jemi në prag pranvere. Por, ndërsa nga vendi ku plasën mijëra tonelata predha, vazhdojnë të dalin viktima të karbonizuara, tymnaja artificiale e fshehjes së përgjegjësve po fashitet gjithnjë e më shumë. Shkaqet dhe fajtorët e tragjedisë po qartësohen. Dënimi i fajtorëve, sado “peshq të mëdhenj” të jetë, nuk e shuan dhimbjen e madhe që la pas gjëma e Gërdecit. Por te qenia njerëzore ndodh natyrshëm një reaksion, që pas dhimbjes së thellë vjen një brengë, që kthehet dalëngadalë në një zemërim të madh. Një revoltë e brendshme, te çdo individ i përgjegjshëm për të kuptuar shkaqet dhe shkaktarët e ngjarjes së rëndë. Madje, sa më shumë e ndërgjegjshme dhe e emancipuar të jetë një shoqëri, ndjenja e revoltës është edhe më e fortë.Duket qartë se Qeveria dhe shteti, pikërisht për të shuar sadopak këtë ndjenjë të natyrshme zemërimi, po përpiqen të amortizojnë artificialisht përmasat e tragjedisë. Madje herë pas here marrëzisht i japin asaj ngjyrime tragjikomike. Kryeministri i vendit, përgjegjësi kryesor që lejoi fabrikën e vdekjes të ndërtohej në mes të një zone urbane të mbipopulluar, është kthyer në një personazh qesharak, që ta shton dhe më shumë brengën. Një herë thotë se ishte faji i një firme private, më pas se nuk kishte qenë në dijeni të fabrikës, duke harruar se ajo ndodhej vetëm 12 km nga zyra e tij në Tiranë. Para dy ditësh e krahasoi kotësisht shpërthimin në Gërdec me tragjedinë e 11 Shtatorit në SHBA, duke treguar jo vetëm një cinizëm të pashoq, por edhe një tjetër orvatje të pasuksesshme për të fshehur shkaqet e krimit. Lavdihumburi Berisha duke kërkuar që të largojë gjithnjë vëmendjen nga përgjegjësia e tij direkte, së fundmi fajësoi Shërbimet Informative që nuk kishte pasur informacion për ekzistencën e biznesit vdekjeprurës, pa evidentuar akoma bilancin real të tragjedisë. Kryeministri është i gatshëm të fajësojë këdo, që të dalë pa u lagur nga kjo histori. Por, tashmë nuk është shumë e vështirë për t’i vënë gishtin përgjegjësve. Madje, nuk është aspak e vështirë t’ju vësh edhe emër dhe mbiemër, atë që kërkonte dhe Presidenti i Republikës. Po të ndjekësh hap pas hapi në mënyrë hierarkike përgjegjësit e tragjedisë, të rezulton se kemi të bëjmë me një zinxhir të një krimi të organizuar ose një organizim të një krimi. Në këtë zinxhir disa janë të implikuar në mënyrë direkte përmes veprimit, disa të tjerë në mënyrë indirekte përmes mosveprimit. Një krim i organizuar, apo organizim i një krimi që shkaktoi një gjëmë, një tragjedi, një katastrofë makabre. Një organizim mafioz, ku disa veprojnë, të tjerë heshtin në emër të milionave apo përfitimeve të ndryshme. Deklarata, justifikime, hedhja e fajit sa andej–këndej për të humbur gjurmët, fshehje e bilancit real, përbën një skenar tipik, që të kujton filmin e njohur Oktapodi. Por është e kotë… Kryeministri dhe disa ministra janë përgjegjësit kryesorë, që direkt apo indirekt shkaktuan tragjedinë. Kompanitë private, të fajësuara me të drejtë janë diçka tjetër, janë ekzekutues të vendimeve që miratoi Qeveria. Shpërthimi në Gërdec, jo vetëm që nuk u parandalua, por “u ndez” nga Qeveria. Berisha dhe qeveria e drejtuar prej tij kanë një përgjegjësi evidente dhe të pashmangshme për katastrofën e jashtëzakonshme të Gërdecit, në radhë të parë se lejuan një aktivitet të tillë me rrezikshmëri tejet të lartë për popullsinë të ngrihej pikërisht në një zonë të banuar. Ministria e Financave është përgjegjëse, pasi nuk ka mbledhur as tatimet dhe sigurimet shoqërore, që lidheshin me një biznes të pastër ekonomik, të rrezikshëm dhe fare pranë Tiranës, duke lejuar njëkohësisht një evazion fiskal. Evazioni rëndon dhe më shumë kur tashmë janë bërë publike milionat e dollarëve, që fitonin drejtuesit e firmave të lidhura me biznesin që solli deri tani 21 jetë njerëzish të humbura e qindra të gjymtuar. Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale nuk ka autorizuar ndonjëherë kontroll për sigurinë e kushteve të punës. Për më tepër është lejuar punësimi dhe shfrytëzimi ç`njerëzor i minorenëve, në një vend ku çmontoheshin predha e nuk qëroheshin patate. Nuk mund të jetë rastësor qëndrimi i Ministrisë së Brendshme, kur ka pasur ankesa të vazhdueshme të kryetarit të Bashkisë së Vorës, lidhur me këtë fabrikë të vdekjes dhe sigurisht që indiferenca e papërgjegjshmëria e plotë e kësaj ministrie e ngarkon me përgjegjësi tepër të rëndë atë. Të gjithë këta qeveritarë përgjegjës, me në krye Kryeministrin kryepërgjegjës, do të vazhdojnë të hedhin fajin te përfaqësuesit e kompanive private. Por, as pronari i firmës private “Alba-Demil”, as drejtori i firmës shtetërore MEICO, apo ndonjë tjetër biznesmen apo tregtar, nuk do të ishin të akuzuar, nëse biznesi i tyre do të ishte ndaluar nga strukturat shtetërore përgjegjëse. Ndërsa ne sot nuk do të jetonim javën e parë pas tragjedisë së kobshme të Gërdecit. Nuk do të kishim 21 jetë njerëzish të humbura dhe qindra të gjymtuar. Shtëpitë në fshatin afër autostradës që lidh metropolin Tiranë-Durrës, do të ishin po aq të bukura sa më parë. Bari dhe lulet do të çelnin siç kanë lulëzuar zakonisht në Gërdec, në prag pranvere…