E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gerets: “Han, trajner me pervoje dhe karakter i forte”

Arben Shemili
Është e vështirë të "kapësh" Lorik Canën, jo vetëm në fushë, por edhe nëpërmjet celularit. Mes impenjimeve të shumta të ditës, që nga stërvitja, biznesi privat e deri te aktivitetet e imponuara nga sponsorët, duhet të presësh. Megjithatë, një pritje që në mbrëmjen e së premtes ia vleu. Sepse, kur në celular u dëgjua zëri i Lorikut, pas përshëndetjes së parë, ai tregoi se ishte në restorant, duke darkuar me trajnerin e tij te Olimpiku i Marsejës, Erik Gerets, me të cilin është edhe fqinjë. Të flasësh me një ish-lojtar si belgu është gjithmonë kënaqësi, por kur ke programuar që me Canën të bisedosh për Ari Han, atëherë lajmi se edhe Gerets është i pranishëm e dyfishon kënaqësinë dhe kërshërinë e gazetarit. Arsyeja? Dy trajnerët e sotëm dikur kanë qenë shokë skuadre, te Standard i Liezhit, në kampionatin belg. Me Gerets jemi takuar edhe më parë, në vigjilje të takimit të Marsejës me Liverpulin, për fat të keq i mbyllur me një disfatë për skuadrën e kapitenit shqiptar. Ishte i hapur dhe interesant në bisedë, ndërsa tani ekziston paksa "frika" se ai ndoshta nuk do të dëshirojë të prononcohet për një koleg. Fatmirësisht kjo nuk ndodh, Gerets është gati të flasë për kolegun dhe ish-shokun e skuadrës. Karakteri i fortë "E kam marrë vesh nga Loriku se Ari Han është emëruar trajner i Kombëtares së Shqipërisë. I uroj shumë suksese, atij edhe Lorikut, sepse tani për mua bëhen dy të njohur brenda skuadrës shqiptare", thotë Gerets, pasi Cana i jep celularin për të dhënë një mendim ekskluziv për "Panorama Sport", në lidhje me trajnerin e ri të Shqipërisë. "Unë dhe Ari kemi luajtur për dy sezone te Standard i Liezhit, ndërsa më parë kemi qenë kundërshtarë, kur ai luante me Anderlehtin. Ai erdhi te ne më 1981 dhe pas dy vjetësh u larguam të dy, unë te Milani, ndërsa Han te Eindhoveni, në Holandë. Në ato dy vjet arritëm shumë suksese, ishin vitet më të mira në historinë e Standardit dhe Han pati një kontribut të jashtëzakonshëm". Cila ishte pika më e fortë e trajnerit të sotëm të Shqipërisë? Për Gerets nuk ka asnjë mëdyshje dhe përgjigjja është e menjëhershme: "Gjuajtjet nga distanca. Të tmerrshme! Të rrallë ishin ata që gjuanin si ai, për të mos thënë askush. Han ishte në fundin e karrierës në atë kohë, por mbetej ashtu si në ditët më të mira. Shumë potent në mesfushë dhe një lider i vërtetë. Kishte karakter të fortë, një nga ata që i nevojitet cdo skuadre". Trajner me përvojë Ditët si lojtarë tashmë kanë mbetur pas dhe dy ish-shokët e skuadrës janë bërë trajnerë. Gerets shprehet se nuk është në gjendje të flasë me detaje për trajnerin e ri të Shqipërisë, pasi karrierën në stol ia njeh vetëm në vija të përgjithshme. "Han ka grumbulluar shumë përvojë, sepse në gjithë këto vite ka drejtuar shumë skuadra. Ka pasur edhe suksese, por nuk mund të flas me hollësi, sepse në këtë aspekt nuk e njoh nga afër", thotë belgu, i cili megjithatë shton se disa cilësi mbeten të pandryshueshme gjatë gjithë jetës: "Ju thashë që ka qenë karakter shumë i fortë, një lider i vërtetë. Është shumë profesionist. Këto cilësi nuk ndryshojnë dhe në këtë aspekt do të thosha pa mëdyshje se Shqipëria ka bërë mirë duke marrë Han si trajner të saj. I uroj sinqerisht shumë suksese Ari Hanit, Lorikut dhe gjithë skuadrës shqiptare". Standard Liezh, Vitet e lavdishme Pas viteve të lavdishme me Ajaksin e Amsterdamit, Ari Han kaloi në Belgjikë, te Anderlehti, ku ishte protagonist i periudhës më të suksesshme të klubit, me dy Kupa të Kupave, më 1976 e 1978. Më pas, te Standard Liezh, duke e udhëhequr edhe këtë skuadër në ditët më të mira të historisë së saj, me dy tituj kampion dhe daljen në finale të Kupës së Kupave, ku u mund nga Barcelona. Te Standardi, që nga vitit 1971, luante një tjetër lojtar i madh, mbrojtësi i krahut të djathtë, Erik Gerets. Mbrojtësi dhe mesfushori ishin dy liderët e skuadrës së drejtuar nga i famshmi Rajmond Gëtals, por pas dy vjetësh rrugët e tyre u ndanë. Han u kthye në Holandë, këtë herë me Eindhovenin, ndërsa Gerets shkoi te Milani. SHIFRAT 82- Ari Han luajti 82 ndeshje për Standardin, që të gjitha si titullar. Gjatë tyre, ai shënoi 15 gola, asnjë prej të cilëve me penallti, si dhe u ndëshkua tri herë me karton të verdhë, pa marrë asnjë të kuq. 397- Erik Gerets luajti 397 ndeshje për Standardin, nga të cilat 389 si titullar. Gjatë tyre, ai 29 gola, nga të cilët asnjë me penallti. U ndëshkua 18 herë me karton të verdhë, asnjëherë me të kuq. 3-Han ka fituar tri herë Kupën e Kampioneve, kur luante me Ajaksin, në periudhën 1971-1973. Ka dy suksese me Anderlehtin në Kupën e Kupave, ndërkohë që me dy skuadrat e tij belge ka edhe dy finale të humbura. 1- Gerets ka fituar një herë Kupën e Kampioneve, më 1988, kur në radhët e PSV Eindhovenit triumfoi kundër Benfikës, pas barazimit pa gola dhe gjuajtjeve të penalltive. Me Standardin ka dalë edhe në një finale të Kupës së Kupave.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›