E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana: “Han do te sjelle koncept te ri”

Lorik Cana, zëvendëskapiteni i Kombëtares shqiptare, ka përshëndetur emërimin e holandezit Ari Han në krye të kuqezinjve. Mesfushori kosovar nuk e njeh karrierën e Hanit si trajner, megjithatë shpreson që kjo të jetë zgjedhja e duhur. Nga ana tjetër, Cana shton se po pret me padurim fillimin e eliminatoreve të botërorit, në mënyrë që Shqipëria të rregullojë sa më shumë imazhin e prishur pas dy ndeshjeve të fundit për Euro 2008.
Lorik, e njihni trajnerin e ri të Kombëtares?
Për mua është shumë i famshëm si lojtar, edhe pse nuk e kam parë kur luante. Edhe trajneri im këtu, Gerets, më ka folur mirë për të, ashtu sic ju tha edhe juve, për karakterin e fortë dhe cilësitë si lider. Gjithashtu di edhe që ka shumë eksperiencë ndërkombëtare. Shpresoj që të kemi bërë një zgjedhje të mirë dhe nëpërmjet gazetës "Panorama Sport" po përfitoj e po i uroj suksese në detyrë.
Cfarë prisni nga një trajner i ardhur nga shkolla holandeze?
Mendoj se ai do të sjellë një koncept të ri në skuadrën tonë, cka do të na mundësojë të ecim më përpara. Holandezët aplikojnë futbollin e bukur e sulmues dhe skuadra jonë i ka mundësitë të bëjë lojëra të tilla. Uroj që me të të rritemi profesionalisht, por sidomos në rezultate. Unë personalisht mezi po pres të luaj përsëri me Kombëtaren. Duam që ta përmirësojmë atë imazh që na u prish pas dy humbjeve të rënda që pësuam në eliminatoret e kaluara.
Por do të kemi kundërshtarë shumë të fortë...
Kundërshtarët e fortë janë ata që na motivojnë më tepër. Sigurisht, është e vështirë që të fitosh me Portugalinë, Suedinë e Danimarkën, por ne do të bëjmë tonën, pa u pasur frikën.
Lajmet thonë se me Olimpikun kundër Renës do të luani në mbrojtje. E vërtetë?
Po, ka shumë mundësi. Kemi dy mbrojtës të dëmtuar dhe vendin e njërit prej tyre do të zë unë. Trajneri ka marrë vesh që e kam bërë këtë gjë edhe me Kombëtaren (qesh). Do të jetë një muaj i vështirë për ne, pasi do të kemi shumë ndeshje, pothuajse cdo tri ditë.
Intervistoi: Arben Shemili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›