Gërmonte për skrap, humb jetën nën masivin e dheut
13-vjeçari nxirrte hekur nën tokë
Prokuroria urdhëron mbylljen e gropës
Janë dashur disa orë si dhe ndërhyrja e forcave RENEA për të nxjerrë nga masivi i dheut një fëmijë që ishte zënë poshtë. Fatkeqësisht, trupi i këtij të fundit është nxjerrë pa jetë, ndërsa policia ka filluar hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së vogëlushit 13-vjeçar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme, kur pikërisht në ditën ndërkombëtare kundër punës së fëmijëve, A.N. nga Puka ishte duke gërmuar nën tokë në zonën e uzinës së Autotraktorëve në Shkozë, në periferi të kryeqytetit. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga policia e kryeqytetit, e cila është lajmëruar nga banorë të tjerë të zonës të cilët dhe ata ndodheshin në të njëjtin vend. Menjëherë në vendngjarje janë nisur forca të shumta të policisë, ndërsa pas vështirësive të hasura, në vendngjarje janë thirrur edhe specialet e RENEA-s. Vetëm pas disa orësh pune, këta të fundit kanë mundur të nxjerrin nga pirgu i dheut trupin e pajetë të 13-vjeçarit A.N. nga Puka. Ai është transportuar për në morgun e spitalit nga ku do t’i bëhet autopsia mjeko-ligjore.
Ndërkohë, hetimet paraprake të policisë kanë nxjerrë në pah se fëmija po mblidhte skrap në momentin kur masivi i dheut ka rënë mbi të dhe e ka lënë pa jetë, ndërsa deri në orët e mbrëmjes një grup hetuesish kanë qëndruar në vendin e ngjarjes duke hetuar për rrethanat e vdekjes së të miturit.
Sakaq, në bazë të të dhënave të para policore mësohet se së bashku me pjesëtarët e familjes së tij, 13-vjeçari angazhohej për të nxjerrë skrap dhe për t’i shitur më pas. Ndërkohë që në momentin e aksidentit i mituri ka qenë i vetëm brenda gropës.
Sipas të dhënave të policisë, mësohet se vogëlushi futej çdo ditë në gropën e madhe të hapur prej personave më të mëdhenj dhe mundohej të nxirrte prej andej mbeturina hekuri dhe materiale të tjera hekuri që mund të shiteshin. Aktualisht, prokuroria ka urdhëruar mbylljen e gropës, pasi ajo paraqitet me një rrezikshmëri të lartë për popullsinë dhe banorët.
/////////////////
Në Tiranë
Gjendet i vdekur endacaku, dyshohet si përdorues droge
Gjendet i vdekur në zonën ku hidhen mbeturinat inerte dhe që njihet si strehim i përdoruesve të drogës në kryeqytet, një i ri, ende i paidentifikuar. Ngjarja është konfirmuar një ditë më parë nga të dhëna zyrtare të Policisë së Tiranës, sipas së cilës, shërbimet e saj janë njoftuar orës 10:30 të ditës së djeshme se në rrugën “Aleksandër Moisiu”, në pjesën veriore të Urës së Qerosës në Bregun e Lumit Tiranë, ndodhej trupi i pajetë i një personi. Policia tha se viktima është gjendur në afërsi të Bregut të Lumit në një zonë e cila shërbente për hedhjen dhe grumbullimin e mbeturinave dhe inerteve, ndërkohë që aktualisht ai nuk është ende i identifikuar, por është i seksit mashkull, rreth moshës 20 deri në 25 vjeç, dyshohet endacak. Sakaq, nga veprimet paraprake të kryera nga grupi hetimor në vendin e ngjarjes, dyshohet se vdekja e të riut ka ardhur si pasojë e disa goditjeve të marra me sende të forta në pjesën e kokës. Megjithatë, policia tha se po punohet intensivisht për identifikimin e viktimës, kryerjen e një sërë ekzaminimesh dhe zbardhjen tërësisht të rrethanave dhe autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.
Reagimi
MB, plagosja e peshkatarit, e rëndë dhe e papranueshme
Ministria e Brendshme e konsideron plagosjen e Hysen Skënderajt si ngjarje tejet të rëndë e të papranueshme. Për këtë arsye kërkon nga strukturat përkatëse malazeze angazhimin maksimal për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë. Një ditë pas incidentit të rëndë me pasojë plagosjen e një peshkatari nga Velipoja e Shkodrës nga policia kufitare malazeze, Ministria jonë e Brendshme, në një deklaratë zyrtare për shtyp ka reaguar duke thënë se “shprehim shqetësimin për ngjarjen e ndodhur më 10 qershor 2008, në liqenin e Shkodrës, përballë pikës kufitare të Shën Gjergjit, ku 57-vjeçari Hysen Skënderaj nga fshati Luarez është qëlluar nga dy punonjës të policisë kufitare malazeze në kohën kur ishte duke peshkuar në ujërat tona territoriale. Punonjësit e policisë malazeze kanë qëlluar nga ana e territorit të tyre”. Sipas MB-së, materialet për këtë ngjarje i kanë kaluar prokurorisë, e ndërkohë nga strukturat tona policore u zhvillua një takim me palën malazeze për sqarimin e rrethanave të këtij incidenti. Ndërkohë, në reagimin e saj Ministria e Brendshme ka bërë me dije se pas informacionit të dhënë nga ana jonë, pala malazeze ka ngritur një grup hetimor, i cili është duke punuar mbi këtë ngjarje. Duke e konsideruar këtë ngjarje si tejet të rëndë e të papranueshme, në kundërshtim të plotë me frymën e mirë të bashkëpunimit reciprok mes dy policive dhe dy vendeve, MB-ja kërkon nga strukturat përkatëse malazeze angazhimin maksimal për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë.