Gervinho, si ajër i pastër

Mesfushori i Arsenalit, Theo Walcott ka lavdëruar përforcimin e ri, Gervinho si ajër i pastër për klubin.
Sulmuesi i Bregut të Fildishtë iu bashkua Arsenalit nga Lille në qershor dhe shënoi dy gola brenda 15 minutave të parë në debutimin e tij në ndeshjen miqësore kundër skuadrës gjermane, Koln të shtunën.
Golat e tij i ndihmuan Arsenalit të mposhtë Kolnin 2-1. Walcott, i cili asistoi në golin e dytë të Gervinhos, tha: “Ai do të jetë ajër i pastër për klubin”.
“Gervinho duket talent i madh. Menjëherë mund të them se ai sjell gola, ai ka ritëm të shpejtë të lojës dhe është shumë i sigurt me top”, shtoi reprezentuesi anglez. Gervinho u transferua pa bërë publike vlerën e blerjes së tij dhe menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger shpreson që sulmuesi të jetë përforcim i qëlluar. “Shpresoj të jetë investim i duhur”, tha Wenger.