Rrëshqitja e tokës rrezikon një pallat pesëkatësh
Banorët e një pallati në lagjen “çlirim” të qytetit të Beratit ndihen të kërcënuar si pasojë e shkarjes së dherave nga pllaja e kalasë. Pasditen e së mërkurës, një masiv dheu është shkëputur nga faqja e kalasë, duke përfunduar në oborrin e pallatit pesëkatësh me numër 64, që ndodhet në hyrje të qytetit të Beratit. Banorët e pallatit, por dhe disa banesave private që ndodhen aty, janë alarmuar kur kanë parë masivin e dheut që rrëshqiste nga faqja e kodrës. Fatmirësisht nuk ka pasur të plagosur, por banorët ndihen të rrezikuar. Reshjet e shumta të shiut që kanë rënë gjatë muajve të fundit, por dhe ndërtimet që janë bërë mbi këtë kodër, duket se janë bërë shkak që tereni shkëmbor i pllajës të tronditet dhe të rrezikojnë shkëputjen e masivëve të dheut. Janë 15 familje që jetojnë në këtë pallat dhe kërkojnë ndërhyrje nga ana e pushtetit vendor. Banorët kërkojnë që një grup specialistësh të kësaj fushe të inspektojnë nga afër situatën në vend për të ditur shkallën e rrezikshmërisë me të cilën përballen. Ndërkohë, burime pranë bashkisë së qytetit të Beratit bëjnë me dije se që në orët e para të mëngjesit punonjësit e pastrimit pranë bashkisë pastruan territorin nga mbetjet e dherave dhe gurëve. Ndërkohë që pranë këtij institucioni është ngritur grupi i punës që do të analizojë situatën dhe shumë shpejtë ajo do të bëhet prezente pranë qeverisë.
#