E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimi i tre HEC-eve, fshatarët përplasen me komunën

Bulqizë/ Banorët e fshatit Trebisht nuk e lejojnë investimin, sepse shfrytëzon ujin që ata përdorin për vaditje

Banorët e fshatit Trebisht, në kufi me Maqedoninë, të komunës me të njëjtin emër në Rrethin e Bulqizës, kanë protestuar kundër ndërtimit të tre hidrocentraleve në afërsi të këtij fshati. Sipas banorëve, shkak i kësaj proteste është bërë marrja e ujit, i cili shërben për vaditjen e tokave të këtij fshati. Banorët në protestën e tyre para zyrave të komunës kanë kërkuar largimin e firmës koncesionare të kontraktuar nga Ministria e Ekonomisë, për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve. Ata akuzuan si të korruptuar këshillin e komunës dhe kryetarin e saj, Fitim Balla, pasi me miratimin e dhënë për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve po dëmtojnë interesat e tyre. “Ky është uji i fshatit dhe nuk mund të na e marrë kryetari i komunës, i cili prej vitesh banon familjarisht në Tiranë”, u shpreh njëri nga banorët protestues. “Po na morën ujin, me të cilin vadisim tokat, ne do ikim prej këtu drejt Tiranës, siç dhe kanë vepruar mjaft familje të tjera të këtij fshati. Ne rrimë këtu vetëm prej ujit, pasi në të kundërt, po të na thahet edhe ajo pak tokë që kemi, ç’mund të bëjmë ne këtu?”, shprehet një banor tjetër. Ndërkohë kryetari i komunës, Fitim Balla, edhe pse e quan të drejtë shqetësimin e banorëve, shprehet kundër protestës së tyre. Sipas tij, ndërtimi i tre hidrocentraleve në afërsi të fshatit Trebisht, zgjidh jo vetëm problemin e dritave për banorët, të erozionit që për këtë zonë është mjaft evident, por edhe atë të punësimit. Gjithsesi banorët kërcënojnë se protestat e tyre kundër ndërtimit të tre HEC-eve do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, deri në largimin e firmës që ka kontraktuar Ministria e Ekonomisë për ndërtimin e tyre. Madje ata kërkojnë edhe mbështetje nga deputeti i PD-së, njëherësh edhe ministër i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, si djalë i këtij fshati.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›