E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama nis protestat: Duhet të rrëzojmë sistemin korruptiv

Opozita Kryetari i Partisë Socialiste, takime në Durrës. Minibashkitë, protestë në Tiranë

Kreu i socialistëve, Edi Rama, ka nisur nga Durrësi protestat kundër qeverisë. “Sot, këtu në këtë zonë, unë dua t’i pyes të gjithë prindërit që janë të pranishëm: Ky është vendi që ju mendoni se mund të rriten dhe mund të edukohen më mirë fëmijët tuaj?”, shtroi pyetjen Rama para të pranishmëve. çështje ekonomike të përditshmërisë, arsimimi, infrastruktura dhe marrëdhënia e përmbysur me pushtetin, kanë qenë në vëmendjen e kreut të PS-së, që e ka orientuar frymën e protestës në situatën ku ndodhet qytetari shqiptar. Me konstatimin se një gjendje e vështirë aktualisht sundon jetën në Shqipëri e sidomos në periferitë e saj, kreu socialist ka vënë në dukje se protestimi kundër qeverisë i shërben interesit të gjithsecilit përpara se të jetë sfond i interesave socialiste. “Në demokraci është pushteti që varet nga qytetarët... Në momentin kur kjo lidhje këputet me forcën e korrupsionit, aty ka lindur një kërcënim i madh për të gjithë. Aty ka filluar rruga e një qeverie të kthyer në një regjim, në një regjim që bën vetëm hyzmetin e interesave të atyre që jetojnë në oborrin e pushtetit dhe nuk do të dijë për ata që janë jashtë oborrit”, deklaroi Edi Rama. është vetë përshkallëzimi i gjuhës politike ai që e bën të kuptueshëm dimensionin e krizës aktuale, edhe për shkak se komunikimi në këtë formë krijon premisat e një ballafaqimi edhe më të ashpër. Sot PS nuk po preferon më shumë të flasë për largimin e një qeverie, por të kërkojë transformimin e plotë, i cili pengohet nga kontrolli që ushtron mbi realitetin ai që konsiderohet si sistem. Shpirti i këtij sistemi është korrupsioni që zë fill në deformimin elektoral, shprehja e tij është regjimi i Berishës që manifestohet në shpërfilljen e plotë të vullnetit të njerëzve. Në funksion të rritjes së ndjeshmërisë, Rama dhe ekipi që po ndërton ciklin e protestave po e kthejnë koston e jetesës së qytetarëve në kryefjalë të aksionit politik, duke përcaktuar kështu se protesta kundër Berishës është shumë më e rëndësishme sesa motivi për çfarë protestohet. “Ne duam demokraci, jo llumokraci! Ne duam të jetojmë në një Shqipëri shansesh dhe mundësish të barabarta për të gjithë, qoftë për ata që jetojnë në qendër të Tiranës, qoftë për ata që jetojnë në Kënetën e Durrësit... Në qoftë se ky pushtet sjell në çdo shtëpi një faturë që rritet përditë, duke kërkuar që të gjithë të paguajnë çmimin e papërgjegjshmërisë, çmimin e paaftësisë, çmimin e korrupsionit, këtë të gjithë së bashku ne duhet ta ndalojmë”, vijoi Rama. Po dje, qytetarë të njësisë bashkiake nr.1 dhe 2 në Tiranë kanë protestuar lidhur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ata janë grumbulluar para zyrave të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në lagjen “Ali Demi”, duke afishuar edhe moton “Vjedhja e buxheteve vendore nga OSSH”. Ata janë shprehur para mediave se çmimet e energjisë që kanë nisur të aplikohen që prej fillimit të këtij viti, janë të papërballueshme, aq më shumë që sikurse është bërë publike, skema e faturimit ka shënuar gabime të mëdha.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›