E Diel, 1 Nëntor 2026

Gështenja, druri "i shenjtë" i tropojanëve

Ndoshta jo të gjithë e dinë që në çdo çokollatë që konsumojmë ka në të edhe një pjesë të gështenjës, madje nga çokollatat që prodhohen në Zvicër, ka në to edhe miell të gështenjës së Tropojës.

Disa tregues

Në zonën e Qarkut të Kukësit gjenden një numër zonash që shquhen për rritjen e pemës së gështenjës. Është një pemë që për shekuj me radhë është rritur në gjendje të egër, siç tregojnë edhe toponimet "pylli i gështenjave" etj. Deri në vitet ‘90, Qarku i Kukësit kishte masive të pafundme pyjesh me gështenja, ku një pjesë e madhe prej rreth dymijë hektarësh, kryesisht në Shëmri të Kukësit dhe në disa zona të Tropojës u prenë dhe u shkatërruan. Por në Tropojë, pyjet e gështenjës janë ruajtur si rrallëkund, për arsye se ato, siç tregojnë kronikat e kohës, u privatizuan që në vitin 1996. Edhe sot, Tropoja ka dymijë hektarë me gështenja që, sipas një raporti të Bankës Botërore, është masivi më i madh i gështenjave në krejt Ballkanin. Nga plantacionet e gështenjës në Tropojë, kryesisht në zonën e Komunës Lekbibaj, janë prodhuar sivjet mbi 15 mijë kuintalë, një prodhim i konsiderueshëm edhe në krahasim me vitet e komunizmit kur puna organizohej nga shteti dhe çdo pronë ishte e tij. Është llogaritur që rreth njëmijë familje sigurojnë një pjesë të fitimit për jetesë pikërisht duke u marrë me gështenjën.

Kultivuesit

Përgjegjësi i zyrës së bujqësisë në Tropojë, Sadri Danaj, tregon se vetëm privatizimi e ka shpëtuar gështenjën e kërkuar të Tropojës. "Po të mos ishte privatizuar në vitin 1996, kur vetë komuniteti në mirëkuptim ligjor me pushtetin vendor vendosën të ndajnë masivet e lisave të gështenjës, zor se mund flitej për to", thotë Danaj. Ai shton se në vitet e tranzicionit, zonave të veriut dhe lindjes iu shkaktua dëmi më fatal, ai i shkatërrimit të pyjeve, ku padyshim nuk do të bënte përjashtim gështenja. Megjithatë, gështenja nuk ka shpëtuar kudo. Në Kukës, në zonën e Shëmrisë, janë zhdukur qindra e qindra hektarë gështenja, qoftë nga sëpata, qoftë nga sëmundje të ndryshme, dhe ribërja e tyre është shumë e vështirë. Në Tropojë, kultivuesit që "ia kanë parë hairin gështenjës", siç shprehen banorët, kanë siguruar jo thjesht ruajtjen e traditës së hershme, por fitime jo të vogla për familjet e tyre, ndonëse nuk kanë pasur ndihmë nga shteti. Ramë Muja nga Lekbibaj tregon se mali i gështenjës që ka në pronësi është rreth 6 hektarë dhe ka gjithsej mbi 600 lisa (pemë) për të cilat kujdeset ashtu si çdo bimë tjetër, duke i pastruar, krasitur e spërkatur. "Gështenja nuk asht dru i thjeshtë, por si me qenë prej shpirti, mor zotni, llogarit ti, një lis jep çdo vit 30 kg gështenja, ndonjëherë edhe ma shumë, shumëzoi këto me 50 cent të euros, e shumëzoi prapë me 600 dhe llogaria del vetë", thotë Muja. Ai lë të kuptosh se ia vlen barra qiranë t‘i kushtohet shumë vëmendje kësaj peme, që është rritur krejt në mënyrë natyrore. Një llogari të ngjashme tregon edhe fermeri tjetër, Fran Zhivani, i cili kultivon dy hektarë me gështenja ku ndodhen 200 lisa. "Asht pemë e shenjtë", thotë shkurt Zhivani, "duhet mbillet në krejt Tropojën, se këtu është fitimi, nuk është fitimi tek gruri, por, nuk ke ç‘të bësh, shteti komunist i ka ba njerëzit demela dhe ia ka prishë mjedisin, se këtu ka pasë edhe ma shumë gështenja", thotë Zhivani. Ai nënvizon edhe faktin që përpjekja e tyre për mbijetesë ka dalë pozitive vetëm falë kësaj peme.

Tregu

Tregu i gështenjës së Tropojës është sa i lehtë edhe i vështirë. Është i lehtë për faktin se cilësia e saj e mirë është bërë e njohur për tregun evropian dhe shumë e kërkuar, por e vështirë realisht, sepse ka munguar infrastruktura dhe industria përpunuese. Gështenjat shiten zakonisht në pazarin e rrethit, por tregu më i madh i gështenjave bëhet në Gjakovë, ku shkon pjesa dërmuese e krejt prodhimit të Tropojës. Aty tregtarë të shumicës bëjnë me gështenjën kleringun me tregtarë të tjerë, apo me vetë shitësit, duke e këmbyer me miell ose e shesin me euro në dorë. Në Kosovë, një kilogram kushton 80 eurocent, ndërsa në tregun e brendshëm në Tropojë vetëm 35 deri në 50 lekë.

Vitet e fundit për gështenjat ka shfaqur interes edhe zyra rajonale e GTZ gjermane, e interesuar veçanërisht për përpunime jo të thella, siç janë fraksionizmi sipas madhësisë, konservimi, paketimi dhe paraqitja në treg. Edhe Banka Botërore, tre vite më parë, ka investuar për ngritjen e një linje përpunimi që aktualisht bën tharjen e gështenjave dhe disa procese të tjera të thjeshta. Rakipi, pronari i linjës, tregon se gati i gjithë prodhimi që kalon nëpërmjet linjës së tij shitej më parë në Gjermani dhe Zvicër, por këtë vit, siç duket ka oferta më të mira nga Belgjika dhe Italia.

Dru i rrallë

Njohësit e biodiversitetit tregojnë edhe druri i gështenjës është tepër i çmuar dhe mbrohet nga shteti, ndonëse shteti nuk ka qenë në gjendje ta mbrojë. Por edhe banorët kanë trashëguar një adhurim për këtë dru dhe pemë. "Ne e ruajmë si dru të shenjtë, sepse asht një dru që jep frut", tregon një banor, duke përshkruar edhe teknologjinë e vjeljes, e cila bëhet duke e shkundur me hunj përtokë, e më pas shkelet me këmbë duke ia çarë e hequr lëvozhgën me gjemba, e më pas i mbledhin një nga një. Është një punë tepër e vështirë, ndërsa "ata që hanë çokollatë nuk e dinë çfarë heqim ne me gështenjën, prej së cilës del mielli i çokolatës", tha në bisedë një fshatar në pazarin madh, i cili kishte sjellë dy thasë me gështenja për shitje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›