E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjeopolitika shqiptare, sërish e rrezikuar

Gjashtë pikat e propozuara nga Ban Ki Muni, pavarësisht se paralajmërojnë një erë të re të gjeopolitikës shqiptare, fatkeqësisht nuk ka marrë në Tiranë jehonën që meriton ky propozim për nga domethënia strategjike. Përqendrimi te rutina dhe grindjet e përditshme të brendshme të Shqipërisë, edhe njëherë siç është bërë zakon, ka eklipsuar dhe shpërfillur rrezikun që paralajmëron ky propozim tronditës për të ardhmen e Kosovës dhe mbarë shqiptarëve në rajon.

Pikësëpari, këto gjashtë pika janë duke cenuar pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke rivënë në pikëpyetje shumë prej shtyllave thelbësore të një shteti të pavarur e sovran. Këtë gjë e bën madje duke shkuar një hap më prapa se vetë Rezoluta 1244, duke i dhënë mundësi Serbisë që të jetë palë bashkëqeverisëse brenda Kosovës. Së dyti, është duke rishikuar disa elemente që ishin të trajtuara dhe kopsitura në hollësitë më të imëta prej pakos së Ahtisarit, duke konfirmuar institucionalisht ndarjen e pjesës veriore të Kosovës. Së treti, dhe që është më e rëndësishmja, ky propozim është mbështetur jo vetëm nga Serbia dhe OKB-ja, të cilat e kanë hartuar këtë marrëveshje, por edhe nga Bashkimi Evropian e për më tepër edhe përfaqësia diplomatike e SHBA-së në Kosovës është shprehur në favor të marrjes në konsideratë dhe shqyrtimit të këtyre pikave prej qeverisë së Kosovës. Asnjëherë prej vitit 1998 nuk ka rastisur të kemi pasur një pozicion më negativ të komunitetit ndërkombëtar ndaj çështjes së Kosovës dhe faktorit shqiptar. Ky është një ndryshim radikal, që dëshmon për një dorëzim, ose zhgënjim të vendeve mike të Perëndimit ndaj aftësive shtetëformuese të shqiptarëve në Ballkan. Rrënjët e këtij ndryshimi duhen parë te paaftësia e elitës politike shqiptare për të përfituar nga mundësitë e dhëna prej historisë së viteve të fundit dhe për të kapitalizuar dhe maksimalizuar pozitën shumë të favorshme ndërkombëtare që kemi pasur dekadës së fundit, kur flamurmbajtës të çështjes shqiptare u bënë SHBA-ja dhe një sërë vendesh të zhvilluara të Evropës.

Konkretisht, ky propozim çon drejt ndarjes së Kosovës, duke materializuar institucionalisht atë që kishte ndodhur në terren dhe që në fakt dëshmon edhe për dështimin e politikës shqiptare, për të siguruar përhapjen dhe konsolidimin e pushtetit të Prishtinës në të gjithë territorin e Kosovës. Pra, një njohje de jure e asaj që ekziston de facto.

Kjo situatë fatkeqësisht evokon një të kaluar të hidhur të Bosnjës, e cila ende sot është një bombë me sahat që rri e çaktivizuar vetëm prej prezencës në çdo kapilar të komunitetit ndërkombëtar. Bosnjë-Hercegovina u pranua si anëtare e OKB-së fill pas Kroacisë e Sllovenisë dhe qeveria e Sarajevës gëzoi njohje të gjerë ndërkombëtare, mirëpo kjo gjë nuk i dekurajoi serbët në projektet e tyre të zgjerimit të territoreve të kontrolluara dhe të pastrimit etnik. Edhe pse këto përpjekje në vetvete u dënuan nga mbarë opinioni ndërkombëtar, pasi kishin gjenocidin si instrument parësor, ato nuk shkuan kot, por u shpërblyen, pasi paqja e nënshkruar në Dejton në dhjetor të vitit 1995 njohu de jure atë që kishte ndodhur de facto në terren, pra avancimin e pozicioneve të serbëve. Sot Bosnjë-Hercegovina, nga një shtet që fillimisht u njoh nëpër botë si shtet sovran e i pavarur me territor kompakt, është njohur nga bota si një shtet jofunksional, me pushtet të fragmentuar në katër njësi, që do të zhytej në luftë nëse të huajt do të largoheshin.

Një ndjenjë e hidhur déjà vu mund të shihet me Kosovën, ku entuziazmi i shpalljes së pavarësisë dhe njohjes prej shumë vendeve perëndimore nuk u shoqërua me përpjekje të suksesshme në terren, për të siguruar ushtrimin e pushtetit në të gjithë territorin e Kosovës, për të mundësuar integrimin e popullsive minoritare, si dhe për të penguar e çmontuar strukturat paralele serbe të kontrolluara nga Beogradi. E kundërta ndodhi, dehja që erdhi nga shpallja e pavarësisë dhe njohja ndërkombëtare uli vëmendjen ndaj asaj që po gatuhej në Kosovë prej qeverisë së Beogradit dhe i dha rrugë të lirë përhapjes dhe çimentimit të strukturave paralele serbe jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe në komuna të tjera ku banojnë serbë. Pasiviteti, mungesa e iniciativës dhe kurajos së qeverisë kosovare, e cila mendonte që meqenëse çlirimi erdhi nga avionët e NATO-s edhe shteti detyrimisht do të ndërtohej prej Perëndimit, inkurajoi përpjekjet e Beogradit në terren, të cilat arritën kulmin e vet me organizimin e zgjedhjeve serbe në rehati të plotë më 11 maj në Kosovë. Madje kësaj radhe shuplaka ndaj pavarësisë erdhi jo thjesht nga organizimi i zgjedhjeve kombëtare, por edhe i atyre lokale brenda një shteti të shpallur të pavarur, të cilat nuk ishin lejuar më herët as nga UNMIK-u. Në pothuaj një dekadë gjysmëpavarësi e mandej pavarësi, ku shqiptarët kanë pasur gjithnjë e më shumë autoritet e dorë të lirë në terren, jo vetëm që nuk u mundësua shtrirja e kontrollit të Prishtinës në gjithë territorin dhe integrimi i popullsisë, por u bë një zmbrapsje konstante në terren përballë iniciativës këmbëngulëse të serbëve.

Plani gjashtë pikësh i OKB-së është një rezultat e për rrjedhojë shpërblim i kësaj këmbënguljeje në terren të serbëve dhe një ndëshkim ndaj mefshtësisë dhe mungesës së iniciativës e guximit të shqiptarëve. Mjerisht sërish topin në dorë e ka Beogradi dhe shqiptarët thjesht reagojnë. Këtë paaftësi shtetformuese pas shpalljes së pavarësisë të shqiptarëve e kanë vënë në dukje raportet e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Bashkimit Evropian, apo të tjerave organizma që kanë monitoruar Kosovën. Në vend që elita politike shqiptare të ishte vizionare dhe proaktive, duke mos reshtur në përpjekjet e saj për të kërkuar konsolidimin e shtetit të Kosovës, ajo ka qenë e tërhequr, e sëmurur nga një kompleks inferioriteti ndaj të huajve dhe në rastin maksimal thjesht reaktive në ato momente kur thika ka shkuar në palcë, sikurse ndodh tani.

Por, problemi i të qenit pasiv dhe reaktiv lidhur me çështjen e Kosovës nuk e ka thjesht Prishtina, por edhe Tirana dhe mbarë faktori shqiptar. Është e pafalshme dhe e pashpjegueshme heshtja e qeverisë shqiptare ndaj këtij plani tronditës që rihap "Kutinë e Pandorës". Të paktën ministri i mëparshëm, Besnik Mustafaj, pati kurajon patriotike që të deklaronte se po të vihej në tryezë çështja e ndarjes së Kosovës, Tirana nuk do të garantonte për zhvillimet e mëtejshme, të cilat do të preknin edhe kufijtë e Maqedonisë. Ndarja e Kosovës cenon disa nga parimet më thelbësore të raporteve ndërkombëtare të Ballkanit, pasi krijon një precedent, ku shtetet që kanë rrjedhur prej Jugosllavisë të mos respektojnë kufijtë që kishin si entitete kur ishin pjesë e Jugosllavisë. Përpos kësaj, rishtron në tryezë idenë e ndërtimit të shteteve të pastra kombëtare dhe i jep udhë idesë së homogjenizimit kombëtar në Ballkan.

Mirëpo Tirana nuk mund të rrijë pasive në këtë lojë, sikurse ka bërë deri tani e të reagojë me retorikë vetëm atëherë kur të jetë bërë katastrofa. Nëse ndodh ndarja e Kosovës, skenari është me të vërtetë i rrezikshëm, pasi po morën serbët veriun e Kosovës, potencialisht gjithë serbët në komunat e tjera do të shkojnë në veri dhe Serbia nuk do e ketë për gjë që të shpopullojë luginën e Preshevës nga shqiptarët, pasi Kosova nuk do mund t‘i kërcënojë me reprezalje në Kosovë.

Është e domosdoshme që elita politike shqiptare të ndërgjegjësohet e të marrë përsipër përgjegjësitë që i ngarkon ky moment historik, duke kërkuar me ngulm në komunitetin ndërkombëtar, që nëse vihen në jetë standardi i homogjenizimit etnik dhe shkeljes së parimeve të Badinterit, ato të aplikohen kudo e jo vetëm në kurriz të shqiptarëve. Më së paku, në këtë situatë duhet diskutuar që në shkëmbim të komunave Zubin Potok, Zveçan, Leposaviç, trungut shqiptar t‘i bashkohen krahinat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës. Por ç‘është më e rëndësishmja, kjo do të thotë që nëse komuniteti ndërkombëtar i jep shtetit xhelat të Ballkanit mundësinë për të bërë një bashkim etnik, atëherë edhe ne të bëjmë çmos që të rishtrohet në tryezë seriozisht ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe të rishikohet me këmbëngulje e ardhmja e territoreve shqiptare në Republikat e Maqedonisë dhe Malit të Zi. Nëse sërish elita politike shqiptare qëndron pasive edhe kësaj radhe, duke lejuar pa rezistencë që stabiliteti i Ballkanit të imponohet nga jashtë, sërish, pa pjesëmarrjen dhe në kurriz të kombit shqiptar, ajo ka për të mbajtur në histori një njollë të madhe tradhtie të interesave kombëtare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›