E Diel, 1 Nëntor 2026

"Take That": Jemi gati!

"Kur Robi Uilliams u largua nga grupi në vitin 1996, për një moment na u duk se gjithë bota na ra sipër. Dritat u fikën dhe ne të katërt u zhdukëm nga radari. Dhjetë vjet më vonë u kthyem sërish me "Beautiful World" dhe fansat na rikthyen çelësat për të hyrë në parajsë". Kështu, në më pak se 30 sekonda, Geri Barlou, solisti dhe kompozitori kryesor i grupit anglez, flet për suksesin e jashtëzakonshëm të grupit të tij. "The Circus" është albumi që pritet të dalë më 28 nëntor. Një album i mrekullueshëm i muzikës pop, kandidat për të zënë vendin e parë nëpër klasifikimet anekënd botës.

Geri, tregohuni i sinqertë, a e mendonit se "Take That" do të ngjiteshin sërish në krye edhe pa Robi Uilliamsin?

Jo, sepse në botën e biznesit të muzikës, kur të jepet një mundësi e parë, është një privilegj. Ndërsa e dyta shumë rrallë vjen dhe atëherë kur vjen, duhet të dish ta kapësh. Megjithatë, ja ku jemi, më të mirë se më parë, me gra e fëmijë dhe dhjetë vjet rrudha më shumë, për të mbushur sërish stadiumet dhe për të shitur miliona CD.

Ndërsa ju bëni këtë, Uilliams kërkon në shkretëtirat e Amerikës ndonjë gjurmë për UFO-t...

Më shumë se sa një hobi për të, është një pasion që e ka përfshirë. UFO-t i kanë hyrë në gjak dhe ai është shumë i dhënë pas kësaj çështjeje. Kohët e fundit e pashë në Los Anxhelos dhe më foli gjatë për gjuetinë e tij ndaj objekteve fluturuese. Për fat, diskutuam edhe për muzikën. I pëlqyen shumë këngët e "The Circus" dhe di që edhe ai po shkruan pjesë për një CD të re. Megjithatë, Robi nuk është i vetmi nga ne që ka probleme me alienët (thotë duke u drejtuar nga shoku i grupit, Hauard Donald, që është ulur pranë tij.

Edhe ju Hauard merreni me objektet e paidentifikuara që vijnë nga një tjetër botë?

Nuk mund të them se ky argument nuk më intereson (tregon duke u skuqur), por ju siguroj se nuk i kaloj netët duke soditur qiellin. Megjithatë, nëse flasim për muzikën, është më mirë...

Po mirë, edhe albumi i ri i Britni Spiërs, që pritet të dalë në dyqane më 2 dhjetor, titullohet "Circus". Nuk mund të binit dakord për emrin?

Nuk e dinim që edhe ajo kishte zgjedhur këtë titull. Megjithatë, jam i sigurt se askush nuk do t‘i ngatërrojë. CD-të tona kanë në kopertinë katër djem seksi, jo shumë të rinj, por gjithsesi tërheqës dhe simpatikë.

Më falni Geri, po ju e ndjeni akoma veten si një seks simbol?

Nëse e shoh veten në pasqyrë, nuk jam edhe aq keq, megjithatë tashmë e kam kaluar atë fazë të jetës kur e quaja veten seks simbol. Por, ta mbash veten për më të bukurin e grupit sot në moshën 37 vjeç, me grua dhe fëmijë, do të ishte paksa qesharake. Në këtë mënyrë jeta ime do të shndërrohej në një ferr. Do më duhej të bëja si seksi para telekamerave, ndërsa dhjetë minuta më vonë do duhej të vrapoja në supermarket për të blerë ushqime për fëmijët. Nuk dua të jetoj një jetë të dyfishtë.

Në vitet e kaluara, ju dhe Uilliams nuk i keni kursyer vetes sjellje të tilla, të denja për adoleshentë. Për çfarë ju vjen më shumë turp?

Rreth vitit 1999 ai ishte duke u bërë një yll me famë ndërkombëtare, ndërsa unë isha vetëm një hap larg nga "gremina". Incizoja disqe si solist, por askush nuk i vinte re dhe për këtë isha shumë i tensionuar. U kërkoja producentëve të më organizonin një tur, ndërsa ata më qëndronin larg, sikur kisha ndonjë sëmundje ngjitëse. Me pak fjalë, asgjë nuk më ecte mbarë. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, lexoja gjithë deklaratat mbushur me sarkazëm që Uilliams thoshte për mua. Kështu, për të marrë hak, një ditë mora një CD të Robit dhe ia çova shitësit duke i thënë: "Këngët e këtij disku janë plehra. Më riktheni paratë e mia". Për këtë ngjarje, me thënë të drejtën, nuk ndihem shumë krenar.

Keni vuajtur shumë në atë periudhë?

Po, sepse nuk arrija të punoja. Kisha hijen e tij gjithmonë nga pas. Hyja në ndonjë klub nate dhe të gjithë më pyesnin: "Si është Robi, miku yt i famshëm"? Pastaj shkoja në ndonjë dyqan CD-sh dhe shitësi vinte muzikën e tij, duke më parë me një buzëqeshje tallëse. Fundi i suksesit më bëri të kuptoj se si janë gatuar njerëzit: të hedhin menjëherë poshtë. Ndaj, për disa muaj rresht nuk dola fare nga shtëpia.

10 vjet më parë, hotelet ku akomodoheshit mbusheshin dhe rrethoheshin nga mijëra fansa, mbi të gjitha vajza. Sot, në hotel janë vetëm të afërmit tuaj, që dëgjojnë para kohe "The Circus", duke rrëkëllitur çajin ngadalë. Jeni nostalgjikë për kohët e vjetra?

Me thënë të drejtën jo, edhe pse atëherë ne ishim manekinë për t‘u adhuruar. Gjithçka rreth nesh ishte ndërtuar për të krijuar histeri dhe fanatizëm të pakontrolluar. Në fakt, funksiononim si një makinë perfekte që fitonte mijëra stërlina. Megjithatë, pozicioni që kemi tani është më i sigurt dhe më afër realitetit.

Një pyetje pak e ashpër: në 2006-ën u bashkuat sërish sepse ju mbaruan partë?

Nuk ishte çështje parash. Të katërt kishim aq të ardhura sa të jetonim pa e vrarë shumë mendjen për para. Problemi ishte i një natyre tjetër: domethënë, të ishe 30 vjeç dhe pa asnjë objektiv për të ardhmen. Unë dëshiroj një jetë që ia vlen ta jetosh. Sigurisht, kur u ribashkuan "Take That", askush nuk mund ta imagjinonte se çdo të ndodhte.

Çfarë mund të na thoni për këtë valë të dytë të "Take That" manias?

Është gjëja më e bukur që mund të na ndodhte. Puna jonë u shpërblye. Në të vërtetë mendoj se gjërat kanë shkuar kështu: fansave të vjetër iu bashkuan të rinj që vendosën të na dëgjonin për herë të parë. Madje edhe kritikët që gjithmonë kanë qenë shumë të ashpër me ne, u treguan më të butë. Nuk shkruajnë më se jemi katër gomerë që vetëm stonojmë. Shprehja ime e preferuar ishte ajo e një gazetare australiane, ku shkruante: "Mes dizenterisë kronike dhe ‘Take That‘, nuk di se çfarë të zgjedh". Dëshiroj ta përshëndes për këtë...

Si lindi "Take That"

Grupi britanik konsiderohet si pasardhës i "Beatles". Ai u formua në 1990-ën dhe përbëhej nga 5 djem. Tashmë ata janë vetëm katër, pas largimit të Robi Uilliam, që vazhdon karrierën si solist. Houard është pjesëtari më i vjetër në moshë. Ai ka lindur më 28 prill 1968, në Mançester. Xhezon ka lindur më 10 korrik 1970, po në Mançester. Geri më 20 janar 1971, ndërsa Mark Ouen më 27 janar 1972. Kështu, grupi i pesë djemve të famshëm që u formua në mesin e viteve 1990, ende sot konsiderohet si pionier i muzikës pop në Mbretërinë e Bashkuar. Jo më kot, në atë kohë, u shndërruan në idhujt e një brezi të tërë adoleshentësh dhe vajzash në të gjithë Evropën. Në fillim grupi përbëhej nga Barlou, Ouen, Orange, Donald dhe Uilliams. Ky i fundit u largua nga banda në korrik të vitit 1995, duke i hapur kështu rrugën prishjes së grupit, që ndodhi më 13 shkurt të vitit 1996, ditën e datëlindjes së Robi Uilliamsit. Pjesët e mrekullueshme të muzikës pop dhe baladat soul të "Take That" kanë dominuar klasifikimet britanike dhe ato evropiane në mesin e parë të viteve ‘90. Dy nga albumet më të shitura të atij dhjetëvjeçari ishin "Everything Changes" në 1993-shin dhe "Greatest Hits" në 1996-ën, duke shitur gjithsej 15 milionë disqe nga ‘93 deri në ‘96, si dhe rreth 50 milionë të tjerë që nga periudha e shkrirjes së tyre e deri më sot. Grupi u ribashkua në vitin 2006, por kësaj radhe pa Robin, për një seri koncertesh në Britaninë e Madhe dhe Irlandë. Pas suksesit të arritur me këto koncerte, grupi vendosi të kthehej sërish. Në fund të vitit 2006 doli albumi "Beautiful World", i paraprirë nga singëlli "Patience", që u bë menjëherë një nga hitet më të suksesshme në vendet e ndryshme evropiane. "Beautiful World" konsolidoi kështu famën e grupit. Një numër i madh këngësh korrën sukses të jashtëzakonshëm. Duke parë këtë sukses të papritur, grupi zhvilloi 49 koncerte, që nisën nga 15 tetori 2007 në Belfast dhe u mbyllën më 23 dhjetor 2007 në Mançester. Më 24 nëntor pritet të dalë edhe albumi më i ri, "The circus", i paraprirë nga singëlli "Greatest Day".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›