E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë: Rikthimi negativ i statusit

1.

Dy dokumente kanë shkaktuar që Kosova zyrtare dhe ajo pjesë mediale që ishte deri më sot e heshtur, të ndeshen me realitetin, pas më shumë se gjysmë viti të një pasqyrimi rozë të gjendjes në vend.
I pari është Raporti i Progresit i BE-së, të cilin qeveria e vendit e ka pranuar si realist. I dyti është plani gjashtëpikësh i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, bazat e të cilit ende janë duke u trajtuar nga Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës, ndonëse "elementet substanciale të tij" janë refuzuar.

Dokumenti i parë e përshkruan Kosovën si një shtet të dobët dhe të ndarë territorialisht. Dobësia e shtetit qëndron, pos në atë se është de facto i ndarë, edhe në dobësitë e theksuara administrative/qeverisëse dhe në deficitin e theksuar demokratik.

Dokumenti i dytë e trajton Kosovën si një vend me një status të papërmbyllur, pa sovranitet, e me nevojë që për funksionimin e vet të brendshëm të kërkojë pëlqimin e Beogradit zyrtar.

Dokumenti i parë, përkundër përshkrimit që e vë Kosovën në fund të çfarëdo liste të perspektivës evropiane, megjithatë avancon dimensionin evropian të saj, duke premtuar një studim fizibiliteti për atë që do të duhej të ishte Procesi i stabilizim-asociimit. Kjo, ndonëse është pika tërësisht fillestare, megjithatë është një avancim krahas pikës së deritanishme, një mekanizmi ad-hoc, të quajtur Mekanizëm përcjellës, të aplikuar në mungesë statusi.

Dokumenti i dytë është një hap prapa dokumentit të parë. Në të, në vend të Kosovës së pavarur, të shpallur duke u mbështetur edhe në Paketën "Ahtisaari", propozohet një proces tjetër negociator që duhet të definojë një status të ri juridik të Kosovës. Pra, 6 pikët e sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara kanë efektin e drejtpërdrejtë, në një masë e suksesshëm, që statusi i Kosovës të mos quhet i përmbyllur.

2.

Përkundër qasjeve të ndryshme, ekziston një ndërlidhje mes këtyre dy dokumenteve. Në Raportin e BE-së është theksuar se njëra prej dobësive themelore të shtetit të Kosovës është dualiteti apo shumëfishësia e pushteteve, përzierja e kompetencave, që reflektohet në çdo fushë, prej sundimit të ligjit deri në ekonomi. Raporti i komisionit në mënyrë bazike konstaton se Kosova nuk ka mundur të funksionalizojë sundimin e ligjit apo të krijojë kapacitet më të fortë administrativ, sepse ka funksionuar e ndarë me institucionet e veta paralele. Është ky një problem i qartë strukturor, i cili ka penguar funksionimin e shtetit. Ekzistimi i strukturave paralele është në fakt ekzistimi i çështjes së statusit apo më mirë të themi të të konsideruarit të hapur çështjen e statusit.

Kësaj ndarjeje i jep formë juridike ndërkombëtare dokumenti 6- pikësh i Ban Ki Moonit.

Dy janë modalitetet me të cilat ky dokument dhe këto pika prekin në statusin e Kosovës.
Fillimisht me formë. Me të, ka pesë muaj që po zhvillohet një proces negociator, pas përmbylljes së atij dyvjeçar me Presidentin Ahtisaari, e duke i nxjerrë për negociatë disa nga çështjet që tashmë janë quajtur të përmbyllura. Po të marrim vetëm një pikë të këtij dokumenti, e jo gjashtë, po të ishte ky proces negociator vetëm rreth një pike, për shembull asaj të trashëgimisë kulturore, do të shihej se po ndërtohet një precedencë e re që dëmton statusin e Kosovës. Gjatë procesit "Ahtisaari", delegacioni kosovar elaboroi, deri në hollësi, mënyrën e mbrojtjes dhe zhvillimit të trashëgimisë kulturore dhe religjioze të serbëve dhe ky projekt jo vetëm që u përkrah nga ekspertë ndërkombëtarë, por u përkrah edhe nga vet Kisha Ortodokse serbe. Rihapja e kësaj çështjeje, në procesin e Ban Ki Moonit, duke kërkuar pëlqimin e Beogradit, do të thotë anulim i procesit "Ahtisaari", i cili, për ironi, ishte i përkrahur me shkrim nga vet Ban Ki Moon në letrën e tij përcjellëse Këshillit të Sigurimit. Theksi, siç po shihet, nuk është, për shembull, te mbrojtja e trashëgimisë religjioze, por te vendosja e një formati të ri negociator, në të cilin Beogradi e paraqet veten si bashkëpërgjegjës, apo bashkëndërtues të sovranitetit të Kosovës.

Modaliteti tjetër ka të bëjë me përmbajtjen. Gjashtë pikat, të cilat janë prezantuar në letrën e Ban Ki Moonit, ishin paraqitur në fillim të këtij viti si propozime të zotit Samarxhiq, njëri prej negociatorëve kryesorë të Serbisë. E ato qenë në thelb propozime që janë trajtuar gjatë dy vjetëve në procesin negociator të udhëhequr nga Presidenti Ahtisaari dhe janë refuzuar në mënyrë konsistente në të gjitha pikat nga delegacioni i Kosovës, e më vonë edhe nga ndërmjetësit. Arsyeja për refuzim ka qenë e thjeshtë, sepse me këto propozime nga Beogradi është bërë përpjekja për instalimin e rrafshit të tretë të pushtetit, një pushtet që do të ishte jashtë atij vendor dhe qendror, me të cilin Beogradi do të sundonte në pjesët e Kosovës të banuara me serbë, por edhe me çdo gjë tjetër, joterritoriale që ka të bëjë me serbët e Kosovës.

Po të miratonte Kosova planin 6-pikësh, atëherë Raporti i progresit i BE-së për vitin 2009 do të ishte edhe më i keq se ky tani. Përzierja edhe më e ndërlikuar e pushteteve, e kompetencave, e paqartësive administrative do të shtynin vendin që të shënojë një regresion të theksuar.

3.

Raporti negativ i progresit për vitin 2009, megjithatë, nuk do të ishte vetëm raporti negativ i Kosovës, por në masë të madhe i BE-së në Kosovë.

Zvarritja gjysmëvjeçare në zbarkimin e EULEX-it dhe roli i deritanishëm konfuz i ICO-s tashmë kanë marrë tagrin e vet në zbehjen e legjitimitetit të tyre. Ky proces i zbehjes së legjitimitetit do të mund të shkonte deri në fund nëse shtrirja e EULEX-it, bëhet me planin 6-pikësh, duke krijuar dy sisteme juridike operacionale për të në vend dhe duke mos hyrë nga dera legjitime e Kushtetutës së Kosovës por nga kapixhikët e një procesi negociator të papërkrahur nga shumica e popullatës së Kosovës.

Në këso situate, prania ndërkombëtare ka rast të ndikojë negativisht në qeverisjen e vendit, për dy arsye kyçe. E para, prania evropiane ka mundësi që me këso lëmshi të vazhdojë precedencën e krijuar të UNMIK-ut, të fajësimit të ndërsjellë. Në situatë paqartësie administrative, qeveria vendore e ka të lehtë që të gjejë alibi për dështimet e veta në fajësimin e pranisë ndërkombëtare. Dhe anasjelltas, prania e ardhshme ndërkombëtare, e komprometuar që në fillim, mund të arsyetojë dështimet e veta, duke fajësuar kosovarët. E dyta, e rrjedhimisht nga e para, një gjendje e këtillë delegjitimimi dhe paqartësie, do të reflektohet negativisht në mekanizmat e llogaridhënies, pra të njërit prej instrumenteve bazike jo vetëm të administrimit të suksesshëm, por edhe të vet demokracisë. Në mungesë të qartësisë së kompetencave, do të humbasë në peshë instrumenti korrigjues demokratik.

Kështu, prania ndërkombëtare mund të thellonte edhe më deficitin demokratik të pranishëm në Kosovë. Në këtë vend, mos të harrojmë, është ngritur, apo është në kontinuitet, një sistem vlerash në qeverisje që nuk është i përbashkët me demokracinë. Të jap tre shembuj të thjeshtë.

Një kryetar komune u dënua me burg për shkak të presionit fizik ndaj gjyqësisë, dhe vajtja e tij për mbajtjen e dënimit nga politika në pushtet u quajt si kontribut i sundimit të ligjit. Në një interpretim të këtillë të çoroditur, banorët e burgjeve të Kosovës do të ishin kontribuuesit më të mëdhenj të sundimit të ligjit.

Shembulli i dytë: zhbërja e shërbimit sekret të partisë në pushtet, SHIK. Akti publik i zhbërjes, në TV, u quajt po ashtu një kontribut për demokraci dhe sundim të ligjit. Nuk u problematizua as për një herë në mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë të këtij shteti, fakti se me shuarjen publike të SHIK-ut (apo me veprimin jopublik, e të pasanksionuar institucionalisht) çështja e ndjeshme e shërbimit sekret është legjitimizuar me të drejtën qytetare të të vepruarit brenda një partie politike.

Shembulli i tretë: akti i zhbërjes publike të SHIK-ut u bë në RTK, institucion i informimit publik. Në formën e vet jokritike transmetuesi publik u vu në shërbim të një institucioni jopublik, i cili për më tepër mori nga shteti atë që shtetit i përket, monopolin mbi dhunën. (Në raportin e BE-së thuhet se ekziston presion ndaj mediave).

Kosova sërish mund të gjendet në rrezik që të përsërisë formulën jodemokratike të rehatisë mes vendorëve dhe ndërkombëtarëve. Vendorët do të ofrojnë stabilitet (lexo: mungesë problemesh të dhunshme) në këmbim për përkrahje politike ndërkombëtare (lexo: mbyllje sysh para veprimeve joligjore apo jodemokratike).

4.

Në Kosovë ekziston rrezik serioz që gjatë këtyre ditëve të vendosen pengesa strukturore për zhvillimin e demokracisë dhe shtetësisë.

Pushteti ekzekutiv është pothuajse fare i pakontrollueshëm me instrumentet e demokracisë. Sot për sot, e me përshkrimin e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, ekziston një marrëdhënie e çoroditur mes Qeverisë dhe Parlamentit, ku ky i dyti pak a shumë shërben si aparat transmisioni i ekzekutivit. Kjo çoroditje zhvillohet në kushte kur gjyqësori është krejtësisht joefikas, apo është aq i dobët sa të duket joekzistent.

Një pushtet i këtillë, i pambikëqyrur nga instrumentet e demokracisë (me përjashtim të izoluar të një pjese të mediave) do të rritej nevoja për rolin korrigjues të bashkësisë ndërkombëtare. Por, për të komplikuar gjendjen edhe më, ky rol korrigjues ndërkombëtare mund të luhet vetëm me legjitimitet të plotë të ICO dhe EULEX-it.

Paradoksi i këtyre ditëve është se demokracia dhe shtetësia kosovare kanë nevojë për ICO e EULEX me fuqi të plotë, por kapixhiku 6 pikësh për shtrirjen e tyre të plotë në tërë territorin e Kosovës do t‘ia humbiste legjitimitetin e nevojshëm te popullata.

Sot për sot, kemi një mungesë të qartë të asaj që quhet "Check and Balances", ashtu siç është portretuar edhe në raportin e Komisionit Evropian, kemi një mungesë të qartë ose një dobësi të qartë të gjyqësorit dhe mund të kemi një dobësi të elementit korrektues ndërkombëtare. Nëse ICO dhe EULEX nuk e kanë legjitimitetin e tyre që del nga një tërësi e komplikuar në pakon e Ahtisarit, legjitimiteti i tyre do të dobësohet, pra edhe kapaciteti i tyre korrektiv do të dobësohet. Imagjinoni se EULEX-i dhe ICO-ja hyn në Kosovë me këtë 6 pikësh, i cili në masë të madhe refuzohet nga shqiptarët e Kosovës, si do të mundet atëherë që ICO dhe EULEX të ndërmarrtë hapa korrektivë politikë apo ligjorë. Kjo nuk do të mund të ndodhë nëse nuk ekziston një legjitimitet bazik në këtë shoqëri.

Pyetja të cilën do të duhej ta kishte gjithkush që mendon se EULEX-i mund të hyjë dosido në Kosovë është se si do ta bëjë arrestimin e parë ndaj një, të themi, ndonjë funksionari të korruptuar publik që ka përkrahjen e votës së popullit?

Kosova, shtet i dobët dhe i ndarë, siç përshkruhet në Raportin e Progresit, tash ballafaqohet me 6 pikat që mund ta bëjnë më të ndarë, më të dobët - dhe joshtet

(vijon)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›