E Diel, 1 Nëntor 2026

Na e kaloi edhe Kanuni...

Kur këtu e një dekadë më parë politika shqiptare nisi të marrë në diskutim edhe "plagën" e kahershme të Kanunit, shumëkush u gëzua, madje edhe vetë malësorët, të cilët e ndjenin veten të mbërthyer nga një darë shekullore. Askush nuk i kishte ndihmuar të shpëtonin nga izolimi i tyre shekullor, askush nuk u kishte çuar rrugë, urë, dritë shkollë. Në betejën shtet-Kanun kishte filluar i pari vetëm sa herë që ishte shfaqur me formën e përgjakur të diktaturës. Vetëm Mbreti Zog i përdori të dyja mjetet, edhe dajakun, edhe joshjen me poste dhe me lehtësira të tjera. Pas ‘90-ës sigurisht që do të rishfaqej vetëgjyqësia në mungesën totale të shtetit. Kjo mungesë vazhdoi gjatë dhe në mënyrë të pajustifikueshme. Politika e madhe e Tiranës e kishte hallin gjetiu, të forconte pushtetin e saj, të zhdukte kundërshtarët - të cilët i konsideronte armiq dhe jo rivalë - dhe, sikurse ka ridalë kohët e fundit, të stërmbushte xhepat me para. Malësorët e harruar kishin vetëm dy rrugë, ose të zbrisnin drejt fushave, në kërkim të një fati të panjohur, ose të vazhdonin të shtynin ditët në shkrepat e tyre të izoluara, duke u komanduar ende nga Kanuni i të parëve. Megjithatë, disa gjëra u kryen, shumë diskutime dhe ndryshime ligjesh diku çuan. Vetë djemtë e maleve shkuan e panë jashtë vendit se është më mirë të punosh me familjen duke i harruar hasmëritë e vjetra se sa të rrish i fshehur në Kullën e Ngujimit duke fjetur me pushkën nën krye. E gjithë kjo fushatë u krye nën parullën e modernizimit dhe evropianizimit të Shqipërisë. Vetë Kanuni u identifikua marrëzisht vetëm me gjakmarrjen, duke e cilësuar jo si një ligj që ruante paqen ndër male, por si një kod vrastar që nxiste kriminelët. Nejse, injoranca është bashkudhëtare e dijes, e rëndësishme ishte asokohe që po luftohej primitivja në shoqërinë e porsarilindur shqiptare. Por punët paskan qenë krejt ndryshe. Primitivja e dikurshme na paskësh qenë fort e mbarë për kohën, ndërsa primitivja e sotme jo vetëm nuk na ka zgjidhur gjë, por e ka mbërthyer vendin në një ngërç absurd.

Për t‘u shpjeguar më mirë duhet t‘u hedhim një sy librave të historisë juridike. Ne zakonisht themi "Kanuni" duke pasur parasysh vetëm Kanunin e Lekë Dukagjinit, ligjin që sundoi në Veri dhe Veriperëndim të vendit, por po aq të fuqishëm kanë qenë edhe Kanuni i Skënderbeut në Kurbin, Kanuni i Dibrës në Verilindje dhe Kanuni i Labërisë, në Kurvelesh dhe në zonat rreth tij. Figurat kryesore në to, me ndryshime lokale sigurisht, ishin pleqtë. Ishte më parë plaku i shtëpisë, pastaj plaku i fisit apo i mëhallës, pastaj ai i fshatit, apo bajraktari dhe kështu me radhë. Vendi i vendimeve ishte Kuvendi - i vetmi term që politika e sotme ka adoptuar nga të moçmit tanë - në të cilin vendoseshin pas diskutimesh të gjata çështjet më madhore, e drejta e pronës, e drejta penale, e drejta e trashëgimisë, elemente të Kodit Civil, madje edhe dënime me vdekje, apo internime dhe së fundi edhe hyrja në kryengritje, pra shpallja e luftës. Këta pleq, të miratuar dhe të besuar verbërisht nga populli, nuk zgjidheshin si sot. Ata nuk e kishin telashin e madh, të sajuar të Kodit të ri Zgjedhor, as nuk bënin pjesë në ndonjë parti politike, as nuk u duhej të bënin propagandë elektorale apo aleanca. Populli u besonte thjesht, sepse ata ishin "burra" në kuptimin e vërtetë të fjalës. Jeta e tyre kishte në thelb vetëm një fjalë të rëndësishme: nderin. Se si dreqin ia bënin këta njerëz të mençur, por pa mastera e akademira të zgjidhnin çështje të koklavitura në vendin më të dërrmuar të Ballkanit, këtë hajde merre vesh. Me sa duket, ata i besonin nderit të njëri-tjetrit dhe duke qenë kështu, edhe populli u besonte atyre. Askush nuk ua bënte fjalën dysh. "…Në këto kuvende, secili kishte të drejtë dhe detyrë të shprehte lirisht mendimin e vet për çështjen që po shqyrtohej - shkruan prof. Ismet Elezi në veprën e tij mbi Kanunin e Labërisë - të gjithë kuvendonin lirisht me rregull e urtësi shembullore, pa ndrojtje e mëdyshje. Kjo liri mendimi sanksionohej e mbrohej plotësisht nga normat e së drejtës zakonore, e cila i shpallte burrat shqiptarë si të barabartë para Kanunit…". Kjo shprehja "me rregull e urtësi shembullore", e cila dëgjohej shpesh dikur ndër malet e Kurveleshit, është një gjë që rrallë është parë në Kuvendin shqiptar të mijëvjeçarit të tretë.

Thamë më parë, se për të parët tanë të dikurshëm nderi, besimi, fjala e dhënë ishin të shenjta. Për të parët tanë të sotëm duket se ka të tjera gjëra të rëndësishme: etja e pamat për pushtet dhe fitimi, mosbesimi ndaj rivalit brenda dhe jashtë partisë ku bën pjesë, shikimi i tjetrit si një armik dhe jo si një bashkëjetues, provokimi dhe nxitja e luftës në vend të paqes, shpifja, intriga, shikimi i hakërryer në vend të atij të drejtë, mospërfillja e atyre që ka poshtë dhe që i kanë dhënë votën, megalomania e të qenit njeri që vendos mbi fatet e shqiptarëve, arrivizmi i pafund… Sidoqoftë kjo mori fjalësh të liga nuk mund t‘i zëvendësojë fjalët e mbara: nder, fjalë e dhënë, besim. Kanuni, ai primitivi i dikurshëm, na e ka kaluar edhe një herë ne primitivëve të mijëvjeçarit të tretë. Deri më tani kemi përdorur termin "politika", duke pasur parasysh pjesën e saj më të nxirosur. Sigurisht, brenda saj ka edhe burra e gra të ndershëm e idealistë, porse, për fatin e keq të shqiptarëve, këta deri më sot nuk kanë arritur ta shërojnë vendin e tyre të punës nga e liga që e ka mbërthyer.

Për ta bërë disi më zbavitës këtë shkrim, që mund të duket ca i rëndë për një fillim jave, po iu paraqesim më poshtë një histori të vërtetë nga Lura. Ka ndodhur në kohët e Luftës së Parë Botërore. Citimi është marrë nga libri fort i mirë: Xhaferr Martini, Kanuni i Dibrës, Arbëria, 2003.

"…Lura ka 12 shpi pleqsh. Ata kishin vu Kararet e Dheut që s‘mundej me i shkelë kërkush. Pushtuesit austriakë ban dam në Lurë, vranë e prenë shumë burra. Në Lurë atë kohë hipi hasmni e madhe e u prishën Kararet e Dheut. Mos me u faru kret, u mblodhën gjith burrat e Lurës me gjetë nji zgjidhje. Dhan e morën, po kaq shumë ishin gatrrue punët, sa s‘kishte burrë që i shkatrrote.

Herën e funit, kur e kishin da mendjen mos me u mbledhë ma, ngrehet njani e thotë: ‘T‘ja lamë Musë Vladit. Si të thotë ai, do bajmë!‘. Kështu thanë ene shumë burra të tjerë. Musë Osman Vladi ishte burrë i vjetër, i urtë e i mençëm. Fliste rrallë, po fjalën s‘ia luente topi. Ai u tha: ‘Unë e di si duhet da kjo punë, po ka me ju randue shumë! S‘kemi me i ndejt!‘. ‘Do t‘i rrimë, do t‘i rrimë‘, thanë të gjithë. Musë Vladi u çue e tha: ‘Kararet e Dheut të parët i kanë prishë Pleqtë, ata që i kanë vu. Pranaj do të dënohen 12 shpitë e Pleqve e jo populli mbarë se s‘ka faj populli. Dënimi asht ky. 12 shpive të Pleqve do t‘u djegim shtëpitë, do t‘u marrim qetë prej grazhdi e do t‘ua therim. Mishin do t‘ua ndajmë katunit, kujt pesë e kujt gjashtë kile. Mbasi të bahet kjo, po bani kush pushkë, ka dënimin me vdekje. A i rrini këtij karari?‘.

I rrimë, i rrimë!
‘Nesër ka me fillue zbatimi i dënimit‘, tha Musë Vladi. Të parët u dogjën dy shpi të Vladit, se Vladi kishte dy shpi pleqsh, u dogj nji shpi ke Aldedet, dy shpi ke Ajazi, se Ajazi kishte dy shpi pleqsh, dy shpi ke Tollja, nji shpi ke Gjoçi, nji shpi ke Skana, nji ke Nezha, nji ke Xhogjeka e nji ke Kaci. Me djegë shpitë dolën të parët miqtë e këtyne shpive, mbasandej populli mbarë. Mbasi u ba kjo punë Lura ra në qetësi…".

Me sa duket, që në atë kohë nuk paska qenë edhe aq e kollajtë për të parët e vendit që të bëjnë zullume.

*** *** ***

Nëse ndonjë nga të parët e sotëm ka interes dhe kohë që të mësojë diçka më tepër se si i kryenin të parët tanë të moçëm punët edhe pa u zgjatur shumë me Kodin Zgjedhor. Këtyre u rekomandojmë: "Shtjefën Gjeçovi, Kanuni i Lek Dukagjinit, me parathënie të Gjergj Fishtës, Albinform, Tiranë 1993; Frano Ilia, Kanuni i Skënderbeut, Milot 1993; Ismet Elezi, E drejta zakonore e Labërisë, Toena, Tiranë 2002; Xhaferr Martini, Kanuni i Dibrës, Arbëria, Tiranë 2003".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›