E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gëzim Kame: Të gjithë me huqe, me mesazhin e altruizmit në skenë

Regjisori vjen në Teatrin Kombëtar duke trajtuar problematika, të cilat shqetësojnë shoqërinë tonë
Të gjithë me huqe, është vepra teatrore e cila do të vijë premierë në skenën e Teatrit Kombëtar  me regji të Gëzim Kames. Shfaqja mendohet të shfaqet për publikun në datën 2 maj. Titulli origjinal i kësaj vepre është Toc-Toc e dramaturgut francez Laurent Baffi. Kjo komedi vjen e përshtatur në gjuhën shqipe nga Nonda Varfi dhe Viktor Bakillari. Pas vënies në skenë të dramës Pjata prej druri, dhe Kohë për tu çmendur, regjisori Gëzim Kame vjen dhe këtë herë në Teatrin Kombëtar, duke trajtuar problematika të cilat shqetësojnë shoqërinë tonë. Historia e një neuropsikiatri, i cili njihet për aftësinë e tij për zhdukjen dhe shërimin e fobive të pacientëve, do të vijë në skenë për publikun nga një trupë aktorësh të njohur të skenës si: Rajmonda Bulku, Roland Trebicka, Fatos Sela, Olta Daku, Ermela Teli dhe Genc Fuga. Edhe komedia franceze, ka lindur si reagim i shqetësimeve të përditshme dhe Kame, ka menduar ta përshtatë atë me ambientin shqiptar. E kam zgjedhur këtë vepër pasi më interesoi që në momentin e parë që e pashë, konkretisht kontaktin e parë me të e pata rreth një vit më parë. Arsyet janë të shumta, por ajo që është më kryesorja dhe në të njëjtën kohë me bëri përshtypje filozofia e përgjithshme reale dhe njerëzore që ajo ka. Ka shumë humanizëm brenda. Kjo është njëra nga arsyet, pasi një tjetër do të veçoja faktin që ajo është një komedi tepër intelektuale është si të thuash e qëndisur në aspektin profesional, është e ndërtuar shumë bukur, është një komedi karakteresh që ka vite që unë nuk kam lexuar një komedi të kësaj natyre. Është shumë aktuale për terrenin shqiptar dhe të gjitha këto bëjnë që ajo në të gjitha drejtimet të ketë të gjitha pluset për t`u vendosur në skenën shqiptare, u shpreh regjisori Gëzim Kame. Më tej ai shtoi se: Kam rreth një vit më parë, që e kam filluar pjesën. Pra kontaktet me të i kam para një viti. Autori është ftuar të vijë për këtë vepër dhe jam i bindur se do të shohë një vepër origjinale dhe është turp për ne si teatër, që autori të vijë dhe të shikojë një vepër të përsëritur si në Paris apo në ndonjë vend tjetër dhe kjo do të jetë vepër tërësisht origjinale, e vënë me formatura shqiptare. Në këtë shfaqje do të prezantohen për publikun një sërë personazhesh, të cilët kanë huqe të pakontrollueshme. Të gjithë këta personazhe takohen në klinikën e një mjeku neuropsikiatër, dhe në mungesë të tij fillojnë të bëjnë vetë një terapi. Duke shfaqur para njëri tjetrit huqet e tyre, pacientët fillojnë të harrojnë veprimet e pakontrollueshme dhe të sillen normalisht. Në fund të kësaj komedie mbetet vetëm njëri prej pacientëve, i cili siç zbulohet më tej ishte vet neuropsikiatri. Komedia Toc-Toc, është shkruar në vitin 2005, dhe me të Laurent Bafi zgjeroi kufijtë e famës së tij. Kjo komedi është ngjitur, jo vetëm në skenat e Francës, por dhe në skena të ndryshme botërore. Ndërkohë që regjisori Kame tregoi dhe për aktivitetin tij artistik duke theksuar se: Sapo kam vendosur një vepër në teatrin e Korçës pra një bashkëpunim mes Shoqatës së artistëve të Shqipërisë me artistët e teatrit Andon Zako Çajupi të këtij qyteti. Ishte një vepër e Kiço Blushit, shumë interesante dhe mbi të gjitha aktuale, e marrë nga jeta e përditshme e jona, qoftë nga pikëpamja politike, sociale, ekonomike e më gjerë. Pra, kur gjenden vepra të tilla duhet thënë se ato duhen rrëmbyer menjëherë. Por si një prej njerëzve më të njohur të skenës, i cili ka fituar famë me veprat e tij regjisori tregon edhe mbi problematikën, që sot gjendet në teatrot tona. Sipas tij: Synimi i teatrove duhet të jetë, që në plan të parë të jenë veprat kombëtare, por nuk është se në këtë drejtim kemi ndonjë bollëk të madh pra mes dhjetëra e qindrave ti do të përzgjedhësh njërën, më të mirën. Kështu duke qenë se këta autorë dhe këto janë pak, atëherë pak janë edhe këto vepra që godasin mbi aktualitetin. Një ndër projekte në vijim të regjisorit Kame është dhe Festivali Evropian i Teatrit Alternativ, ku ai ka menduar që ta zhvillojë në teatrin Kame në Ibë. Duke folur për gazetën ai tregon se: Tani po përgatitem, por pas problemit me Ministrin e Kulturës ai do të ishte gati tani. Ky projekt ishte një iniciativë e ish Ministrit të Kulturës Ylli Pango për të bërë Festivalin Evropian të Teatrit Alternativ, i cili futet për herë të parë në Shqipëri dhe do të ishte si një shkollë e veçantë, e cila dhe pastaj do të zhvillohej në sheshet e Tiranës.  Shpresoj që në prill, me ministrin e ri ta kryejmë këtë aktivitet. Komedia Toc -Toc, shkruar vetëm 3-4 vjet më parë është ngjitur, jo vetëm në skenat e Francës, por është përkthyer dhe përshtatur për skena të ndryshme botërore. Autori është 50 vjeç dhe po gëzon famën e tij për krijimet origjinale në fushën e teatrit, kinemasë, por edhe televizionit.  

Last Updated on Thursday, 26 March 2009 12:41

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›