Shoqata e Personave me Aftësi të Kufizuar: Ja si na ka lënë qeveria jashtë ligjeve të saj
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shoqatave të Personave me Aftësi të Kufizuar, Sinan Tafaj rrëfen pikëpamjet e tij lidhur me rolin dhe procesin lëvizës dhe të organizimit të PAK. Tafaj u shpreh se zanafilla e kësaj lëvizjeje është e lidhur ngushtë me transformimet e mëdha demokratike që pësoi vendi ynë. Megjithatë, me gjithë kufizimet e kohës, Shoqata e të Verbërve defakto ka ekzistuar dhe gjatë periudhës së socializmit.
Kjo Shoqatë ishte e para si e tillë jo vetëm në fushën e aftësisë së kufizuar, por në të gjitha llojet e shoqatave të lejuara në pluralizëm. Pas viteve 90 u krijua dhe Shoqata e Invalidëve të Punës, Shoqata e Handikapatëve Mendorë dhe në vitet në vazhdim Shoqata e para dhe tetralegjikeve, shurdhmemecëve etj. Sot kjo lëvizje është më e organizuar se kurrë si rezultat i përpjekjeve të komisionit të Bashkimit Evropian, i cili mbështeti Forumin Evropian të Aftësisë së Kufizuar për të zhvilluar një projekt mbështetës në bashkimin e organizatave kombëtare dhe lokale dhe në ngritjen e këshillit kombëtar të këtyre organizatave. Roli i këtij këshilli është koordinimin dhe organizimi i përpjekjeve të të gjithë grupeve në fushën e mbrojtjes dhe përfaqësimit të të drejtave dhe interesave të tyre. Ndërkaq, Tafaj u shpreh se të gjitha qeveritë shqiptare deri më sot nuk kanë arritur të pranojnë qoftë dhe formalisht parimin e përbotshëm se këto shoqata gëzojnë disa të drejta të përcaktuara në kushtetutë. Në fakt disa nga shoqatat që kanë luftuar dhe kanë realizuar statuset për komunitetet e tyre e kanë të njohur këtë të drejtë, por vetëm formalisht në letër pasi qeveria dhe veçanërisht Ministria e Punës i ka përjashtuar ata plotësisht nga konsultimi për çdo iniciative legjislative duke mos i vënë ata aspak në dijeni për të gjitha rastet që ndodhin. Ne ose njoftohemi nga media, ose në rrugë informale dhe jo në pak raste kur ato janë bërë fakt, pra janë miratuar. Financimi i këtyre shoqatave për ushtrimin e të drejtës se përfaqësimit është qesharak në masën 8.000 euro në vit për çdo shoqatë, ndërkohe që po ti referohemi vendit fqinj Maqedonisë ky financim është me dhjetëra apo qindra herë më i madh. Kohët e fundit Këshilli Kombëtar i Shoqatave të PAK i ka propozuar Qeverisë një draft ligj mbi të drejtën e përfaqësimit për të cilin na u premtua se do të mbahej një qëndrim shumë shpejt, se fundi ia kemi adresuar dhe të gjithë grupeve parlamentare me shpresën se do të gjejmë mbështetje nga Parlamenti, u shpreh për gazetën SOT, Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shoqatave të Personave me Aftësi të Kufizuar, Sinan Tafaj. Veç të tjerave, Tafaj theksoi se, megjithatë duhet pranuar se vendimi për Strategjinë Kombëtare të PAK në vitin 2006 u bë një ndryshim pozitiv dhe thelbësor, ku u përcaktua e drejta e përfaqësimit në Këshillin Ndërdikasterial nga shoqata kombëtare me anëtare dhe jo nga çdo OJF si Qendra apo fondacione pa anëtarë. Kjo u shoqërua dhe me një urdhër të Kryeministrit qe përcaktonte dhe organizatat përfaqësuese. Ky është një perceptim i drejtë por kjo duhet ligjëruar.