E Diel, 1 Nëntor 2026

Gëzim Kame:Teatri, nevojë urgjente për reformë

 

ALMA MILE

Sapo ka marrë duartrokitjet në skenën e Tiranës dhe pret të nisë një tjetër sfidë. Regjisori Gëzim kame sapo është kthyer nga Korça, ku ka vënë në skenë komedinë “Kohë për t’u çmendur”, shkruar nga Kiço Blushi. Vepra do të ndjekë fatin e saj në një turne nëpër Shqipëri, ndërsa regjisori do të nisë punën për një komedi në Teatrin Kombëtar. Në një intervistë, Kame flet për shfaqjen e fundit, kujtimet me Sulejman Pitarkën në “Pjata prej druri”, angazhimin në teatrin e tij privat dhe mendimin tij për zhvillimin e teatrit në Shqipëri.
Komedia që sapo keni vënë në skenën e teatrit të Korçës titullohet “Kohë për t’u çmendur”, përse?
Është një komedi dramatike e shkruar nga Kiço Blushi. Në një bisedë e pyes se përse nuk shkruan dhe nuk i kthehet skenës. Si duket kjo ishte një nxitje për të dhe pas 7-8 muajsh më thotë: Gëzim e mbarova. “Kohë për t’u çmendur”, trajton temën e ditës, problemet e njeriut të sotshëm, ngarkesat emocionale, hallet, sidomos në anën financiare, trajton emigracionin, ardhjen e të huajve që kanë 5 grosh në xhep, që nuk janë kurrkush, por që hiqen. Janë probleme aq të mprehta, saqë shohim njerëz, që flasin me vete duke ecur. Dhe kjo e folura me vete, duket është një ngarkesë psikologjike shumë e madhe e kohës, gati-gati një neurozë kombëtare. Ka shumë dramë brenda, por krijon edhe situata komiciteti.
Pse ky bashkëpunim me trupën e Korçës?
Ishte një ide e ministrit Ylli Pango, të cilin e falënderoj sepse e ka mbështetur këtë shfaqje financiarisht, që jo vetëm në Tiranë duhet të ketë aktivitete, por duhet të bashkëpunohet me teatrot e rretheve, të qarkullojnë aktorët, regjia, që të gjallërohet jeta artistike. Isha skeptik kur shkova në Korçë, duke qenë se është edhe periudhë dimri, por ndjeva një kënaqësi shumë të madhe gjatë punës me trupën, e cila ishte tepër e përkushtuar, e disiplinuar, me një drejtoreshë, tepër aktive, si Zamira Kita, me aktorë si Petrika Riza, Ligoraq Riza, Marko Bitraku, Alban Prodani, duke i shtuar aktorët e TK, Rajmonda Bulku dhe në mënyrë të veçantë Roland Trebicka, që formonin një trupë shumë të mirë me një ndjesi shumë të mirë humori. Fundin e tregoi puna. Publiku i Korçës e priti shumë mirë. Në të dhjeta netët teatri ishte plot. Por ishte një lodhje vokale e Rolandit që e ndërpremë, për të vijuar me një tur në disa qytete të Shqipërisë.
Duket sikur jeni tërhequr pak nga skenat e Tiranës, pse?
Mosha bën të veten, ka edhe momente lodhjeje, por nuk është kjo e gjithë arsyeja. Unë tashmë kam një biznesin tim që është më tepër artistik. Kam teatrin tim privat që dua ta vë në efeciencë këtë verë. Ndaj kam edhe një tërheqje nga regjisura, edhe pse brenda tre viteve kam vënë tri vepra.
Së fundmi keni bashkëpunuar më shumë me teatrot kosovare dhe të Shkupit, çfarë ju ka lidhur me to?
Nxitja e parë ka qenë e tyre, por më tej kam zbuluar se ata kanë një idealizëm të jashtëzakonshëm sa i përket punës, gjë që mua më pëlqen shumë dhe më ndihmon në punën artistike. Janë njerëz të përkushtuar, që kanë probleme financiare, shumë më të mëdha se aktorët apo teatri shqiptar, por që i përballojnë me një devotshmëri të jashtëzakonshme. Ka përkushtim, disiplinë, dashuri dhe kam punuar me shumë kënaqësi në 5-6 shfaqjet që kam vënë qoftë në Gjakovë, apo Prishtinë. E njëjta situatë është edhe në teatrin e Shkupit.
Kontakti i fundit me skenën e kryeqytetit ishte drama “Pjata prej druri”, e cila pati shumë sukses...
“Pjata prej druri” ka një temë shumë të prekshme, që e ndesh në çdo familje, ku gjendet një vjehërr, apo një marrëdhënie babë-bir, ku ka të moshuar e ca të rinj, apo ku gjendja ekonomike është e rënduar. Duke krijuar premisa për konflikte, të cilat mund të kthehen në drama të fuqishme. Kur më ra në dorë, pata një ndjesi të menjëhershme dhe një dëshirë për ta ndarë me publikun.
Ju ishit i fundit që punuat me Sulejman Pitarkën, ç’kujtoni prej tij?
Kënaqësia më e madhe ishte që ai pranoi në ato kondita super të vështira shëndetësore që kishte. Sulejman Pitarkës i vlerësoj kapacitetin e madh njerëzor që kishte, volumin e madh të ndjenjës së përgjegjësisë që kishte ndaj punës, korrektësinë që rrallë e gjen tek aktorët e tjerë. Por ai dha edhe një mesazh për të gjitha profesionet e tjera. Sot shikoj njerëz që nuk kanë vajtur në moshën madhore, që kanë energji, që mund të japin, që janë kthyer në pensionistë të rëndomtë, kurse Pitarka dha shembullin, që edhe në moshën 82-vjeçare duhen gjetur forca dhe energji për të kontribuuar në atë fushë që mundemi. Ai kishte 5 vjet që ishte izoluar në shtëpinë e vet, për të mos dalë më dhe priste vdekjen. Çdo natë, në 20.00 vinte kokën në jastëk me idenë që nuk do të gdhihej më. Kjo ishte psikologjia në 5 vitet e fundit të jetës dhe ishte me një neurozë të fuqishme, të cilën e hodhi pas shpine dhe jo vetëm bëri shfaqje dhe pati një memorie brilante, një mjeshtëri dhe komunikim me spektatorin që rrallë e gjen, një zë si burim, por pati një gjallërim. Ndërmori turne në Fier, Dibrën e Madhe dhe dha shfaqje pa fund në Tiranë dhe nuk tha asnjëherë “U lodha”. Në premierë, e mora për ta nxjerrë në skenë dhe i thashë se doja një përshëndetje me dorë për spektatorin. Ajo dorë për mua ishte lamtumira që i jepte spektatorit, teatrit dhe po ta shihni filmimin në televizion, ashtu ka mbetur me dorën që përshëndet. Pas 2-3 muajsh ai iku.
Jeni një regjisor me përvojë, mundet të na jepni mendimin tuaj mbi zhvillimet në teatrin shqiptar?
Nuk dua të bëj kritizerin, por dihet që si në çdo sektor tjetër, ai shtetëror është shumë vështirë të ecë dhe të ndryshojë konceptet, mentalitetet. Punonjësit e shtetit janë gjithnjë nën diktatin e një mekanizmi shtetëror që ka ligjësitë e veta, hierarkinë shumë të rëndë. Tek privati ka tjetër energji. Teatri nuk ka ndryshuar me atë çka qenë para viteve ’90. Përbëhet nga një grup aktorësh që marrin rrogë, pavarësisht se mund të mos venë fare në punë se s’kanë çfarë të bëjnë. Pinë kafe me njëri-tjetrin dhe ankohen sepse fajin ua ka shteti, drejtori, regjisori dhe vetëm ata nuk kanë faj. Megjithatë nuk kanë edhe aq faj, sepse i tillë është organizimi. Mua më vjen keq me një grup aktorësh të mirë, që nuk po e përkrahin reformën, e cila duhej bërë prej kohësh. Para pak kohësh na thirri ministri Pango, i cili ka riaktivizuar Ligjin “Për teatrin” dhe për këtë më erdhi shumë mirë, që më në fund një ministër do të bëjë diçka në këtë drejtim. Tashmë ka mbetur për disa amendamente, që mund ta përmirësojnë atë dhe është gati për implementim. Në thelb të tij është mendësia private. Unë që e kam shijuar një gjë të tillë, kërkoj që të stimulohet dhe të bëhet sa më shpejt. Trupa private do të shtojnë shumë konkurrencën me njëra-tjetrën. Brenda një dite mund të ketë 20-30 autorë të ndryshëm vetëm në Tiranë. Nuk është e mjaftueshme një shfaqje në një muaj, apo një muaj e gjysmë që vendoset në Teatrin Kombëtar.

Shfaqja e radhës

Në datën 15 mars nis punën për një tjetër komedi. “Kohëve të fundit i jam kushtuar më shumë psikanalizës në teatër”,- thotë regjisori Gëzim Kame, i cili i drejtohet sërish të përditshmes, por këtë herë në Francë. Bëhet fjalë për një vepër franceze e viteve 2005-2006, që sipas tij ka tre sezone që luhet pa ndërprerje në Paris. Ka në qendër njerëz që vuajnë nga tike nervore, që janë me neurozë, për shkak të jetës së përditshme. Janë 7 të tillë, që bëjnë terapi në grup në një klinikë psikanalize. “Më pëlqen filozofia, që kur njeriu e njeh sëmundjen e vet, bëhet mjek i vetvetes. Por kjo, mund të shtrihet edhe më tej në një shoqëri, e cila nëse pikas problemet e veta është në gjendje t’i zgjidhë ato. Jemi popull vital dhe dimë të bëjmë kritika, por duhet të kemi vullnetin që t’i korrigjojmë”, - thotë ai. Këtë herë bëhet fjalë për një bashkëpunim me Teatrin Kombëtar. Puna fillon në 15 mars dhe në muajin prill shfaqja do të jetë gati për publikun.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›