E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpallen tre personalitet e vitit 2009

 

Poeti Lasgush Poradeci, skulptori Odise Paskali dhe këngëtarja Vaçe Zela u shpallën dje tre personalitetet e vitit 2009 nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Viti 2009 shënon shumë përvjetorë të personaliteteve të rëndësishme të artit në të gjitha gjinitë e tij. Por mes tyre u zgjodhën tre emra që me krijimtarinë e tyre kanë dhënë një ndikim të ndjeshëm në kulturën tonë kombëtare. Në fushën e letrave MTKRS shpalli “Vitin Lasgush Poradeci”, për nder të veprës së tij dhe 110- vjetorit të lindjes. Në fushën e arteve figurative u shpall “Viti Odise Paskali”, në nder të veprës dhe 105-vjetorit të tij të lindjes. Ndërsa në fushën e interpretimit u shpall “Viti Vaçe Zela”, për nder të figurës së saj të pazëvendësueshme në muzikën e lehtë shqiptare dhe 70-vjetorit të lindjes. Në nderim të tre personaliteteve, Ministria e Kulturës do të organizojë një seri aktivitetesh përgjatë këtij viti. Përzgjedhja e Personaliteteve të Vitit realizohet në sajë të një sondazhi të bërë nga të gjitha institucionet në vend, prej të cilave propozohen emrat e personaliteteve të artit e kulturës, në kuadër të përvjetorëve të secilit prej tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›