Gëzuar përvjetorin, zoti Obama, dhurata quhet Skot Braun
Autori i Lajmit: RedaksiaMassachusetts - Barak Obama mori një goditje të rëndë në vitin e tij të parë të përurimit si president, pas fitores së një republikani të panjohur në vendin e senatit të mbetur bosh pas vdekjes së senatorit demokrat Ted Kenedi, i cili e mbajti karrigen e senatorit për rreth 50 vjet. Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Braun ka fituar 52 për qind të votave, ndërsa rivalja e tij demokrate, Martha Coakley, ka fituar 47 për qind të votave. Coakley fillimisht kishte pritur një fitore të lehtë në këtë shtet, i cili ka votuar tradicionalisht për demokratët, por sfidimi populist i Braunit ndaj pushtetit në Uashington ndikoi që gara në Massachusetts të shënojë një kthesë. “Sonte ka folur zëri i pavarur i Massachusettsit. Votuesit hodhën poshtë të gjitha parashikimet e ekspertëve”, - tha Braun në fjalimin pas fitores së tij. Coakley në anën tjetër theksoi se është tejet e dëshpëruar. “Por unë e di se nesër do të ngrihemi dhe do të vazhdojmë luftën. Unë i kam uruar fitoren Braunit”, - tha Coakley para mbështetësve të saj në Boston. Por humbësi më i madh në këto zgjedhje është vetë presidenti Obama. Kur Bauni të fillojë punën në senat, demokratët do të ruajnë shumicën e tyre të ngushtë, por do të humbin votën e 60-të, e cila do tu mundësonte atyre që të anashkalojnë përpjekjet e republikanëve për të bllokuar axhendën e Shtëpisë së Bardhë. Viktima e parë e madhe, theksojnë analistët, me shumë mundësi do të jetë paketa e Obamës për reforma shëndetësore, e cila ka pasur vështirësi të kalojë, madje edhe në senatin e kontrolluar nga demokratët. Obama e uroi Braunin për fitoren e tij, duke theksuar se ai e ka udhëhequr shumë mirë fushatën e tij, - tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs. “Presidenti i tha senatorit Braun se mezi pret të bashkëpunojë me të në lidhje me sfidat urgjente ekonomike, me të cilat përballen familjet në Massachussetts dhe familjet tjera në të gjitha pjesët e vendit”, - shtoi ai. Braun, i cili do të jetë republikani i 41-të në senat, ka premtuar se do të votojë kundër reformës shëndetësore. “Mendoj se tani mund të themi se sigurimi shëndetësor është i vdekur”, - tha kongresmeni demokrat, Antoni Vajner. Analistët nënvizuan fushatën e zbehtë të Coakleyt dhe dështimin e demokratëve që të kuptojnë hidhërimin e popullit ndaj politikës së Uashingtonit, në kohën kur SHBA-ja po përballet me recesion. Shtëpia e Bardhë pranoi se Obama, i cili të dielën e kaluar bëri fushatë për Coakley, ishte i befasuar dhe i frustruar dhe se nuk ka qenë fare i kënaqur me rrjedhën e fushatës. Zyrtari republikan, Mit Romnei, theksoi se rezultati në Massachusetts është një paralajmërim për ndryshimet e mëdha politike. “Ky është vërtetë një referendum për axhendën e Obamës dhe mendoj se mënyra se si po punon tani Uashingtoni është një qasje arrogante ndaj politikës në këtë vend”, - tha Romney. Kryetari i mazhorancës së Senatit, Herri Rid, bëri thirrje që të mos humbet kohë, por senatori i ri republikan të zërë vend menjëherë, duke hedhur kështu poshtë kërcënimet parazgjedhore të demokratëve që fituesi i Masachusetts të betohet pas votimit të reformës shëndetësore. Ende pa u ulur në karrigen e senatit, disa analistë në Amerikë po konsiderojnë idenë se zoti Braun mund të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale (2012), duke sfiduar kështu ish-guvernatoren e Alaskës, Sara Palin. Ka dhjetëra paralele mes këtyre figurave konservatore. Të dy e kanë portretizuar veten si politikanë të popullit.
Ky lajm është publikuar: 21/01/2010