Italia “rehabiliton” Bettino Kraksin
Autori i Lajmit: A.Dralo
ROME - Betino Kraksi ishte koka e turkut për zgjidhjen e një krize “morale institucionale” që i përket “të gjithë sistemit politik”. Presidenti i Senatit italian, Renato Schifani, e kujtoi kështu liderin socialist gjatë një konference të organizuar në Pallatin Madama me rastin e përvjetorit të dhjetë të vdekjes së Kraksit. Ai foli përballë një plateje ku të pranishëm në konferencë ishin dhe kryeministri italian, Silvio Berluskoni, numri dy i presidencës së Këshillit, Gianni Letta, shumë politikanë dhe gazetarë të ndryshëm. Biblioteka e Senatit ishte shumë e vogël për të mbajtur të gjithë të pranishmit e ftuar, për këtë arsye u përdor një tjetër sallë në katin e parë të pallatit. “Secili nga ne, - tha presidenti i Senatit, - ka detyrën të reflektojë për Kraksin”. Sipas Schifanit për Kraksin nuk kishte mëshirë. Ai pagoi më shumë se të tjerët për fajet e një sistemi të tërë politik”. Kryeministri dëgjoi të gjitha ndërhyrjet në pjesën e parë të ceremonisë për rreth një orë, por kur moderatori, Michel Martone, e ftoi të fliste, ai refuzoi. Megjithatë kavalieri përqafoi përzemërsisht Stefania Kraksin, vajzën e liderit socialist. Pikërisht zonja Kraksi shpjegoi dhe përse Presidenti i Këshillit nuk kishte preferuar të merrte fjalën. “Berluskoni preferoi të shmangte “keqkuptimet” që do të shfrytëzoheshin në mënyrë të pashmangshme nga kundërshtarët”, - tha ajo. Ajo shtoi se me prezencën e tij Kavalieri donte të nderonte edhe një herë tjetër ----------------mikun e tij, Betino. Në fund të ceremonisë, kryeministri përshëndeti mes të tjerësh dhe ish-guvernatorin e rajonit të Abrucos, Ottaviano Del Turco. “Kam vuajtur shumë për ty”, - i tha Presidenti i Këshillit, duke e pasur fjalën për përfshirjen e Del Turcos në hetimin për kushtet higjieno-sanitare të rajonit të prekur nga tërmeti. Në fjalimin e saj, Stefania Kraksi e cilësoi hapin e duhur dhe të nevojshëm këtë hap të politikës për të kujtuar figurën e të atit të saj. Ajo shtoi se tashmë kishte ardhur koha për rehabilitimin e figurës së ish-liderit socialist. Në ndërhyrjen e tij për Kraksin, Schifani kujtoi se lideri socialist “për kulturën që kishte e konceptonte politikën jashtë partive, dhe më shumë se gjithë të tjerët e dinte nevojën e reformimit të sistemit, të cilit i qëndroi deri në fund besnik”. Presidenti i Këshillit përmendi më pas atë “ndërhyrje të famshme” që bëri Kraksi 2 gushtin e vitit 1992 në dhomën e Senatit. Partia Italia e Vlerave mori pjesë në manifestimin kundër Kraksit, i cili u zhvillua në sheshin “Navona”. Dhjetëra persona të “Popullit Violë” inskenuan dhe një protestë me flamuj dhe banderola përpara hotelit Raphael në Romë, ku në vitin 1993, edhe Kraksi u kontestua fort. Të tjerë manifestues mbanin në duar dhe një banderolë ku shkruhej: “Ik Betino Kraksi! Partia Italia e Vlerave protestoi dhe në Milano përballë pallatit të Bashkisë. Dhjetëra persona kërkonin ti thoshin “jo” një propozimi të kryetares së Bashkisë, Letizia Moratti, për ti vendosur një parku emrin e ish-liderit socialist.
Ky lajm është publikuar: 21/01/2010