Zgjedhja e Papa Gjon Palit II, Shqipëria gur prove
Autori i Lajmit: Androkli DraloUashington, 17 tetor 1978 - Zgjedhja surprizë e një kardinali polak, Karol Vojtila, si Papa Gjon Pali II i Kishës Katolike Romane është një dëshmi politike e rëndësisë së madhe të Evropës Lindore dhe sjell një dimension të ri të paparashikueshëm për marrëdhëniet e acaruara Lindje-Perëndim. Diplomatët amerikanë, të njohur me papën e ri dhe vendin e kësaj bote nga ai vjen (Poloninë), e pritën lajmin me një entuziazëm të papërshkueshëm dhe në disa raste, ishin dhe të ngazëllyer për mundësitë e qenësishme të kësaj zgjedhjeje të papritur. “Përshtypja ime për të është se papa i ri është një pastor i madh, i cili ka një ndikim të madh tek njerëzit, është një intelektual i mirë, një burrë me forcë të jashtëzakonshme dhe me një kulturë mendjehollë politike”, - tha Riçard T. Davles, i cili ka qenë ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Poloni prej vitit 1972 deri në shkurt të këtij viti, dhe që ka pasur shumë kontakte dhe biseda të gjata me kardinalin polak. Një tjetër ish-diplomat amerikan me një eksperiencë të gjerë në këtë fushë, i cili kërkoi të mos citohej me emër, tha se përzgjedhja e papës nga një vend ku sundon regjimi komunist prej 30 vitesh mund të sillte “një udhëheqës të ri për Vatikanin, i cili i kupton komunistët”, dhe që mund të “jetë një kundërshtar i fortë i përpjekjeve për të përhapur ndikimin e këtij sistemi në të gjithë botën”. Përzgjedhja e Karol Vojtilës në vendin e Papa Gjon Palit II pritet të përshëndetet me nderime të veçanta mes miliona katolikëve romanë të Evropës Lindore, një rajon me një rëndësi të jashtëzakonshme strategjike dhe ndjeshmëri politike, i cili shtrihet mes Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit. Sipas publikimeve të kishës katolike, popullsia e kësaj feje në Evropën Lindore përfshin 31 milionë polakë (rreth 92 për qind e popullsisë së këtij vendi), 11 milionë çekosllovakë (6 për qind), 6 milionë hungarezë (60 për qind), 1.6 milion gjermanolindorë (10 për qind), dhe 1.1 milion rumunë (6 për qind). Për më tepër, rreth 3 milionë katolikë sovjetikë me origjinë lituaniane janë përshirë si katolikë të kishës romane në listat e kishës. Për sa u përket shifrave të katolikëve në Shqipëri dhe Bullgari, ato janë shumë herë më të ulëta. Për papën e ri, këto dy vende përtej Adriatikut me një nga regjimet më të ashpra komuniste të izolimit do të jenë një gurë prove i shpejtë për vlerësimet e para të Vojtilës. Pavarësisht se nuk ka ushtri nën komandën e tij dhe as armë për të shkrepur, Papa pritet të luajë një rol deciziv në jetën politike të shekullit XX dhe veçanërisht në “luftën” kundër forcës dominuese të Bashkimit Sovjetik në Azi dhe Evropën Lindore. Por Vojtila do të përpiqet ta bëjë këtë me anë të deklaratave, negociatave, thirrjeve dhe lutjeve. Ai do të bëjë gjithçka për ti parë njerëzit të lirë. Papa është një kundërshtar i fortë i sistemeve totalitare. Antikomunizmi i tij buron nga besimi se besnikëria e vetme e njerëzimit duhet të jetë ndaj zotit. Vojtila mendon se komunizmi, i cili i shtyp liritë fetare, ekonomike dhe ato politike e vendos veten në vend të zotit dhe kjo është totalisht e gabuar. Vojtila është pasardhësi i 263-të i Shën Pjetrit, dhe Papa i 264-t i Kishës Katolike Romake, si edhe peshkopi i qytetit të Romës, dhe monarku (kreu) i shtetit të Vatikanit. Ai u zgjodh në fronin e Shën Pjetrit. I lindur në Vadovicë të Polonisë, më 18 maj 1920, Karol Józef Vojtila është papa i parë joitalian pas 455 vitesh. Zgjdhja e një kardinali polak, papë, u kujton shumë vetëve mbretërimin e personazhit të bujshëm të Kiril Lakotas, priftit ukrainas, që u zgjodh si peshkop në romanin bestseller të Morris L. Uest, “Këpucët e peshkatarit” (roman i vitit 1963). Personazhi Kirik vepronte si një negociator sekret mes kryeministrit sovjetik, i cili më parë kishte qenë hetuesi dhe torturuesi i tij dhe presidentit amerikan në një përpjekje për të shmangur luftën bërthamore. Megjithatë, një intrigë e tillë si e romanit ka shumë pak gjasa që të ndodhë. Nuk ka dyshim që formimi kulturor i pazakontë i papës së ri është studiuar me kujdes më të veçantë nga Kremlini, ashtu siç është studiuar dhe në Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit dhe qendra të tjera të laicizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si një deklaratë simbolike nga kisha ku theksohej rëndësia dhe ngazëllimi i katolicizmit në Evropën Lindore, përzgjedhja e Vojtilës do të mbikëqyret me kujdes nga udhëheqësit politikë të të gjithë botës. Kjo mund të bëhet për një kohë shumë të shkurtër, por ekspertët këtu në SHBA përmendën shumë arsye se përse ngjitja e këtij njeriu në këtë post të përjetshëm, mund të ketë një domethënie afatgjatë. Fillimisht, eksperienca praktike e papës së ri në organizimin e kishës në një vend ku sundon regjimi komunist besohet se i ka dhënë atij aftësi të mëdha dhe e ka sofistikuar në përvetësimin e arteve të politikës. Së dyti, eksperienca e Vojtilës mund ti japë atij aftësi të veçanta në negocimet me partitë “eurokomuniste” të Italisë dhe vendeve të tjera Perëndimore. Ka pasur spekulime në Departamentin e Shtetit se kjo mund të ketë qenë mes shkaqeve për zgjedhjen e figurës së tij, për shkak të dilemave me të cilat po përballet kisha në Itali. Papa Gjon Pali II, duke qenë një person i jashtëm me lidhje lokale me fraksionet politike, mund të jetë më i kufizuar se paraardhësit e tij italianë në lidhjet me politikën. Si një këmborë e forcës shpirtërore përballë dhimbjes politike, papa polak është tashmë një simbol i vendeve autoritare dhe totalitare të të gjithë botës. Nëse ai do të zgjedhë këtë rrugë, Papa Gjon Pali II, si një njohës i fuqisë së shtetit dhe asaj të kishës, mund ti japë një kuptim të ri një pyetjeje të vjetër: “Cilat janë detyrat e papës”?
Ky lajm është publikuar: 21/01/2010