Tjetër tërmet në Haiti, populli nis shpërnguljet masive
Autori i Lajmit: Redaksia
Port-au-Prince – Instituti Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara thotë se dje ka regjistruar një tërmet të fuqishëm në Haiti, me intensitet 6.1 të shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit ndodhej 60 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit. Sipas njoftimeve të para, në Port-au-Prince u rrëzuan disa ndërtesa tashmë të dëmtuara. Deri tani nuk ka të dhëna për viktima të reja. Nuk ka njoftime për të lënduar apo viktima, por një korrespondent i BBC-së në qytet tha se njerëzit vrapuan drejt vendeve jashtë rrezikut dhe disa ndërtesa, tashmë të prekura nga tërmeti i mëparshëm, u rrëzuan. Një nga personat më të fundit të shpëtuar ishte një grua e moshuar që u nxor nga rrënojat e një kishe në Port au Prince. OKB thotë se një total prej 121 personash janë nxjerrë deri më tani nga gërmadhat pas tërmetit të javës së shkuar. Situata në qytete të tjera të këtij shtetit të Karaibeve është gjithashtu e paqartë. Si pasojë e tërmetit katastrofik para një jave kanë vdekur të paktën 75.000 njerëz, pohojnë burimet qeveritare të Haitit. Më shumë se 1,5 milion vetë janë të pastrehë. Kombet e Bashkuara kanë vendosur që të dërgojnë në Haiti edhe 3.500 ushtarë të tjerë, me të cilët numri i përgjithshëm i trupave arrin në 12.500 trupa. Një nga trupat e marinës britanike tha: “Sitata është si e një filmi shkatërrimtar”. Kolegët e tij janë përpjekur të mbajnë larg njerëzit e uritur dhe të etur që pengojnë anijet me ushqime të ankorohen. “Qytetarët nuk mund të presin. Ata po bëjnë gjithçka për të mbijetuar”. Një tjetër problem shqetësues është largimi i njerëzve. Një anije u pa të largohej e dëshpëruar në horizont për të lundruar 150 miljet që ndajnë vendin nga Gjiri i Guantanamos, një mision shumë i vështirë... Të tjerë i janë drejtuar Floridës, e cila ndodhet 400 milje larg. Haitianët i sheh kudo me fëmijët dhe çantat në krah në përpjekje për ti dhënë lamtumirën vendit të shkretuar. Diku sheh një anije që anohet dhe rrezikon mbytjen për shkak të mbingarkesës dhe dëgjon ulërimat e ekuipazhit se anija do të mbytet. Pronarët e saj thërrisnin: “Nuk kemi karburant, nuk do të nisemi”. Të tjerë refugjatë u ngjitën në një fregatë, ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Haiti, u bënte lutje njerëzve të ktheheshin mbrapsht. “Nëse ju mendoni se do të arrini SHBA-në dhe do ti gjeni dyert e hapura, gaboheni. Ata do tju kthejnë sërish mbrapsht”, - tha ambasadori Rajmond Josef. Megjithë ndihmën e madhe që po jepet përmes tokës, ujit dhe ajrit, koordinimi i ndihmave nga SHBA dhe OKB duket se po dështon. Shtetet e Bashkuara kanë mbrojtur mënyrën se si po menaxhohen operacionet e ndihmës në aeroportin e kryeqytetit haitian. Agjencitë e ndihmës dhe disa qeveritarë janë ankuar për vonesa në dërgimin e avionëve me pajisje në ndihmë të të mbijetuarve të tërmetit të javës së kaluar, me prioritet fluturimet ushtarake. Mjekët pa Kufij thanë se personelit të tyre iu desh të blinte një sharrë në një supermarket vendas për të kryer operacione të prerjes së gjymtyrëve të të plagosurve, për shkak se një prej avionëve të tyre ishte kthyer mbrapsht. Por një komandant amerikan, gjenerali Douglas Fraser, tha se trupat e tij ishin duke bërë sa kishin mundësi për të çuar ndihmat në Hati sa më shpejt. Ushtria amerikane thotë se aeroporti i kryeqytetit ishte duke përballuar tani 180 fluturime në ditë. Amerikanët planifikojnë të fillojnë përdorimin e dy aeroporteve të tjera në Jakmel në Haiti dhe San Isidro në Republikën Domenikane.
Ky lajm është publikuar: 21/01/2010