E Diel, 1 Nëntor 2026

Kokëdhima: Apolonia, skuadër me fytyrën e perspektivës

Nga BUJAR RAMA

Këtë sezon ne kemi një skuadër më të mirë, sepse është pastruar nga elementët korruptivë, që deformojnë garën e pastër

Presidenti i nderit i skuadrës fierake, Koço Kokëdhima, ka qenë sërish në një komunikim me gazetarët, ku i është përgjigjur interesimit në lidhje me zhvillimet e fundit brenda kampit fierak dhe ecurisë së Apolonisë në përgjithësi. Për sa i përket largimit të mefsushorit Agim Meto, Kokëdhima ka vlerësuar kontributin e futbollistit dhe është shprehur: Skuadra është një organizëm i gjallë, që lëviz e zhvillohet, dhe ka raste kur nuk mund të vazhdojnë të gjithë. Kjo është normale.

Meto është një djalë pozitiv, ka punuar disa vite me këtë skuadër, është rritur këtu, por në një moment zhvillimi, është zgjidhur gjithçka me mirëkuptimin e të dyja palëve. Ne nuk kemi qenë të kënaqur me performancën e tij. Ndërsa Gërxho e Mehmetaj i kanë pranuar paraqitjet jomaksimale të tyre, Meto ka pretenduar të lavdërohet nga klubi.

Ka qenë starti jo i mirë dhe ajo që futbollisti nuk ka dhënë atë që pritet në këto javë të para, që ka çuar drejt këtij përfundimi. Ai nuk ka qenë në gjendje për të vazhduar me politikat dhe interesat e klubit dhe kjo ka qenë arsyeja e mosvazhdimit.

Tifozët Gjithashtu, kryedonatori i Apolonisë ka folur edhe për marrëdhëniet me sportdashësit, duke veçuar pjesën e shëndoshë të përkrahësve qytetarë dhe dashamirësit e vërtetë të Apolonisë, me ata që, sipas kreut të klubit fierak, nuk kanë asgjë të përbashkët me qytetarinë fierake.

Kokëdhima është treguar i ashpër ndaj fenomeneve të tilla dhe është shprehur se akte të tilla antifutboll dhe antiqytetare janë në papajtueshmëri të plotë me filozofinë e klubit. Kësisoj, për raste të tilla, drejtuesi i lartë i klubit fierak është shprehur se nuk ka e nuk do të ketë asnjëherë kompromis, por distancime. Ka dy lloj pjesëmarrësish në stadium, – ka theksuar mes të tjerash Kokëdhima.

Ata që respektojnë të drejtat e veta, pa i cënuar të drejtat e të tjerëve, ka dhe pjesëmarrës të cilët shkelin të drejtat e të tjerëve, duke tejkaluar të drejtat e tyre. Këta të dytët janë problemi. Rregullat e bashkëjetesës në stadium janë rregulla që smund ti cënojë askush, janë për tu zbatuar dhe nuk mund ti sfidojë askush. Këta persona, që janë të paktë në numër, nuk janë të interesuar për Apoloninë, por të indikuar nga interesa të caktuara.

Apolonia është një klub që funksionon mbi parime të shëndosha, ku askush nuk mund të prekë e të privojë të drejtat e askujt dhe ku të parët, unë dhe presidenti Zeqaj, kemi respektuar maksimalisht gjithçka. Nuk duhet të bëhemi pre e disa njerëzve të papërgjegjshëm, të cilët shajnë në kor arbitrat, lojtarët kundërshtarë etj. Ne nuk do të tolerojmë më sjellje të tilla.

Korrupsioni Për sa i përket filozofisë së klubit për një skuadër me elemente të rinj, Kokëdhima është shprehur se vlerësimi i performancës ka dy kolona: sjelljet dhe rezultatet dhe fryma e bashkëpunimit me lojtarët kanë varësi pikërisht nga këta komponentë, ndërsa për atë që tek Apolonia duket se ka fenomene të përsëritshme në problematikën e brendshme, kryedonatori i Apolonisë i ka ndarë në dy grupe problemesh, ku ka evidentuar mjedisin dhe drejtësinë e lojës së futbollit në Shqipëri.

Këto lloje problemesh nuk burojnë nga Apolonia dhe as që janë në dorën e Apolonisë, por lidhen kryesisht me rolin dhe përgjegjësinë që ka FSHF-ja për garën, fair-play-n, gjykimin e ndershëm e të paanshëm.

Grupimi i dytë i problemeve ka lidhje me faktorët brenda nesh, që kanë lidhje me Apoloninë dhe problemet e brendshme të skuadrës, ku negativiteti përçohet përmes frymës së antikulturës, tradhtive të brendshme, korrupsionit, ndaj të cilave klubi fierak është i vendosur të mos bëjë lëshime. Ka njerëz që janë kundër Apolonisë dhe përdorin shkopinj nën rrota. Këtë sezon ne kemi një skuadër më të mirë, sepse është pastruar nga elementët korruptivë.

Politika e klubit Gjithashtu është evidentuar edhe e veçanta pozitive e skuadrës fierake për të nënshkruar kontrata afatgjata me futbollistët, duke dashur të vendosë gurin themeltar të një skuadre me fytyrën e perspektivës. Apolonia nuk është e kufizuar nga problemet e deformimit të mjedisit të garës, nga sjelljet e këqija, siç ishte rasti përpara dy vjetësh apo sjelljet e këqija të brendshme.

E si mund të ecë përpara një skuadër, kur lojtarët e vet vënë baste të drejtpërdrejta, kur menaxherët e lojtarëve akuzohen nga lojtarët e tyre se u bëjnë presion për të shitur ndeshjen? Politika e skuadrës sonë është një politikë që meriton mbështetje të pakufizuar. Më tej, drejtuesi më i lartë i Apolonisë ka përkufizuar në mënyrë proverbiale edhe merkaton e janarit, duke theksuar se do të ketë patjetër afrime.

Do të jenë prurje cilësore, që i shërbejnë skuadrës dhe që do të jenë brenda frymës e mentalitetit të skuadrës, natyrisht duke mos qenë ne selektues, por duke respektuar si përherë kërkesat e trajnerëve dhe pa harruar pa dyshim edhe lojtarët që dalin nga qyteti i Fierit. Dhe unë besoj se Apolonia është në top-listën e skuadrave të superligës.

Kemi besim të plotë në rrugën që ndjek Apolonia, kam besim të plotë te puna e shkëlqyer e stafit teknik me Nicën, Papuçiun, Ballën, Poloskën, se Apolonia i ka të gjitha mundësitë për të qenë një skuadër konkurruese, – ka përfunduar fjalën e vet kryedonatori i Apolonisë, Koço Kokëdhima.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›