“Grabitën” tokën e shkollës, tre ish-nëpunës në pranga
DURRES - Tre ish-funksionarë të komunës Gjepalaj në Durrës u arrestuan dje, ndërsa ish-kreu i saj është shpallur në kërkim për veprën penale të “përfitimit të padrejtë të tokës”. Gjatë operacionit “Prona e shkollës”, u ndaluan shtetasit Lulëzim Voci, Bashkim Shahini dhe Kurt Keçi. Po kështu u bë edhe shpallja në kërkim e po punohet për kapjen e shtetasit Fatmir Elezi, dikur kryetar i komunës Gjepalaj. Bazuar në provat ligjore të grumbulluara Gjykata e Rrethit Durrës, me vendime të datës 17.10.2008, ka përcaktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg” në ngarkim të këtyre shtetasve. Hetimet e deritanishme të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Durrës hedhin dyshime të bazuara mbi përfitimin e një sipërfaqe prej 24.867 m 2 truall në afërsi të shkollës së fshatit Gjepalaj nga kryetari i Komunës Gjepalaj (për periudhën 2000-2005), shtetasi Fatmir Elezi, i cili këtë sipërfaqe e ka shfrytëzuar për ngritjen e një aktiviteti materialesh ndërtimi. Po nga hetimet e deritanishme rezulton se përfitimi i kësaj sipërfaqe trualli është bërë prej tij, duke shfrytëzuar detyrën e tij, si dhe i mbështetur nga shtetasit Lulëzim Voci, Bashkim Shahini e Kurt Keçi, të cilët në atë periudhë kryenin detyrat e agronomit, sekretarit dhe teknikut të ndërtimit të komunës. Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë falsifikuar një sërë dokumentesh për përfitimin e tokës si vendimin e Këshillit të Komunës, si dhe të dhënat e formularëve të plotësuar, në të cilët nuk kanë pasqyruar realisht sipërfaqet e trojeve të objekteve shtetërore që do të kalonin në administrim të Komunës. “Nëpërmjet veprimeve të mësipërme shtetasi Fatmir Elezi është bërë pengesë edhe për ndërtimin e shkollës së re 9-vjeçare të fshatit Gjepalaj, e cila është miratuar të ndërtohet në këtë truall”, pohohet nga burimet zyrtare të policisë. Sektori Kundër Krimit Ekonomik Durrës filloi procedimin penal lidhur me një sipërfaqe toke në komunën Gjepalaj Durrës, e cila dyshohej të ishte përfituar në mënyrë të padrejtë nga ish-kryetari i Komunës Gjepalaj, shtetasi Fatmir Elezi. o.u