Giqi me dy cikle
Të premten, më 25 shkurt 2011, në orën 19, në Galerinë e Arteve të Tetovës në Republikën e Maqedonisë, do të hapet ekspozita personale e Rrezeart Galicës, e cila është e ndarë në dy cikle: Cikli i parë - me punime artistike e përmbajtje politike dhe cikli i dytë - profesionale.
Është me rëndësi të theksohet se pjesa e punimeve artistike me përmbajtje politike tani po u jepet për temë specializimi në fushën e artit studentëve të Akademisë së Arteve të Bukura të Perugjas të Italisë (Accademia di Belle Arti Pietro Vannucci Perugia).
Ekspozita do të jetë e hapur një javë.
Rrezeart Galica – Giqi ka lindur në Prishtinë, më 1981. Studimet i ka kryer në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës më 2005 në Drejtimin e Dizajnit Grafik, kurse studimet Master po aty në vitin 2008, në Drejtimin Multimedia.
Ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive vendore dhe ndërkombëtare. Ekspozitën e parë personale e ka hapur në Prishtinë, më 2009, kurse më 17 tetor 2009, në Shkup dhe më 18 nëntor 2009, në Tiranë.
Kjo është ekspozita personale e katërt e tij.