E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gj. e Lartë rrëzon videon Prifti-Beqiraj

Gjykata e Lartë e shpalli të papërdorshme videon ku shihet Prifti dhe Beqiraj, duke shpërndarë 70 mijë euro.

Vendimi u mor me shumicë votash në Kolegjin Gjyqësor të Gjykatës së Lartë, çka do të thotë se rrëzohen provat e Prokurorisë ndaj Priftit.

Prokurori i çështjes, Bujar Sheshi, kërkoi gjatë seancës së sotme që videoja kundër dy- ish-zyrtarëve, të shfaqej me cilësinë e provës para Gjykatës. Nga ana tjetër, pala mbrojtëse, duke kundërshtuar prokurorinë, i kërkoi Gjykatës deklarimin e videos të papërdorshme, me pretendimin se ajo ishte administruar në shkelje të ligjit nga akuza.  

Pasi dëgjoi palët, trupi gjykues, i përbërë nga pesë gjyqtarë, me shumicë votash  vendosi që të shpallë  videon të papërdorshme në këtë proces, duke rrëzuar në këtë mënyrë provën e vetme të prokurorisë. Në kushtet e reja të krijuara pas vendimit të Gjykatës, prokurori Sheshi kërkoi kohë për të përgatitur hapat ligjore që do të ndërmarrë  lidhur me procesin. Nga ana tjetër, për avokatin Fatmir Braka, me rrëzimin e provës së prokurorisë, ky proces duhet të pushohet. 

Ish- ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti dhe ish zv/ministri i kësaj ministrie, Leonard Beqiraj, akuzohen  për korrupsion pas publikimit në media të një videoje të fshehtë, ku ata shfaqeshin duke ndarë një sasi te konsiderueshme parash  me njëri tjetrin. Videoja mes Dritan Priftit dhe Leonard Beqirajt u zbulua në shkurt të vitit 2011 nga një ekspert i huaj që mori në dorëzim kompjuterin e ish-ministrit të Ekonomisë, ndërsa kryente ekspertizën për origjinën e videos "Meta-Prifti”./Start/

                                                                                             2012-09-10 12:51
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›