Nis viti i ri shkollor 2012-2013 per sistemin parauniversitar
Sot ka nisur viti i ri shkollor 2012-2013 për të gjithë nxënësit e sistemit parauniversitar në vendin tonë. Ai përmbledh të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe ato të nivelit të mesëm, të cilat kualifikohen edhe si arsimi bazë. Viti i ri shkollor 2012-2013 numëron mbi 600 mijë nxënës të cilët u janë drejtuar sot bankave të shkollës, si edhe 36 mijë fëmijë të cilët ulen për herë të parë në to. E veçanta e këtij viti shkollor është se këta vogëlushë do të mësojnë me një abetare të përbashkët. Ndërsa rreth 5300 fëmijëve të klasave të para të kryeqytetit u janë shpërndarë dhurata nga Bashkia e Tiranës dhe një kartolinë urimi nga kryebashkiaku Basha. Vëmendje të veçantë u është kushtuar edhe fëmijë të komunitetit rom dhe egjiptian. Ministria e arsimit dhe shkencës ka shpërndarë në shkollën Bajram Curri tekste mësimore falas për fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Përmirësimi i kushteve të mësimdhënies dhe rritja e cilësisë në shkolla ka qenë edhe motoja e re e Ministrisë së Arsimit në këtë vit për të gjithë sistemin parauniversitar. Krerët më të lartë të shtetit kanë dhënë urimet e tyre për këtë vit të ri shkollor në çdo cep të Shqipërisë.