Tiranë, vetëvritet për borxhin 46-vjeçari
TIRANE – Një 46-vjeçar i ka dhënë fund jetës mbrëmjen e djeshme, si pasojë e borxheve të shumta që kishte. Policia e kryeqytetit pohoi dje zyrtarisht se, rreth orës 17:00 efektivët e Komisariatit numër 2, morën njoftimin se në ambientet e një apartamenti në rrugën “Komuna e Parisit” është vetëvrarë me armë zjarri shtetasi Fadil Hakaj 46 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet policore për të hetuar këtë ngjarje. Nga kryerja e veprimeve hetimore e procedurale, si dhe nga deklarimet e familjarëve, u konkludua se viktima në momentin e vetëflijimit ka qenë i vetëm në banesë dhe në një gjendje të rënduar psikologjike, për shkak dhe të një borxhi të pa shlyer, prej rreth një milion lekësh të vjetra. Në ambientin e kuzhinës së apartamentit të tij ai ka qëlluar veten në drejtim të gjoksit me një armë automatik model 56, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e krimit, në të cilin ndodhej një krehër me 17 fishekë, si dhe gëzhoja e plumbit fatal. Sipas policisë viktima, baba i dy fëmijëve jetonte prej disa kohësh në kryeqytet ku ishte transferuar familjarisht nga Puka. Pas mbërritjes në kryeqytet atij i ishte dashur të merrte borxhe nëpër të afërm për të jetuar, ndërkohë e kishte pasur të pamundur t’i shlyente ato. Kjo gjë ishte shkak që kohët e fundit ai të kalonte kriza depresive, derisa dje, duke përfituar nga mungesa e familjarëve u vetëflijua. fa.ma.