Pushtet i centralizuar, nga kryesia drejt rajonit
Pavarësisht nga ndryshimi i strukturave pak ditë më parë, Partia Demokratike do të ketë sërish një pushtet të centralizuar të strukturave të saj. Burimet brenda strukturave drejtuese të Partisë Demokratike bëjnë të ditur se 12 koordinatorët e PD-së që do të dërgohen për të koordinuar punën e kryetarëve të degëve të Partisë Demokratike jashtë qendrës, do të përzgjidhen nga anëtarët aktualë të kryesisë së Partisë Demokratike. Çështja e të qenit anëtar kryesie është një nga kriteret kryesore të përzgjedhjes së këtyre koordinatorëve. Ndërsa kriter tjetër mbetet edhe prejardhja e anëtarit të kryesisë, pavarësisht se në raste të veçanta mund të bëhen përjashtime. Kjo do të thotë se për ndonjë qark, i cili nuk ka asnjë përfaqësues të tijin në kryesinë e Partisë Demokratike apo në sekretariat, atëherë mund të dërgohet një koordinator i jashtëm. Emërimi i 12 anëtarëve të kryesisë së Partisë Demokratike, sipas argumenteve të burimeve, sjell edhe mirëfunksionimin e strukturave, sepse duke qenë se koordinatorët do të jenë edhe anëtarë kryesie, atëherë lidhja e degëve me qendrën do të jetë më funksionale dhe më e afërt. Megjithatë, një çështje e debatueshme do të bëhen edhe kompetencat e këtyre koordinatorëve, të cilët sipas ndryshimeve të reja do të kenë mandat disavjeçar dhe jo vetëm për periudhën zgjedhore. Në këtë mënyrë, emërimi i anëtarëve të kryesisë si koordinatorë të qarqeve shmang edhe krijimin e 12 kryetarëve rajonalë të pushtetshëm, të cilët do të mund të ndikonin secili veçmas në grupin e ardhshëm parlamentar. Deri tashmë, ajo që mësohet për kompetencat e këtyre 12 koordinatorëve është se ata do të luajnë një rol koordinues mes degëve të PD-së në rajonet përkatëse, si dhe do të informojnë për zhvillimet dhe ecurinë në mbledhjet e kryesisë së Partisë Demokratike. Sikurse edhe nga ana tjetër, këta koordinatorë do të marrin edhe direktivat e kryesisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, direktiva të cilat do të përçohen më pas në bazën e Partisë Demokratike. Ndërkaq, pritet gjithashtu edhe një mbledhje e ardhshme e kryesisë së Partisë Demokratike, e cila do të përcaktojë se kush do të jenë të mandatuarit e kryetarit Sali Berisha që do të shkojnë nëpër rajonet përkatëse, si dhe përcaktimi i qartë i kompetencave të tyre.
Kandidatët e diskutuar për të qenë sekretarë rajonalë të Partisë Demokratike1-Berati
Ferdinant Poni
Lezha
Aldo Bumçi
Shkodra
Jozefina Topalli
Fieri
Fatos Beja
Gjirokastra
Genc Ruli
Kukësi
Aleksandër Biberaj
Dibra
Mund të caktohet ndonjë anëtar kryesie nga qendra, që nuk vjen nga ky qark
Vlora
Astrit Patozi
Tirana
Sokol Olldashi, Lulzim Basha ose Edi Paloka
Durrësi
Bujar Nishani
Elbasani
Ilir Rusmali
Korça
Ritvan Bode