LSI-PS fitojnë pavarësisht ndarjes

Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, tha dje se, pavarësisht dallimeve apo mospajtimeve për çështje të ndryshme me PD-në, e majta në tërësi do të dalë fituese në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm.
Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, tha dje se, pavarësisht dallimeve apo mospajtimeve për çështje të ndryshme me PD-në, e majta në tërësi do të dalë fituese në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm. Duke e vërejtur problem ndërpartiak mospajtimin kryesisht për reformën zgjedhore mes PS-së dhe LSI-së, Xhufi thotë se edhe nëse të dy forcat e majta nuk dalin bashkë në zgjedhje, ka shanse të mira për të maksimalizuar numrin e votave. Sipas Xhufit, të majtët e zhgënjyer do të dalin në votime, pasi kanë të paktën dy alternativa. Kreu i grupit kuvendar të LSI-së shprehet i sigurt për fitoren e së majtës, ndërsa uron që periudha e ndarjes së posteve në qeveri të mos ngjajë me atë parazgjedhore. Kreu i grupit kuvendar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, duket optimist për rikthimin e së majtës në pushtet pas zgjedhjeve të 2009-ës, pavarësisht ndarjes së të majtës në dy apo më shumë alternativa. Në intervistë me “Korrierin”, ai sqaroi se edhe kjo ka efekte pozitive. “Kjo mundëson që zgjedhës të vendosur të së majtës në momentin që e ndiejnë veten të zhgënjyer, nuk po përmend emra partish, këtyre u jepet mundësi që brenda së majtës të votojë tek një grupim që ka më shumë besim sesa tek partia që e ka zhgënjyer”, - tha Xhufi. Sipas tij, kjo e detyron votuesin e zhgënjyer të mos bojkotojë votimin, apo më keq akoma, të votojë djathtas. Ndërkaq, ai jep alarmin se përbërja e komisioneve zgjedhore me njerëz jopolitikë do të jetë një mundësi që kryeministri Sali Berisha ta ketë nën kontroll administrimin e zgjedhjeve, sikundër ka KKRT-në.
-Sa shanse ka që të rikthehet aktualisht bashkëpunimi me PS-në?-Pëllumb Xhufi: “Realisht është përpara diskutimi i Kodit Zgjedhor dhe kanë ngelë disa nyje kryesore pa zgjidhur, që janë shumë të rëndësishme jo vetëm për ne dhe që kanë të bëjnë në radhë të parë me menaxhimin e administrimin e procesit zgjedhor dhe me kompozimin e komisioneve zgjedhore në të gjithë nivelet. Kanë të bëjnë gjithashtu me mundësinë e korrektimit të sistemit aktual zgjedhor, në mënyrë që sistemi t’i afrohet sa më shumë frymës së proporcionalit. Ka edhe një sërë çështjesh të tjera për të cilat ne jemi në dijeni, që në PS ka ide që divergojnë nga ato tonat dhe të cilat, për fat të keq, nuk i zgjidhëm dot me dialog dhe negociata dypalëshe dhe shumëpalëshe me partitë e tjera të opozitës edhe për arsye që PS-ja, e cila pranoi më në fund që të bëhej një takim për këto probleme, nuk e pa të nevojshme që të vazhdonin dialogun për çështje të tilla. Kështu që dialogu tani zhvillohet në komisionin e kodit zgjedhor. Këto çështje akoma nuk kanë ardhur në diskutim, por gjithkush e ndjen që do të jenë çështje të nxehta dhe ne shpresojmë që të mbizotërojë arsyeja tek drejtuesit e PS-së për të gjetur një zgjidhje, e cila nuk i shërben një partie të veçantë dhe në rastin konkret nuk është në leverdi të LSI-së, por janë ndryshime të cilat do t’i shërbenin maksimizimit të votës së të majtës”.
-A një kosto në fakt kjo shkëputje mes jush e PS-së, që ndoshta do të vazhdojë deri në 2009-ën?“Ka një kosto për të majtën. Jam i bindur që ka një kosto, sidomos për PS-në, e cila në mënyrë të paarsyeshme mori përsipër rolin e protagonistit në reformën kushtetuese dhe në reformën zgjedhore, duke marrë përsipër të gjithë barrën e rëndë të këtyre reformave, pa përfshirë aleatët në debatin për këto reforma. Në gjykimin tonë ka bërë disa ndryshime, të cilat nuk i vlejnë vendit, nuk i vlejnë demokracisë dhe shkojnë në favor të forcimit personal të Sali Berishës. Në këtë koncept ne nuk mund të mos njohim që kjo ka krijuar një çarje të plotë mes nesh dhe PS-së. Megjithatë, ne gjykojmë që, në fund të fundit, tani edhe tek e keqja duhet kërkuar mundësia për ta neutralizuar atë, më së paku dhe kur ka mundësi edhe për të nxjerrë përfitim, përveç mësimit natyrisht që duhet ta nxjerrin në radhë të parë ata që kanë përgjegjësinë për këto ndryshime. Ne gjykojmë që e majta ka shans të madh të fitojë, sepse ne jemi të bindur që qeverisja e Sali Berishës do të degradojë në mënyrë spektakolare në këta muaj që do të vijnë. Ne kemi gjithashtu bindjen, që në këto kushte të çarjes së të majtës, jo të provokuar nga ne, dalja në zgjedhje me dy apo më shumë alternativa nga ana e së majtës e maksimizon votën e saj. E maksimizon në kuptimin që, zgjedhës të cilët kanë qenë të prirur të votojnë për një parti të caktuar të së majtës apo një koalicion të caktuar të saj, në rast se janë të zhgënjyer, kanë mundësinë që të votojnë për një grupim apo një parti tjetër të së majtës. Pra, ata ç’është më e rëndësishmja dalin në zgjedhje dhe e hedhin votën. Kjo është shumë e rëndësishme, që të pakënaqurit, të cilët janë shumë edhe në gjirin e së majtës, edhe në të PS-së, dalin të votojnë për një grupim të majtë. Kjo sjell atë që maksimizohet vota e majtë në gjykimin tonë dhe në fund të fundit pastaj, pas procesit zgjedhor bëhen llogaritë, bëhet mbledhja e votave që ka marrë e majta në tërësinë e saj, dhe kjo do të japë shansin që e majta të fitojë zgjedhjet. Pastaj janë të tjera ato, si ndarja e përgjegjësive, e vendeve etj. Këto janë çështje të tjera që do të diskutohen, e shpresoj me një frymë luajaliteti e me një frymë përgjegjësie për të kaluarën e afërme, dhe nuk dua të besoj që edhe ky moment do të bëhet objekt i intrigave të vogla pastaj, të cilat kanë karakterizuar gjithë këtë fazë parazgjedhore”.
-Pra, mendoni se hyrja në zgjedhje të ndarë do të maksimizonte votën e së majtës?“Unë them që kjo është një zgjidhje e imponuar në radhë të parë, që neve na u imponua nga vendimi i njëanshëm i PS-së, për të bërë një reformë zgjedhore sipas konceptit të saj. Në këtë koncept më duhet të them që nuk kemi çfarë t’i themi më shumë edhe Sali Berishës, sepse ai e deklaroi në mënyrë të hapur që reformën zgjedhore ia ka besuar opozitës. Në këtë aspekt, them që është një përgjegjësi shumë e rëndë për PS-në, që pa u konsultuar me partitë e koalicionit të majtë mori një vendim siç është ai i caktimit të sistemit zgjedhor, sepse që në zgjedhjet e ardhshme mund të vijë nevoja që ta ndryshojmë këtë model që u fut në Kushtetutë. U fut qëllimisht, sepse është dashur që të penalizohen pikërisht aleatët. Në këto kushte, ne do të gjejmë mundësi për të neutralizuar dëmin edhe si parti, edhe si e majtë. Në këtë kuptim, krijimi i këtyre koalicioneve alternativë brenda së majtës, ku në fund të fundit jemi edhe në logjikën e demokracisë, s’ka asgjë të keqe, sepse është një zgjidhje për të dalë nga një situatë në të cilën na ka futur pikërisht ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor. Kjo mundëson që zgjedhës të vendosur të së majtës, në momentin që e ndiejnë veten të zhgënjyer, nuk po përmend emra partish, këtyre u jepet mundësi që brenda së majtës të votojnë tek një grupim që ka më shumë besim sesa tek partia që e ka zhgënjyer. Kjo e detyron atë të mos bojkotojë votimin, aq më tepër që të shkonte të votonte pastaj për ndonjë grupim të djathtë, që do të ishte edhe gjëja më negative”.
-A do të përpiqet LSI-ja të shmangë atë që ndodhi në zgjedhjet e 2005-ës gjatë fushatës elektorale, ku një pjesë e mirë e saj iu kushtua kundërshtisë ndaj zotit Nano? A do të ripërsëritet kjo ndaj zotit Rama dhe PS-së në zgjedhjet e 2009-ës, apo sulmi kryesor do të përqendrohet tek zoti Berisha?“Mos harrojmë që skenari është i ndryshëm. Në 2005-ën ishte në pushtet PS-ja, qeverisja e PS-së, një qeverisje e cila nuk ka asgjë për vendin, aq sa është e vështirë sot, që një qytetar shqiptar ta kujtojë atë për ndonjë gjë pozitive. E ngarkoi të majtën me një turp të pamerituar. Kjo ishte arsyeja pse dolëm më vete për të dhënë një alternativë, për të thënë që e majta nuk është kjo qeverisje e anatemuar, por është ajo që ka një përvojë qeverisëse në vitet e qeverisë së zotit Meta me disa elemente mjaft pozitivë. Ne dolëm kundër së keqes, e cila dëmtonte të majtën shqiptare. Nuk dolëm që të humbte e majta dhe me këtë parti, në vend që të gjendej një gjuhë bashkëpunimi, kjo u anatemua nga PS-ja si rreziku kryesor. Është e kundërta e asaj që pyesni ju. U bë edhe një kod zgjedhor, që e hiqte LSI-në edhe nga grupet e numërimit apo komisionet zgjedhore”.
-E kisha vetëm për pjesën e fushatës. A do të përpiqet LSI-ja që të mos ketë po aq angazhim për të sulmuar PS-në në zgjedhjet e 2009-ës?“Gjithë ky kriticizëm i yni gjatë muajve të fundit nuk ka qenë ndaj PS-së. Ne kemi sulmuar Gërdecin, kapjen e institucioneve nga qeveria. Ne kemi sulmuar ndryshimet kushtetuese dhe PD-në, por nuk është faji ynë nëse PS-ja është gjetur në të njëjtën llogore me PD-në për këto çështje thelbësore. Kritika jonë nuk ka qenë ndaj PS-së si PS, por ndaj PS-së sepse është bërë palë në ndryshmet e Kushtetutës në këtë qëndrime mbytëse për frymën opozitare, duke filluar nga çështja e Gërdecit, dhe natyrisht ne do të jemi kritikë ndaj PS-së edhe në këtë fazë të përfundimit të reformës zgjedhore nëse ajo nuk do të dëgjojë zërin e arsyes, të së drejtës dhe do ta bëjë kodin zgjedhor siç e ka vendosur me PD-në. Pra, do të bëjnë ato komisionet gjoja të depolitizuar, që do të jenë tërësisht të politizuar, siç ka ndodhur edhe me KKRT-në apo KDRTSH-në. Këto u nisën për të qenë të depolitizuar dhe përfunduan 24 karat PD. Ne ua thamë edhe kolegëve socialistë: “Mos shtoni një pikëpyetje tjetër të madhe me këto komisione! Le të bëhen në kohë më të mira, jo në kohën e Sali Berishës këto komisione të depolitizuar”. Nëse ata do të insistojnë, ne do t’i kritikojmë përsëri. Natyrisht do të mbarojë reforma zgjedhore dhe ne kemi objektivin, kemi qeverisjen, kemi Sali Berishën e do të luftojmë me idetë tona, objektivat tona dhe mjetet tona këtë qeveri. PS-ja, jemi të bindur që edhe ajo do të bëjë kriticizmin e saj ndaj Sali Berishës me metodat, mënyrat dhe tonet e saj, të cilat nuk është e thënë që të përputhen me ato tonat”.