UDB-ja premton Mikpritje dhe dekorata të larta
Në ditët e zhvillimit të gjyqit ndaj Liri Gegës, Dali Ndreut dhe bashkëpunëtorëve të tyre, ambasada e BRSS-së në Tiranë kishte informuar udhëheqjen e saj mbi konsekuencat që kishin të pandehurit në bazë të akuzës që iu bëhej. Nisur nga ky fakt, Hrushovi nëpërmjet një radiogrami urgjent për ambasadorin sovjetik, e këshillon që t’i transmetohet Enver Hoxhës, që Liri Gega të mos ekzekutohej. Por lideri i shtetit diktatorial shqiptar, duke pasur parasysh implikimin agjenturor të të pandehurve për llogari të UDB-së dhe i indinjuar nga fjalimi i Titos në Pula, ku ai bëri thirrje hapur për përmbysjen e regjimit të Tiranës, nëpërmjet aprovimit që i bëri vendimit gjyqësor, ua dha qartë mesazhin si Moskës, ashtu edhe Beogradit. Ekzekutimi i çiftit Liri dhe Dali Ndreu për spiunazh, të sjell në mendje fatin e njëjtë tragjik të Ethel dhe Julius Rozenberg.
Zërit të fuqishëm protestues të popullit amerikan për mosekzekutimin e Rozenbergëve iu bashkëngjit krahas opinionit të shëndosh demokratik botëror edhe ai i Papa Piut XII. Megjithatë, presidenti i SHBA-ve, Ajzenhaueri, në emër të detyrës dhe interesave madhore të shtetit, më datën 19 qershor 1953 i çoi ata në karrigen elektrike. Kjo ngjarje drithëruese me përmasa botërore do t’i çonte autorët e librit “Krimet e mëdha të historisë”, Pierre Bellemare dhe Jean François Nahmias, në arritjen e përfundimit logjik se: “Viktimat e intolerancës shtetërore, fatkeqësisht iu takojnë të gjitha kohërave dhe të gjithë vendeve”.
A mund të bëjë përjashtim regjimi komunist shqiptar nga ky përcaktim më se realist?! Pa dyshim që jo! Megjithatë, derisa për një proces të mbyllur, nuk merret iniciativa për rigjykimin e çështjes, fajtorët mbesin fajtorë.
Pafajësinë në një shtet demokratik nuk ta jep politika, por drejtësia. Kjo gjë duhet të ndodhë edhe në Shqipëri.
Nga zhvillimi i gjykimit për secilin të pandehur, rezultoi:
E pandehura Liri Gega ka filluar veprimtarinë e saj armiqësore, sikurse e pohoi edhe ajo vetë, qysh prej vitit 1947. Në kohët e fundit dhe pikërisht gjatë viteve 1955-1956 ajo është aktivizuar akoma më shumë në punë armiqësore kundra partisë dhe pushtetit popullor.
I pandehuri Dali Ndreu ka qenë në dijeni të punës armiqësore të së pandehurës Liri Gega dhe është solidarizuar me pikëpamjet e saja.
Të pandehurit Liri Gega dhe Dali Ndreu para zhvillimit të konferencës së Partisë të qytetit të Tiranës, nëpërmjet kontakteve që kishin krijuar me elementët antiparti dhe antipushtet, si Muharrem Çoratin, Foni Qirkon, Astrit Gegën etj., janë informuar në lidhje me punën armiqësore që ishte zhvilluar nga elementë të tjerë të tillë në disa organizata bazë, si dhe me veprimtarinë që do të kryhej në këtë konferencë. Gjatë zhvillimit të punimeve të konferencës, të pandehurit Dali dhe Liri viheshin në korrent të vazhdueshëm mbi punën armiqësore që kryhej jo vetëm nëpërmjet lidhjeve që kishin krijuar, por filluan t’i nxisnin këta elementë për të vazhduar sulmet kundër partisë dhe pushtetit.
Në muajin Prill1955 të pandehurit Liri dhe Dali Ndreu kanë krijuar lidhje me funksionarin e Legatës Jugosllave në Tiranë Cvetozar Koçiç. Si pretekst për krijimin e lidhjeve të tilla, është përdorur nevoja që kishin të pandehurit për disa medikamente. U provua se këta dy të pandehur kanë bërë takime të rregullta me këtë diplomat. Takimi i parë është bërë në shtëpinë e të pandehurve. Në këtë takim ata i kanë shfaqur Cvetozarit të gjitha pikëpamjet armiqësore kundra partisë dhe pushtetit popullor, si dhe kanë dëgjuar nga ky i fundit mendimet e tija, të cilat përputheshin me ato të tyre. Takimi i dytë i të pandehurve Dali dhe Liri me Cvetozvarin është bërë po në shtëpinë e tyre, në gjysmën e dytë të muajit prill. Të pandehurit në këtë rast e kanë informuar Cveton në lidhje me veprimtarinë e elementëve antiparti në konferencën e Tiranës, ndërsa ky i fundit i ka inkurajuar të vepronin më tej kundra udhëheqjes së partisë dhe qeverisë. Takimin e tretë dy të pandehurit me Koçiçin e kanë bërë si rregullisht në të njëjtin ambient, më 7 korrik 1956. Këtë herë Cvetozari është thirrur me urgjencë nga vetë të pandehurit. Në këtë rast biseda midis të lartpërmendurve është zhvilluar rreth Kongresit III të PPSH-së. Të pandehurit kanë qenë dakord me Cveton në konkluzionin jo të bazuar dhe të bërë me qëllim armiqësor prej këtij të fundit, se “Kongresi i helmatisi marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë”. Në këtë rast, të pandehurit Liri dhe Dali, sipas bisedimit që kishin pasur në takimin e dytë, i kanë dorëzuar funksionarit të Legatës Jugosllave një dokument me informata sekrete që e kishin formuluar vetë, në bazë të shënimeve që kishin mundur të marrin nga Pajo Islami. Gjithashtu, në këtë takim dy të pandehurit e mësipërm kanë marrë mendimin e Cvetozarit në lidhje me arratisjen, që ata kishin ndërmend të kryenin në Jugosllavi. Cvetoja jo vetëm e aprovoi mendimin e tyre, por edhe i shtyu në këtë drejtim, duke premtuar mikpritje dhe ndihmë nga vendi ku ata do shkonin.
Gjatë hetimit gjyqësor, e pandehura Liri Gega pohoi: “Kur erdhi për herë të fundit Cveto më 7 Korrik, unë e pyeta sesi do të konsiderohej në qoftë se ne ikim nga Shqipëria në Jugosllavi. Cveto tha se po të arratiseni në Jugosllavi, atje ju presin dekoratat më të larta”. Një ditë më vonë, në datën 8 korrik, e pandehura Liri Gega, me dijeninë e të pandehurit Dali, i ka dorëzuar Cvetozarit një letër, e cila duhej t’i çohej një funksionari jugosllav në Jugosllavi. Po në këtë datë, të pandehurit Liri dhe Dali pasi kanë marrë me vete një sasi dokumentesh me përmbajtje armiqësore kundër udhëheqjes së partisë dhe qeverisë, kanë shkuar në katundin Sllovë të Peshkopisë, nga ku do të arratiseshin me ndihmën e të pandehurit Beshir Ndreu. Gjithë veprimtaria e të pandehurve Liri dhe Dali përshkruhet nga ndjenja armiqësore për partinë dhe pushtetin popullor. Të pandehurit u munduan deri në momentet e fundit të aktivitetit të tyre të shkelmojnë pa mëshirë të gjithë realizimet e mëdha të popullit shqiptar, të asgjësojnë fitoret e arritura në vendin tonë, të ndihmojnë armiqtë e Republikës Popullore të Shqipërisë në sulmet e tyre, prandaj vepra kriminale dhe personaliteti i tyre paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore.
Pretendimi i palës mbrojtëse se krimi i arratisjes jashtë shtetit ka mbetur vetëm një shfaqe mendimi nga ana e të pandehurve, nuk është i bazuar. Fakti se të pandehurit kanë vendosur të arratiseshin, thirrja nga ana e tyre më datë 7 korrik e Cvetos dhe konsultimi me të, dorëzimi i letrës këtij për funksionarin jugosllav në Jugosllavi në datën e nisjes për në Sllovë, marrja me vete e dokumenteve me përmbajtje armiqësore, provojnë në mënyrë të plotë se të pandehurit jo vetëm kanë menduar, por edhe vepruar për t’u arratisur në Jugosllavi. Veprimtaria kriminalo-armiqësore e të pandehurve Liri Gega dhe Dali Ndreu është provuar plotësisht me pohimet e tyre të bëra në hetuesi dhe para gjyqit; me atribuimet që i bënë njëri-tjetrit, si dhe ato që bënë në ngarkim të tyre të pandehurit Petro Bullati dhe Astrit Gega, me dëshminë e dëshmitares Ollga Frashëri, si dhe atë të Nazaete Agollit, bërë në hetuesi dhe verifikuar në seancë gjyqësore.
I pandehuri Petro Bullati e ka filluar veprimtarinë e tij armiqësore qysh prej vitit 1948. Sidomos gjatë viteve 1955-1956, i pandehuri Petro Bullati ka dendësuar aktivitetin armiqësor duke zhvilluar agjitacion e propagandë me elementë të ndryshëm, sikurse e provoi edhe para gjyqit. Ky i pandehur në vitin 1948 ka krijuar lidhje me një funksionar të Legatës Jugosllave, i cili është munduar ta përdori në shërbime të ndryshme sekrete. I pandehuri Petro Bullati në nëntor 1948 është ngarkuar nga funksionari jugosllav të merrte kontakt me armikun e partisë dhe të popullit Koçi Xoxe. I pandehuri nuk e kundërshtoi kryerjen e një detyre të tillë, ndërsa mospërmbushja e saj i detyrohet pamundësisë së të pandehurit për ta kryer këtë. Pikërisht në këtë kohë i pandehuri Petro Bullati është shpërblyer me të holla nga funksionari i lartpërmendur. Ky i pandehur, si armik i partisë dhe i pushtetit, duke pasur të njëjtat pikëpamje armiqësore sikurse dhe Liri Gega, ka krijuar kontakte me të dhe së bashku kanë zhvilluar bisedime me frymë të tillë. Gjatë kohës që konferenca e partisë së qytetit të Tiranës zhvillonte punimet, i pandehuri Petro Bullati, nëpërmjet lidhjeve që kishte krijuar qysh më parë, ka qenë i informuar vazhdimisht mbi veprimtarinë e elementit antiparti, si dhe ka inkurajuar këtë kategori për të zhvilluar veprimtari armiqësore. Në vjeshtën e vitit 1955, i pandehuri Petro Bullati krijoi lidhje me funksionarin e Legatës Jugosllave në Tiranë Rexhep Xhihja. Në fillim, funksionari i mësipërm i ka kërkuar ta ndihmojë në vendosjen e lidhjeve me elementë të ndryshëm qytetarë shqiptarë. Sipas kësaj porosie, i pandehuri Petro Bullati këtë gjë e konkretizoi me Kadri Hoxhën, duke marrë pjesë edhe vetë në takimet e ndryshme që janë bërë midis tyre. Takimi i parë është bërë në kafe “Kursal”, kurse të tjerat në shtëpinë e Rexhepit. I pandehuri Petro Bullati, siç ka pranuar edhe vetë, ka furnizuar Rexhep Xhihjën me informata që merrte nga elementë antiparti gjatë zhvillimit të punimeve të konferencës së partisë të qytetit të Tiranës. Gjithashtu, ky i pandehur i ka dhënë informata të ndryshme funksionarit tjetër të Legatës Jugosllave në Tiranë, Tomo Buklevakin, në lidhje me Tuk Jakovën dhe Bedri Spahiun. Pretendimi i të pandehurit se nuk ka zhvilluar veprimtari armiqësore të organizuar, nuk është me vend. I pandehuri Petro Bullati, i shtytur nga urrejtja për PPSH dhe pushtetin popullor, e ka kthyer shtëpinë e tij në një qendër veprimtarie armiqësore kundër RPSH-së. I pandehuri Petro përveç lidhjeve me të pandehurën Liri Gega, për një kohë të gjatë ka zhvilluar veprimtari agjitacioni dhe propagande në një rreth elementësh të caktuar, me të cilët ka pasur takime të shumta në shtëpinë e vet, ashtu dhe jashtë saj, si me Kadri Hoxhën etj. Pretendimi se veprimtaria e të pandehurit Petro Bullati nuk duhet konsideruar si vepër spiunazhi, për arsye se nuk ka pasur qëllime të tilla, nuk është i bazuar. Mënyra e zhvillimit të veprimtarisë dhe karakteri informatave që ka dhënë dhe shërbimit të kryer ndaj Rexhep Xhihjës, nuk lënë dyshim mbi faktin se i pandehuri e ka kuptuar se është duke kryer veprimtari spiunazhi dhe se e ka dëshiruar këtë. Veprimtaria armiqësore e këtij të pandehuri u provua plotësisht me pohimet e bëra prej tij në hetuesi dhe para gjyqit, me atribuimet që i bën e pandehura Liri Gega si dhe dëshminë e dëshmitarit Shefqet Saraçi.
I pandehuri Petro Bullati, me veprimtarinë e tij armiqësore ka dëmtuar rëndë interesat e pushtetit popullor. Gjithashtu, rrezikshmëria shoqërore e personit Petro Bullati çmohet shumë e theksuar.
Beshir Ndreu. U provua gjatë zhvillimit gjyqësor se ky i pandehur ka kryer krimin e përkrahjes pas kryerjes së krimit. Siç del edhe më lartë, gjatë analizës së veprimtarisë së të pandehurve Liri Gega dhe Dali Ndreu, këta kur shkuan në Sllovë tek i pandehuri Beshir Ndreu, ndërmjet sendeve që kishin marrë, dispononin edhe një çantë, në të cilën veç të tjerash gjendeshin edhe materiale sekrete, si kopja e informacionit lidhur me Konferencën e Tiranës, që ia kishin dorëzuar Koçiçit dhe dorëshkrimet me materialin përgatitor për rezolutën, që kishin vendosur të bënin. Ashtu siç e pranoi edhe vetë e pandehura Liri gjatë hetimit gjyqësor, për këto materiale ajo kishtw porositur në prag të arrestimit të quajturën Nezajet Agolli që t’i fshinte, pasi ishin të rëndësishme. Në fillim Nazajeti i fshehu dhe i siguroi që të mos binin në duart e organeve të punëve të brendshme. Më pas ajo ia dorëzoi të shoqes së Beshir Ndreut, të quajtur Mynyre dhe kjo përfundimisht, pasi u konsultua me bashkëshortin, së bashku me të i dogjën në zjarr. Vepra që ka kryer i pandehuri Beshir është e kundraligjshme dhe me rrezikshmëri shoqërore. Ajo përmban elementët e krimit sipas nenit 225, paragrafi i III-të të KP-së
Krimi i mësipërm është vërtetuar nga pohimet e të pandehurit Beshir, thëniet dhe atribuimet e të pandehurve Liri dhe Dali, ashtu edhe me thëniet e dëshmitares Nazajet Agolli, të marrë në hetuesi dhe në gjyq.
Pretendimi që i pandehuri Beshir të deklarohet i pafajshëm, për shkak se nuk dinte përmbajtjen e materialeve që zhduku nuk është i drejtë. Nga provat e administruara u provua plotësisht se i pandehuri Beshir urdhëroi djegien e tyre pasi mori vesh se ato ishin sekret dhe kishin të bënin me veprimtarinë e të pandehurës Liri, për të cilën ajo edhe ishte arrestuar. Për të pasur figurën e krimit sipas nenit 225/III të KP-së, nuk është e domosdoshme dija konkrete e përmbajtjes të dokumenteve, siç pretendohet. Në rastin konkret, mjafton marrja dijeni që ato ishin materiale sekrete dhe që nuk duhet të binin në duart e organeve të punëve të brendshme.
Astrit Gega. Nga hetimi gjyqësor, rezultoi se i pandehuri ka kryer krimin e parashikuar prej nenit 72 të KP-së. U provua plotësisht se në mënyrë të përsëritur ky i pandehur ka zhvilluar biseda me të pandehurit Liri dhe Dali. I pandehuri Astrit është solidarizuar me pikëpamjet armiqësore të tyre, veçanërisht me ato të pandehurës Liri. Bisedat e konsumuara njëri me tjetrin kanë konsistuar në goditjen e masave të marra nga partia dhe qeveria, si dhe në përkrahjen e elementit armik. I pandehuri Astrit e ka furnizuar të pandehurën Liri me materiale të ndryshme nga zhvillimi i jetës së brendshme të partisë, të cilat ajo i përdorte për punën e saj armiqësore. Gjithashtu, ky i pandehur ka qenë në dijeni mbi takimet e të pandehurës Liri me Koçiçin.
Pretendimi se i pandehuri Astrit duhet të shkarkohet nga përgjegjësia penale, pasi ai nuk ka qenë dakord me pikëpamjet e të pandehurës Liri, nuk është i bazuar. Fakti që i pandehuri Astrit Gega ka zhvilluar me të biseda me karakter armiqësor dhe fakti se e ka furnizuar me informacione të ndryshme që i shërbenin asaj për veprimtari armiqësore, janë të mjaftueshme për të konkluduar në fajin e tij.
Për këto arsye, Këshilli Gjyqësori Kolegjit Ushtarak të Gjykatë së Lartë, në mbështetje të nenit 276 dhe 267 të Kodit të Procedurës Penale
VENDOSI:
1) Deklaron fajtor të pandehurën Liri Gega:
a) për krimin e tradhtisë ndaj atdheut, të kryer me anë të spiunazhit;
b) për krimin e tradhtisë ndaj atdheut, të kryer me anë të përgatitjes për
arratisje jashtë shtetit;
c) për krimin e pjesëmarrjes në një organizatë kundra pushtetit popullor dhe për krimin e agjitacionit e propagandës.
Përfundimisht, në bazë të nenit 48 të Kodit Penal, duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon me: VDEKJE me PUSHKATIM dhe me konfiskim të pasurisë.
2) Deklaron fajtor të pandehurin Dali Ndreu :
a) për krimin e tradhtisë ndaj atdheut, të kryer me anë të spiunazhit;
b) për krimin e tradhtisë ndaj atdheut, të kryer me anë të përgatitjes për
arratisje jashtë shtetit; c) për krimin e pjesëmarrjes në një organizatë kundra pushtetit popullor dhe për krimin e agjitacionit dhe propagandës.
Përfundimisht, në bazë të nenit 48 të Kodit Penal, duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon me: VDEKJE me PUSHKATIM dhe me konfiskim të pasurisë.
3) Deklaron fajtor të pandehurin Petro Bullati:
a) për krimin e spiunazhit;
b) për krimin e pjesëmarrjes në një organizatë kundra pushtetit popullor dhe për krimin e agjitacionit dhe propagandës.
Përfundimisht, në bazë të nenit 48 të Kodit Penal, duke bërë bashkimin e e dënimeve, e dënon me: VDEKJE me PUSHKATIM dhe konfiskim të pasurisë.
4) Deklaron fajtor të pandehurin Beshir Ndreu :
a) për krimin e përkrahjes pas kryerjes së krimit dhe në bazë të nenit 225/III të Kodit Penal, e dënon me 7 vjet burgim dhe konfiskim të pasurisë.
5) Deklaron fajtor të pandehurin Astrit Gega:
a) për krimin e agjitacion propagandës dhe në bazë të nenit 72/1 të Kodit Penal e dënon me 3 vjet burgim.
Për sa i takon akuzës së nenit 75 të Kodit Penal, që i atribuohet Astrit Gegës, meqenëse kjo nuk rezulton e provuar gjatë gjykimit të çështjes, gjykata e deklaron të pafajshëm.
Ky vendim është i formës së prerë.
U shpall sot në Tiranë, më 22 Nëntor 1956.