E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjakmarrja, MASH duhet të ofrojë arsim për fëmijët e ngujuar

Tiranë- Ministira e Arsimit duhet të marrë masa për ata fëmijë që për shkak të gjakmarrjes detyrohen të lëvizin në vende të ndryshme të vendit, për mos ti lënë pa arsim.

Kjo ka qenë kërkesa që Elida Loçi, përfaqësuese e fëmijëve të ngujuar i ka bërë shtetit, ndërsa ka thënë se nga fenomeni i gjakmarrjes janë rreth 100 fëmijë.

“Ata sot jetojnë thuajse të izoluar nga fenomeni i gjakmarrjes. Arsimimi I tyre është një çështje që na ka prekur edhe vetë ne fëmijëve. Në prag të vitit të ri shkollor, në emër të tyre i bëj thirrje Ministrisë së Arsimit që të marrë masat e duhura që këta fëmijë të mos mbeten analfabetë”- tha Loçi.

Ndërsa drejtori i Institutit “Shtëpia e Drejtësisë dhe Pajtimit”, Agim Loçi, në një deklaratë për mediat tha se në Shkodër ka arsimtarë që u shkojnë në shtëpi të ngujuarve, por ky problem duhet të zgjidhet edhe në vende të tjera.

“Ne kërkojmë një bashkëpunim për të inspektuar të gjithë familjet dhe duhet të merrën masa për t’i ofruar atyre libra për shkollën, çanta. Këto duhet tua bëjmë të mundur jo vetëm fëmijëve që janë të ngujuar, por dhe atyre që janë të dëmtuar nga fenomeni i gjakmarrjes”- deklaroi ai.

Sipas statistikave rreth 700 familje shqiptare janë të prekura nga fenomeni i gjakmarrjes, ndërsa 350 prej tyre janë të ngujuara. Deri më tani kanë qenë me dhjetra fëmijë të vratë, të cilët janë të detyruar të lajnë borxhet e dikujt tjetër.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›